Në Pritje për të Rimarrë Postin e Drejtorit të Galerisë

Fotografi Fahredin Spahija ka një dëshirë: do që së paku vetëm një javë të rikthehet si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, nga ku ishte shkarkuar tre vjet më parë. 

Nga aty do që të bëjë një thirrje. 

“Dua vetëm të kthehem aty nga ku më kanë shkarkuar në mënyrë të paligjshme, të mbaj një konferencë për media dhe të bëhem drejtori i parë i një institucioni kulturor që do t’i kërkonte dorëheqjen ministrit të Kulturës (Memli Krasniqit)”, thotë Spahija. 

Për këtë ka një arsye. Thotë se një ministër që nënshkruan një vendim të paligjshëm për të shkarkuar dikë nga posti, duhet të jap dorëheqje. 

E realizimin e kësaj dëshire e ka në dorë Gjykata e Apelit. 

Por Spahija nuk është optimist se shkalla e dytë do t’ia mundësojë këtë shumë shpejt. 

Ish-drejtorit të Galerisë, i shkarkuar me vendim të Këshillit Drejtues të këtij institucioni me arsyetimin se është sjellë egërsisht ndaj stafit të punëtorëve në këtë institucion, i kanë mbetur edhe 6 muaj para se t’i skadojë afati që ia mundëson realizimin e këtij plani. 

Në tetor skadon mandati i tij katërvjeçar i nisur më 2010.  Ai mund të kthehet në të njëjtën detyrë vetëm nëse vendimi merret gjatë kohës që mandati  i tij është i vlefshëm ligjërisht. 

Krejt kjo çështje është në dorë të Gjykatës së Apelit e cila prej shtatorit të vitit të kaluar ende nuk e ka marrë një vendim mbi atë që Gjykata Themelore e Prishtinës ka konstatuar në aktgjykimin e marsit të 2013-ës.

Vonesa fillestare është shkaktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës. 

Në pranverën e vitit të kaluar, dy vjet pasi Spahija kishte ushtruar padi për anulimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Galerisë për shkarkimin e tij, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që Spahinë ta kthejë në pozitën e drejtorit. 

Pas kësaj, Ministria e Kulturës kishte ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Apel. 

Lënda e Spahisë është dorëzuar në Gjykatë të Apelit me 9 shtator të vitit të kaluar dhe i është dhënë një gjyqtari tek me 19 nëntor të po atij viti. 

Në Gjykatën e Apelit e pranojnë se rasti Spahija është i natyrës urgjente, por për shkak të ngarkesës së madhe me lëndë, gjykata nuk ka mundur të vendosë ende. 

“Kjo për faktin se ka akoma shumë raste të natyrës se njëjtë, e të cilat janë shumë më të vjetra dhe kanë përparësi në zgjidhje”, tha Arbër Jashari, nga Zyra për Informim e Apelit. 

Sipas tij, ka lëndë të tjera të cilat kanë afate të shkurta ligjore dhe gëzojnë prioritet në zgjidhje, karshi atyre të kontesteve të punës e që janë: masat e sigurimit, përsëritja e procedurës, kontestet statutore si dhuna në familje, etj.

Por në rast se Apeli mbështet vendimin e themelores, ministri i Kulturës Memli Krasniqi që kishte nënshkruar vendimin e Këshillit Drejtues të Galerisë së Arteve për të shkarkuar Spahinë nga ky post, mund të detyrohet që ta kthejë në punë atë që do të kërkojë shkarkimin e tij 

Gjyqi konkludoi se  ishte e paligjshme procedura e shkarkimit të Spahisë 

Gjykata Themelore ka konstatuar se vendimi për shkarkimin e Spahisë është bërë në mënyrë të kundërligjshme. 

Në korrik të vitit 2011, katër muaj pasi Memli Krasniqi ishte emëruar në krye të Ministrisë së Kulturës, një komision disiplinor për Spahinë ishte krijuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm për t’u marrë me ankesat e punëtorëve të Galerisë që akuzonin drejtorin për sjellje të egër.

Në maj të vitit  2011 disa punëtorë të Galerisë së Arteve i ishin drejtuar ministrit të Kulturës me një letër të cilën nuk e kishte nënshkruar askush, ku kërkonin shkarkimin e Spahisë për siç thoshin ata trajtimin që ai ua bënte atyre. 

Sipas asaj letre që më vonë u mor edhe si bazë për inicimin e shkarkimit të tij, Spahija akuzohej se trajtonte punëtorët si skllevër, duke i ofenduar dhe poshtëruar. Spahija mohon se është sjellë keq me punëtorët e Galerisë, por thotë se u shpif kundër tij me qëllim të përjashtimit nga puna. 

Por komisioni kishte rekomanduar Këshillit Drejtues të Galerisë që sapo ishte emëruar me përbërje të re që të shkarkojë Spahinë nga detyra, pasi kishte “shkelur kodin etik”. 

Ky këshill që ishte emëruar nga ministri Krasniqi, qysh në mbledhjen e parë kishte marrë vendimin për shkarkim të Spahisë. 

E krejt kjo mënyrë e shkarkimit të Spahisë sipas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës është marrë pa pasur asnjë bazë.

“Vendimi i marrë nuk përmban fare arsyetim gjë e cila vendimin e bën të pakuptueshëm, të kundërligjshëm dhe nuk mund të kuptohet se për çka paditësi është shkarkuar nga pozita e drejtorit”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. 

Me këtë vendim të shkallës së parë, Spahisë përpos që i aprovohet kërkesa për t’u kthyer në vendin e punës, Ministria e Kulturës detyrohet  që t’ia kompensojë atij pagat mujore të cilat nuk i ka marrë e që kapin shumën prej mbi 7 mijë eurove. Paga mujore e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës është 404 euro.  

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur lidhur me padinë e Spahisë duke shqyrtuar procedurën e shkarkimit të tij dhe nuk është marrë me vërtetësinë e akuzave për sjellje të egër ndaj stafit që rëndojnë ndaj tij. 

Mirëpo Ministria e Kulturës e vlerëson si të palogjikshëm vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. 

“Nuk ka asnjë logjikë madje edhe bazuar në ligje që gjykata ta kthejë në punë me forcë, një të emëruar politik, të cilit siç e thamë i ka përfunduar mandati në përputhje të plotë me ligjet dhe procedurat në fuqi”, tha Veton Firzi, sekretar  i përgjithshëm në MKRS, duke iu referuar Ligjit për Institucionet e Kulturës. 

Ai i referohet shkarkimit të tij si përfundim të mandatit.

Por mandati i Spahisë ligjërisht përfundon në muajin tetor. 

Ishte katërvjeçar dhe nisi më 16.10.2010 dhe përfundon më 15 tetor të vitit 2014.

Ndërkaq Gjykata Themelore në aktgjykimin e saj e cilëson të paligjshme mënyrën e shkarkimit të Spahisë, pasi ai ka qenë i emëruar politik, e është shkarkuar me procedura të shërbyesit civil. 

Për këtë çështje nuk ka pranuar të flasë drejtori i tanishëm Erzen Shkololli, pasardhësi i Spahisë. 

Ia ka lënë në dorë Ministrisë së Kulturës. 

Në Ministrinë e Kulturës janë të bindur se shkarkimi i Spahisë nga posti i drejtorit të GKK-së nuk është i jashtëligjshëm.  

Firzi i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se vendimi për shkarkimin e Spahisë ka marrë edhe miratimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil që nëpërmjet një vendimi e ka hedhur poshtë ankesën e ish-drejtorit. 

Por në fakt ky këshill nuk e kishte trajtuar ankesën e Spahisë me arsyetimin se ai ishte i emëruar politik dhe jo shërbyes civil.

Ministria e Drejtësisë është organi që përfaqëson institucionet e Qeverisë në procese gjyqësore dhe sipas Firzit kjo ministri ka apeluar vendimin e Gjykatës Themelore, sepse MKRS-ja konsideron se “ky vendim është i padrejtë dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi”. 

“Dhe  si i tillë ne besojmë se do të anulohet nga Gjykata e Apelit, që ende nuk ka marrë vendim”, tha Firzi. 

E Spahija beson se Apeli do të vendosë në anën e tij.