Për Etikën Në Kohën e Mungesës së Saj (TV)

Ani pse kanë kaluar tre muaj që kur ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi u “dorëzua” para protestave  duke dhënë dorëheqje nga posti që e mbante, pasi u publikua botimi i tij shkencor në revistat e rrejshme, gjurmët e kësaj afere janë hetuar edhe në “Javën e Shkencës në Kosovë”, që u hap të martën.

“Etika në Shkencë” ka qenë tema hapëse e “Javës së Shkencës” e cila do të vazhdojë deri të premten. Për etikën, ose mungesën e saj në punimet shkencore, kanë ligjëruar tre hulumtues shkencorë nga Kosova dhe Shqipëria, por kjo nuk i ka bërë fare përshtypje ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Bujës.

Derisa akademik Salvator Bushati, anëtar i Akademisë Evropiane, profesori gjerman Klaus Schuch dhe profesoresha Myzafere Limani po lexonin punimet e tyre mbi etikën në shkencë, ministri Buja kishte zgjedhur të mos i dëgjonte ata.

Në prapavijë ministri Buja pi kafe

Në vend të kësaj, ai pinte kafe në hollin e hotelit luksoz ku edhe mbahet Java e Shkencës. Me të hetuar kamerën, dikush nga kabineti i tij është ankuar për xhirimin dhe më pas ministri është larguar nga hoteli. Ai ka qëndruar në Javën e Shkencës jo më shumë se gjysmë ore sa ka përfunduar hapja formale e saj.

Më shumë se gjysmë ore është dashur të pritet edhe ardhja e tij që gjithçka të nisë.

Por pjesëmarrësit në hapjen e Javës nuk ia kanë varë fort ministrit. Madje Myzafere Limani, shefe e Departamentit të Elektronikës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP, ka kritikuar institucionet sikurse Ministria, që nuk po bëjnë aq shumë në ruajtjen e etikës në punimet shkencore.

Me pikëpyetje etika e UP-së

Limani e cila ka lexuar kumtesen e saj “Bazat Etike të Veprimtarisë Shkencore” përmendi faktin se Senati i Universitetit të Prishtinës ka krijuar një grup për etikën e punimeve shkencore, por puna e tij mbetet ende pa ndonjë efekt.

“Shumë pak hapësirë i është kushtuar kodit etik, posaçërisht në hulumtimet shkencore. Prandaj këtu mbetet një punë për t’u bërë”, tha Limani.

Sipas saj të gjitha institucionet kërkimore dhe shkencore ballafaqohen me sfidën e etikës në shkencë.

“Dallimi mes pozitës sonë momentale dhe institucioneve të tjera kredibile është se për një kohë të gjatë institucionet tona nuk i kanë kushtuar kujdesin e  duhur etikës në kërkimet shkencore”, tha Limani.

Ajo ishte edhe njëra nga zërat aktivë gjatë kohës kur në fillim të këtij viti, rektori i UP-së u përball me akuza për mashtrime në publikimet shkencore.  Pas Gashit, kanë dalë edhe raportime të ngjashme me shumë profesorë, sikurse ai në Fakultetin e Filozofisë, Bujar Dugolli.

Megjithatë ministri Buja edhe në fjalën e tij nuk u mor fare me këtë problem. Uroi mirëseardhje dhe kallëzoi se sa punime e sa të ftuar do të jenë pjesë e “Javës  së Shkencës”.

“Kjo është konferencë shumë serioze me 500 pjesëmarrës dhe 300 kumtesa”, tha Buja.  Në hapje mungonin edhe anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pas dhënë arsye për këtë, teksa nga Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” në vend të ushtruesit të detyrës së  rektorit Anton Berishajt, ishte prorektori për shkencë Muhamet Mala.

Por vartësi i ministrit Buja, Murteza Osdautaj që drejton Departamentin e Shkencës dhe Teknologjisë në MAShT, tha se arsyeja përse është zgjedhur që “Java e Shkencës” të hapet me diskutimin për etikën, ka të bëjë kryekëput me ngjarjet në UP.

“Nuk ka qenë koincidencë. E kemi bërë me qëllim. Jemi munduar që seancën plenare t’ia kushtojmë këtij problemi që e preokupon komunitetin shkencor në vend”, tha Osdautaj.

Por sipas tij problemi i etikës në shkencë është një sfidë e shumë universiteteve në botë, por mënyra sesi ballafaqohen vendet e veçanta dallon.

Osdautaj dha edhe një shpjegim interesant të këtij dallimi.

“Për shembull në Austri ose në vendet e zhvilluara ballafaqohen me aspektin etik të klonimit të njerëzve, derisa ne ballafaqohemi me problemin e botimit në revistat ndërkombëtare”, tha ai.

Për Osdautajn i cili edhe ka lexuar punimin e tij në hapje të “Javës…” , tha se ky organizim sivjet ka ngjallur interesim të madh dhe se ajo ka kredibilitet në universitet rajonale. Sipas tij, punimet zgjidhen pas një thirrjeje të hapur për konkurrim, prurjet e së cilës i selektojnë grupet e jashtme të MAShT-it.

Normale- UP-ja pa shpikje!

Kur u pyet për mungesën e inovacioneve dhe hulumtimeve shkencore në Universitetin e Prishtinës Osdautaj e cilësoi këtë normale.

 “Nuk mund të themi që nuk ka pru. Janë 8 për qind e universiteteve botërore që e prodhojnë rreth 70 për qind të inovacioneve dhe krijimeve shkencore. Kurse të tjerat prodhojnë 30 përqindëshin”, tha Osdautaj.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në mars të vitit të kaluar se Universiteti i Prishtinës nuk ka të regjistruar asnjë shpikje nga punonjësit e tij.

Por për anëtarin e Akademisë Evropiane të Shkencave Salvator Bushatin që ka ligjëruar “Etika në Shkencë”, kërkimi shkencor duhet ta ketë qëllim praktikumin.

“Kërkimi shkencor është i arritur dhe efektiv, vetëm në qoftë se ai aplikohet në praktikë”, tha Bushati.

Etika sipas tij ruan përparimin e një punimi shkencor, por është e zorshme që të realizohet ashtu.

Prandaj, Bushati, thotë se është nevojë e menjëhershme që të edukohen hulumtuesit shkencorë.

“Por duhet me qenë realist dhe të themi se duhet të tentojmë ta kapim sa më parë dhe nëse me pyesni them unë, duhet të thosha duhet bërë që dje”, tha ai.

E profesori Klaus Shuch foli për sfidën e vendeve të Bashkimit Evropian për t’i ikur plagjiaturës dhe vështirësitë që etika të kontrollohet në secilin punim.

“Por i takon etikës së një shkencëtari a hulumtuesi që të mbajë mbi barrën e tyre këto rreziqe dhe t’i anashkalojnë ato”, tha Shuch.