E Zeza Melankolike e Elinës

Këmbëzbathur, sikur edhe në koncertet tjera, të shtunën dhe të dielën në skenën e Teatrit “Oda” është zhytur në krijimtarinë e saj Elina Duni, duke performuar para publikut prishtinas për herë të parë albumin e saj të ri.

Edhe qilimi tradicional i shtrirë në skenë është një tjetër detaj që nuk ka ndryshuar nga koncertet e kaluara, e që jazz-artisten shqiptaro-zvicerane e lidh ngushtë me origjinën e saj, nga ku ajo merr këngët e vjetra dhe e i shkrin në jazz.

Por, përveç qilimit dhe këmbëve të zbathura, koncertet e ardhshme të Dunit do të tingëllojnë ndryshe. Kjo ngase në albumin e saj të ri të titulluar “Muza e zezë”, ku këngëtarja vjen edhe si kantautore, ka ngritur jazzin e saj në një përjetim tjetër më të thellë, më autobiografik.

Albumi është luajtur për herë të parë këtë fundjavë në kuadër të edicionit të nëntë të Festivalit të Muziktarëve të Rinj DAM FEST që përmbyllet me 8 prill.

Në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, Duni flet për esencën e albumit që sipas saj nuk ka pasur sesi t’i ikë ndikimit të albumeve të tjera.

“Për mua gjëja më e rëndësishme ka qenë vërtetësia e këngëve që t’u flisja të gjithë njerëzve. Kjo ishte gjëja më e rëndësishme dhe nga kjo perspektivë ka nisur krejt ky album”, thotë Duni.

Kur dëgjon këngët e “Muzës së zezë” të krijohet përshtypje se ato janë nxitur nga momente apo ngjarje të rëndësishme nga vetë jeta e kantautores Duni, megjithatë ajo mendon se kjo nuk e bën albumin e saj autobiografik.

“Albumi nuk është autobiografik, sepse asnjë krijim nuk është autobiografik. Ajo që më frymëzon është jeta dhe tregimet nga ajo. Mund të jetë një histori që ma tregon dikush, mund të jetë diçka që e kam jetuar vetë”, thotë Duni.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/snRJWgfATgg” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Nga “Matanë malit” te “Muza e zezë”

Dy koncertet e mbajtura të shtunën dhe të dielën nuk kanë mjaftuar për të gjithë ata që kanë dashur të dëgjojnë albumin e ri të Elina Dunit.

Por edhe shumë nga të pranishmit kanë lënë sallën e koncertit me merakun për të dëgjuar edhe disa këngë nga albumi i saj i kaluar “Matanë malit”, që përmban këngë të vjetra shqipe si “Ra kambana”, “Kjani trima”, “Erë pranverore” apo “Ka një mot”.

Ndërsa këngët e albumit të ri si “Miq”, “Në haremin tënd”, “Little love”, “Të ç’dua” apo “Zhdukemi” janë këngë origjinale krejtësisht të zhytura në tingullin e jazit bashkëkohor, por të kënduara nga Duni, megjithatë ruajnë njëfarë fryme të albumeve të saja të mëparshme.

Elina Duni e pranon se e ka pasur të vështirë që të ikë nga ndikimi i albumit.

“S’ka sesi të jetë ikja. Unë jam krijuar me ‘Matanë malit’. Tingulli më është krijuar me ato këngë”, thotë Duni.

E bija e regjisorit Spiro Duni dhe shkrimtares Besa Myftiu, thotë se këngët popullore e kanë ndihmuar atë të gjejë gjuhën e saj si kompozitore dhe autore.

“Për shembull tek “Zgjeroje zemrën”  ka diçka popullore dhe nuk mund t’i iki krejt”, thotë Duni.

Albumi “Muza e zezë” për Dunin është një tentim për të hapur horizontin e muzikës së saj. Me këtë projekt Duni thotë të ketë dashur të shprehë anën e saj si kompozitore dhe poete e këngëve të saja.

Përderisa në albumin “Matanë malit” kishte bashkëpunuar me instrumentistë nga Zvicra, në albumin e ri “Muza e zezë”, Duni ka bashkëpunuar me instrumentistë nga Kosova dhe Shqipëria.

Në album i është bashkuar Gent Rushi në fizarmonikë me të cilin Elina Duni më 2002 kishte incizuar albumin koncertal “Live in Tirana”.

Në kitarë luan Armend Xhaferi, Enes Bajramliqi në daulle dhe Ermal Rodi në saksfon e klarinetë.

“Kisha prej kohësh dëshirë që të bëja diçka me këta instrumentistë të cilët i kam edhe miq”, thotë Duni, e cila qysh para një dekade ishte bërë e njohur me grupin prishtinas “Retovizorja” me hitin e tyre “Rock star”.

“Një proces hulumtimi solli Muzën”

Albumi është prodhim i një procesi të gjatë hulumtimi në tingull dhe tekste nga ana e Dunit.

Kënga “Në Tiranë”, është incizuar qysh në vitin 2006. Kësaj kënge së fundmi Duni ia ka realizuar edhe një video. Tjerat këngë i ka realizuar në dy vjetët e fundit.

Por titulli “Muza e zezë” është ajo për çfarë Duni ka marrë më së shumti pyetje nga njerëzit.

Ajo thotë se shumë njerëz kanë menduar se albumi është i mbushur me balada dhe këngë të zymta.

“E zeza te ne lidhet shumë me vdekjen, por në gjuhë të tjera si frëngjishtja, e zeza ka edhe ngjyrat tjera, ka melankolinë”, thotë Duni.

Këngëtarja 33 vjeçare thotë që nëpërmjet këtij albumi tregon se edhe këngët e trishtueshme nuk janë plotësisht të trishtueshme.

“Nuk shkon asnjëherë në fund, ka diçka që e mban trishtimin. E njëjtë është edhe vetë jeta për mua. As e zezë e as e bardhë. Muza ime është jeta”, thotë Duni, sipas së cilës procesi i shkrimit të teksteve ka qenë një proces që e ka çliruar atë.

“Edhe jam shfryrë”, thotë Duni.  “Ka këngë që janë më elektrike por ka edhe akustike por te secila ka diçka timen. Jam e lumtur që me grupin kemi arritur të gjejmë një tingull të përbashkët dhe për këtë nuk kam pasur fije dyshimi”, thotë Duni.

Përpos këngës “Zgjeroje zemrën” tekstin e të cilës e ka huazuar nga poeti lezhjan Ndoc Gjetja dhe “Erë e fëminisë” shkruar nga Besa Myftiu, të tjerat këngë janë të shkruara dhe të kompozuara nga vetë Duni.

Shumica e teksteve janë të shkruara në standardin e shqipes me të cilën Duni është rritur, por ka dhe fjalë të marra nga dialekti gegë dhe një këngë komplet e shkruar në gegnisht dhe e titulluar “Shuj”.

<iframe width=”100%” height=”450″ scrolling=”no” frameborder=”no” src=”https://w.soundcloud.com/player/?url=https%3A//api.soundcloud.com/tracks/133870823&auto_play=false&hide_related=false&visual=true”></iframe>

Albumi mund të blihet në kafe-librarinë “Dit e Nat” dhe kushton 5 euro.