Drejtori i Ri i Teatrit Kombëtar Ngjall Reagime të Artistëve

Kur kishte dalë dje nga intervista përballë Këshillit Drejtues, aktori Adrian Morina u kishte thënë mediave se e dinte se kush do të zgjidhej drejtor i TKK-së, duke aluduar në atë që disa orë pas deklaratës së tij doli të jetë po ai emër.

Njëzet e katër orë më vonë ai ka dalë para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të treguar se këtë emër në fakt ia kishin prezantuar qysh para dy muajsh.

Të mërkurën, një ditë pasi Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar zgjodhi për drejtor biznesmenin e letrarin Valdet Avdiu, Adrian Morina njëri nga gjashtë kandidatët që kanë garuar për drejtor, ka treguar se anëtari i Këshillit Drejtues, ish-këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi, regjisori Fadil Hysaj, ia ka prezantuar Avdiun si drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Ka qenë data 26 nëntor kur profesori Fadil Hysaj, njeriu kryesor i politikës në kulturë, pas premierës së shfaqjes ‘Shembja e Kullës së Ajfelit” ma ka prezantuar Valdet Avdiun si drejtor të ardhshëm”, tha Morina të mërkurën në mesditë.

Por sipas Morinës, këtë gjë nuk e ka bërë publike deri tash me një arsye.

“Nuk kam dashur që t’i besoj asaj që ma ka thënë profesori dhe kam dashur të flas për këtë, tek pasi të kryhet procesi”, tha Morina, duke shtuar se këtë ngjarje ia ka kujtuar edhe  Hysajt kur ka hyrë në intervistë.

“Por ai nuk foli asgjë. Nuk ma ktheu asnjë fjalë”, tha Morina.

Gazeta ka tentuar të marrë rrëfimin e Hysajt, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve, mesazheve telefonike e as e-maileve. Ai nuk është gjetur as në Fakultetin e Arteve, e as në Teatrin Kombëtar gjatë mesditës  së të mërkurës.

Por Morina, i cili doli i dyti në këtë garë, ka thënë se konferenca e së mërkurës është e fundit kur ai do të flasë për këtë proces.

Fill pas Morinës para gazetarëve ka folur edhe kandidati Naser Ramadani i cili është vlerësuar me më së paku pikë nga Këshilli Drejtues. 

Ramadani i cili i kishte hyrë kësaj gare për të gjetur një vend pune,  u ka thënë mediave se i “vjen keq prej aktorit Morina i cili ka plotësuar kushtet për t’u bërë drejtor”. Zgjedhjen e drejtorit të ri e ka quajtur vendim politik.

Artistët “kryqëzojnë” zëdhënësin Shatrolli

Por një debat më i madh i mbushur me akuza ndaj Këshillit Drejtues të Teatrit kombëtar të Kosovës është zhvilluar në Facebook.

Fillimisht Naser Shatrolli, në profilin e tij në Facebook, në orën 21:00, një orë pasi Këshilli kishte zgjedhur Avdiun drejtor, kishte shkruar një komunikatë të rrejshme në të cilën jepte informacionet për pikët në zgjedhjen e drejtorit. Kjo ishte bërë për të “shënuar” 1 Prillin-Ditën e Rrenave. Kjo rrenë nuk i kishte “ndezur” Shatrollit.

Profili i Naser Shtrollit në Facebook

Por  në mesnatë Shatrolli kishte dhënë lajmin e vërtetë, duke marrë me dhjetëra komente.

I pari që ka komentuar është aktori Alban Ukaj.

“Pa pikë ftyre”, ka shkruar Ukaj duke komentuar vendimin e Këshillit Drejtues të TKK-së që e transmetonte Shatrolli.

Aty ka reaguar edhe aktorja Adriana Matoshi.

“O Naser burri, ti sot mas 12-ve po tregon, po i gjithë komuniteti ynë e kemi ditë shumë moti, jo Kadria, jo aj, jo ky, shok mas shoki po shuni allahile, hajt knaqnu qaty, luni pak e mos na shurdhoni b…”, ka shkruar Matoshi.

I ashpër dhe sulmues ndaj Shatrollit ka qenë edhe aktori Bekim Guri. Madje Guri i ka bërë thirrje Shatrollit që të japë dorëheqje nga Këshilli, pasi sipas tij, ai është bërë një marionetë. Ndërsa aktori Morina e ka quajtur palaço Shatrollin.

“Kulmi është ky drejtor, që unë kurrë nuk ja kam ni zanin që ekziston. Vetëm dy javë para se të zgjidhet drejtor ja kam ni emrin. Po e han turpin me bukë Naser i dashtun”, ka shkruar aktori Guri.

E Naser Shatrolli tha se të gjitha vlerësimet dhe akuzat e bëra ndaj tij dhe anëtarëve të Këshillit, sikurse ndaj ish këshilltarit të kryeministrit-regjisorit Fadil Hysaj, ish këshilltarit të ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi- Haqif Mulliqit, kandidatit të PDK-së për Asamble të Komunës së Prishtinës- aktorit Nëntor Fetiut, janë thjesht mendime personale të atyre që flasin.

“Nuk dua t’i komentoj asnjë nga këto deklarata”, tha Shatrolli.

Opozita: Politika zgjodhi drejtorin

Për çështjen e drejtorit të TKK-së ka reaguar edhe opozita.

Grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kulturë zgjedhjen e drejtotit të Teatrit e ka quajtur një thellimin të diktatit politik mbi institucionet e kulturës.

“Zgjedhja e drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar pas favorizimit të hapur politik nga struktura udhëheqëse e ministrisë, e ka dëmtuar përfundimisht teatrin si institucion nacional kulturor dhe artistët i ka vënë para sprovës së madhe për fatin e tyre”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas tyre gara për të parin e TKK-së ka qenë e kurdisur paraprakisht dhe e drejtuar politikisht dhe se kandidati i përzgjedhur nuk përfaqëson vlera krijuese e as menaxhuese.