60 Sekondat e Famës së Jupollit në New York

“Sleep Circle” (Rrethi i Gjumit) është vepra më e re e muzicientit kosovar Liburn Jupollit. Vepra e kompozuar për zë dhe elektronikë, e shkruar në gjashtë gjuhë që hulumton momentin kur një person zgjohet nga gjumi dhe tentimin për të menaxhuar informacionet sureale të ëndrrave dhe realitetit pas gjumit, do të shënojë edhe hapin e parë të Jupollit në një skenë të madhe ndërkombëtare të muzikës së re.

Të dielën ai do të shkojë një hap tutje në karrierën ndërkombëtare të tij, kur në serinë e koncerteve “Fifteen Minutes of Fame” (15 minutat e Famës) në kuadër të ngjarjes njëvjetore “Voxnovus”  (Zërat e Rinj) që organizohet nga  “Composer’s Voice”.

“Kjo është vepra parë e imja që luhet në Amerikë”, tha Jupolli, një ditë para se “Sleeep Circle” të luhet në kishën Jan Hus.

Vepra e Jupollit i cili njihet edhe për eksperimentimin në instrumente është e gjatë vetëm 1 minutë. Përbëhet nga fjalët e gjashtë gjuhëve: breton (dialekt në Francë), shqip, anglisht, japonisht dhe gjuhës tradicionale kineze.

Ajo është njëra nga 15 veprat të cilat do të luhen në piano nga Viola Yip e cila luan veprat  60 sekondëshe të kompozitorëve të tjerë.

Ngjarja në të cilën mbahet koncerti ku do të luhet vepra e Jupollit është njëra ndër më të rëndësishmet në Amerikë në muzikën elektro-akustike.

Fakti se kushti i parë që vepra të pranohet ka qenë gjatësia prej 60 sekondave për vetë Jupollin ka qenë një sfidë të cilën ai do të donte ta kishte shumë herë. Ndërsa fakti që ka konkurruar në shumë festivale ka ardhur si pasojë e punës dyvjeçare të tij në studio.

“Është intriguese të shkruash diçka për një kohë shumë të shkurtër”, thotë Jupolli.

Jupolli për dallim prej artistëve të tjerë kosovarë nuk e sheh si të zorshme pjesëmarrjen në festivalet ndërkombëtare.

“Sado që flasim çdo ditë për teknologji, aq më pak dalim se jemi të vetëdijëshëm sesa mund ta shfrytëzojmë atë. Unë nuk kam një person që promovon punën time por mundohem vetë të krijoj kontakte me skenën ndërkombëtare”, tha Jupolli.

Vepra “Sleep Circle” nuk do të jetë e vetmja që do të luhet në Amerikë. Me 6 dhe 8 qershor në Qendrën e Artit “Abrons” në New York, do të luhet një tjetër vepër e Jupollit. Ajo titullohet “Ghosts of Saint Malo Vals” në kuadër të Festivalit “The New York City Electroacustic Music Festival” që është njëri ndër më të njohurit për muzikë elektro-akustike në Amerikë.

E gjatë vitit, Jupolli paraljmëron edhe të tjera koncerte në të cilat do të luhen veprat e tij.