“Remusica” Feston me Tinguj Ditëlindje Kompozitorësh

Kori i Filarmonisë së Kosovës në Kishën “Shën Ndou” të Prishtinës mbrëmjen e së hënës me nota muzikore do të shënojë 105 vjetorin e lindjes së kompozitorit Lorenc Antoni dhe ditëlindjen e 65-të të dirigjentit Rafet Rudi në kuadër të festivalit të muzikës bashkëkohore “Remusica”.

Rudi drejton këtë kor, ndërsa kori do ta luajë si premierë veprën e tij më të re vokalo-instrumentale “Kurorë glëmbash”-nga cikli “Afresk arbëresh”.

“Remusica”-Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës nisi të dielën me një bashkim forcash të Filarmonisë së Kosovës dhe kitaristit prizrenas me famë botërore-Petrit Çekut. Këtë koncert të mbajtur në katedralen “Nëna Tereze” e dirigjoi vietnamezi Le Fi Fi.

Ai vlerësoi paraqitjen e kitaristit dhe Filarmonisë. 

“Jemi kuptuar qysh prej herës së parë kur kemi punuar bashkë. Çeku është një muzikant i mrekullueshëm që luan me shumë emocione”, tha Le Fi Fi.

Petrit Çeku tha se ndjenjat kur performon para publikut shqiptar i ka të veçanta.

“Dua me pasë një kualitet human në të gjitha koncertet e mia dhe mundohem që koncertet e mia të jenë kualitative dhe të gjitha të kenë emocion, mirëpo prapëseprapë sado që mundohem, para publikut shqiptar janë emocione tjera”, tha Çeku.

Kitaristi, fitues i nëntë çmimeve të para nëpër konkurse ndërkombëtare thotë se ndihet ndryshe emocionalisht në Kosovë edhe për faktin se publiku kosovar ka entuziazëm, etje për muzikë, pasi nuk është i ngopur muzikalisht si publiku në vendet tjera. 

Qëllimi kryesor i festivalit “Remusica” është promovimi kryesisht i muzikës bashkëkohore përmes prezantimit të tendencave të ndryshme stilistike. Në koncertet e këtij festivali artistët vendorë dhe të huaj luajnë vepra ndërkombëtare dhe të artistëve vendas.

Në Konferencën për media të shtunën, drejtoresha e këtij festivali Donika Rudi, tha se këtë vit programi i koncerteve, është përpiluar në bazë të një lidhjeje logjike dhe të natyrshme të muzikës bashkëkohore, muzikës së epokave tjera stilistike (para se gjithash të barokut) dhe gërshetimit të tyre me muzikën e krijuesve kosovarë.

Koncertet e festivalit “Remusica”, për dhjetë netët e parashikuara deri më 28 maj, do të mbahen kryesisht në Kishën Katolike “Shën Ndou” dhe në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë, në mungesë të një salleje të madhe koncertesh.
 
Hyrja në to do të jetë falas.