Murali i Dyshuar i Banksyt “Përgjon” Britaninë

Murali i ri që besohet të jetë vepër e artistit Banksy paraqet tre spiunë të viteve 1950 të veshur me pallto të gjata dhe me kapela, teksa në duar mbajnë mjete të ndryshe përgjimi. Të tre spiunët shihen duke mbajtur mjetet e tyre mbi dhe rreth një kabine telefoni. 

Gazeta britanike “The Guardian” ka raportuar se ky mural shpërfaq në mënyrë të përsosur rolin e qytetit Cheltenham si shtëpia e përgjimeve në Britani. Agjencia e intelegjensës britanike e quajtur Qendra Qeveritare e Komunikimeve (GCHQ) është e vendosur në periferi të këtij qyteti. 

Përgjimet ishin bërë tema më e diskutuar e vitit të kaluar kur ish-kontraktuesi i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së (NSA) dhe ish-punonjësi i CIA-s Edward Snowden, vendosi të publikojë gjatë pranverës së vitit 2013 sekretet e përgjimit në shkallë botërore të NSA-së dhe GCHQ-së në Britani. 

Murali i bërë në një mur në të cilin është e vendosur një kabinë telefonike është bërë gjatë orëve të hershme të së hënës. Por nuk ka informata zyrtare nëse kjo është vepër përnjëmend e realizuar nga Banksy. 

Madje kjo vepër ende nuk është vendosur në sajtin zyrtar të artistit gueril. Por faqja në internet që merret me artin e  rrugës “Streetartnews”  ka shkruar se përkundër mungesës së fakteve se kjo është vepër e Bansky-t, murali ka karakteristikat e stilit të Banksyt. 

Karen Smith, e cila jeton në një shtëpi vetëm 5 metra larg kësaj kabine telefonike, tha të ketë dëgjuar zhurmë gjatë natës por nuk i kishte shkuar në mendje se aty po bëhej një mural. Por kur ishte zgjuar në orën 7 të mëngjesit ajo kishte parë një furgon të parkuar në anën tjetër të rrugës në të cilin qëndronin disa burra që po fusnin brenda mjete të ndryshme dhe ngjyra. 

“Mendova se ishte çështje policore, por kur ktheva kokën kah kabina pashë muralin. Në fillim nuk e kuptova por tash e di”, tha Smith 48-vjeçare.