Ekspozita Specifike e Henry Moore në Kryeqytet (TV)

Me një kërkim të thjeshtë në “google” gjen sesi nëpër muze dhe galeri të botës gjatë muajit të ardhshëm do të hapen ekspozita në vende të ndryshme të botës me vepra të artistit Henry Moore, por ekspozita në kryeqytetin kosovar, ka dy dallime esenciale.

Në Prishtinë, kjo ekspozitë e njërit prej artistëve më të njohur britanikë mund të shijohet pa paguar biletë.

Ndërsa veprat e ekspozuara nuk janë të njëjtat që do të ekspozohen në galeritë tjera nëpër botë.

Ekspozita “Henry Moore: Grafika dhe skulptura të përzgjedhura”, do të hapet të enjten e 27 marsit në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Kjo ekspozitë është pjesë e Koleksionit të Këshillit Britanik, që e shpjegon edhe specifikën e dytë.

Fiks 80 grafika dhe 8 skulptura të këtij koleksioni janë vendosur në katin e parë të GKK-së. 

Ky koleksion mund të shihet vetëm në ekspozitat që i organizon Këshilli Britanik nëpër vendet e ndryshme të botës.

Veprat që do të ekspozohen në GKK janë punuar prej vitit 1949 deri më 1983 periudhë kjo që njihet si njëra ndër më produktivet në skenën e artit modern në Britani, e prirë nga Moore.

Këshilli Britanik, ka qenë njëri ndër blerësit më të mëdhenj të veprave të Moore-it. Ky organ, siç ka shpjeguar Arjeta Emra, drejtoreshë e Këshillit Britanik në Kosovë ka blerë veprat e Moore-it që kur ai ka qenë në fillim të karrierës. Veprat e para, Moore ia kishte shitur pikërisht këtij këshilli rreth viteve ‘40.

Fakti se Këshilli Britanik e kishte ndihmuar artistin në kohën kur ai nuk gëzonte famë, në masë për shkak të veprave gjysmë-abstrakte, kishte bërë që në vitin 1984 artisti t’ia dhuronte shumë vepra këtij institucioni britanik.

Emra thotë se artisti këtë e ka bërë për dy arsye: për të treguar respekt për Këshillin dhe për t’u siguruar se veprat e tij do të shiheshin në shumë vende të botës.

 “Çka e bën unike ekspozitën që ne do ta kemi, është se ekspozita sjellë vepra që zakonisht nuk mund të shihen në ekspozitat tjera personale”, tha Emra.

Përpara Prishtinës, koleksioni i Këshillit Britanik të veprave të Moore-it është ekspozuar në Shqipëri, Maqedoni dhe Kazakistan, ndërsa pritet të hapet edhe në Ukrainën e trazuar nga problemet me Rusinë.

Veprat e Moore-it do të duhet të konkurrojnë me ekspozitën e fototekës Marubi që sipas drejtorit të Galerisë, Erzen Shkololli ka thyer rekord të vizitorëve.

“Ne sot e konfirmojmë edhe një kriter shumë të lartë të vazhdimësisë së programit të galerisë,  duke pasur ekspozitën e Henry Moore-it”, tha Shkololli.

Përpos veprave grafike dhe skulpturave, pjesë e ekspozitës do të jenë  edhe dy dokumentarë për jetën dhe fondacionin e artistit Moore që është krijuar pas vdekjes së tij në gusht të vitit 1986.