Homoseksualët e Margjinalizuar Nëpërmjet Artit

Një grup prej 5 policësh pinë cigare dhe flasin për prognoza sportive, teksa dy kolegë të tjerë qëndrojnë në hyrje të një blloku banimi në qendër të kryeqytetit. Ata duhet të verifikojnë identitetin e çdo personi që hyn aty dhe kjo është e pazakontë për banorët e ndërtesës që zë vend përballë objektit të institucionit më të rëndësishëm në vend, Kuvendit të Kosovës. 

“Diçka kish ndodh n’hymje”, thotë një grua rreth të 40-ve teksa ngjitet shkallëve deri në katin e tretë të ndërtesës.

Krejt çka ndodhte aty është një ekspozitë artistike. Por jo çfarëdo ekspozite. Sidomos për faktin se ajo organizohej në kryeqytetin e shtetit në të cilën projekte të njëjta kanë rezultuar me dhunë dhe protesta të egra.

Në përdhesën e ndërtesës së lartë mbi 10 kate në një apartament vlojnë njerëzit. Në mure janë të ngjitura fotografi në të cilat më së shumti vërehen fytyrat e mbuluara me flamuj shumëngjyrësh.

Pikturat në të cilat personazhet kanë shikimin e njëjtë, e bëjnë ekspozitën të mos jetë vetëm një ngjarje e fotografisë.

Por secila prej këtyre fotografive dhe pikturave janë pasqyra më e mirë e një komuniteti të margjinalizuar në vend, atij të homoseksualëve.

“Personalisht e shoh si të panevojshme që policia të jetë këtu, por si organizatë na intereson që komuniteti të ndihet i sigurt”, thotë Vlora Krasniqi, që drejton Qendrën për Emancipim Shoqëror.

“QESh” ka organizuar ekspozitën  e hapur të mërkurën mbrëma në zyrat e organizatës që mbron të drejtat e komunitetit LGBT (Lesbike, Homoseksualë, Biseksualë dhe Transgjinorë).

Fotografi me ngjyra për jetën “bardh e zi”

Ekspozita përmban 25 fotografi të realizuara nga vetë Krasniqi dhe pjesëtarë të organizatës, nga Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT-së në Shqipëri dhe aktivistëve të LGBT-së në Tunizi,  bashkë me pikturat e  artistes nga Mitrovica , A. B e cila nuk dëshiron që të identifikohet.

Në ekspozitën në të cilën është bërë bashkë komuniteti LGBT dhe mbështetësit e barazisë së tyre në shoqërinë kosovare ka edhe vepra të pjesëtarëve të Qendrës Kulturore dhe Alternative në Graçanicë. 

“Nuk është se pikturat e mia kanë të bëjnë ekskluzivisht me komunitetin LGBT, por ato janë të inspiruara nga jeta e këtij komuniteti dhe jam e lumtur që këto po ekspozohen pikërisht në këtë ngjarje”, tha artistja nga Mitrovica.

Një pikturë e ekspozitës

Për aktiviste të tjera të të drejtave të LGBT-së, një ekspozitë e tillë është e rëndësishme për të kuptuar sfidën e një komuniteti për të fituar lirinë e të qenët kush janë dhe si ndihen.

“Ekspozita është një tregues i realitetit të komunitetit LGBT”, thotë Rajmonda Sylbije, drejtuese e Qendrës për Barazi dhe Liri “Cel” që gjithashtu merret me mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti në Kosovë.

E fotografitë flasin mjaft. Në njërën prej tyre dikush i mbuluar me flamur të këtij komuniteti qëndron përpara një xhamie në kryeqytet, ndërsa në një tjetër foto dy persona pa gjini, përsëri me flamur në kokë janë kapur sikur gati po puthen.

Në tjera fotografi një vajzë pozon prapa disa lajmeve në gazetat kosovare të shtypura në formate të mëdha, e të cilat flasin për rastet e sulmeve ndaj pjesëtarëve të komunitetit. Fotografitë tjera shpërfaqin detaje sikur duar ose pjesë të tjera të trupit, për të treguar sesa i margjinalizuar është ky komunitetet.

Një ekspozitë e formatit të tillë ishte hapur edhe dy vjet më parë në Hapësirën Manipuluese “Tetris” në kryeqytet,  e cila kishte kaluar pa ndonjë eksces, teksa një organizim i fundvitit 2012 nga magazina “Kosovo 2.0” kishte eskaluar në dhunë nga disa persona. Tre prej tyre së fundmi janë dënuar me nga dy vjet me kusht.

Ekspozita e së mërkurës ishte planifikuar që fillimisht të hapej në “Tetris”, por ajo është anuluar siç thotë drejtuesja e “QESh”, Vlora Krasniqi, për shkaqe teknike. Ajo mohon se anulimi ka të bëjë me frikën se i njëjti skenar mund të përsëritej.

Frikë nga identifikimi

Në ekspozitë askush nuk ka mundur të fotografojë të pranishmit. Kjo është bërë për shkak se shumica prej atyre që kanë qenë prezentë, i takojnë komunitetit LGBT, por që nuk kanë dalë publik si të tillë.

“Familja ime nuk e di që jam në një ngjarje të tillë dhe nuk do të doja që ata ta merrnin vesh për mua në këtë mënyrë. Pra duke publikuar fotografi të miat në këtë ngjarje”, thotë 25 vjeçari me inicialet L.V. që jeton 30 kilometra larg Prishtinës.

Pamje nga ekspozita

Drejtuesja e “QESh” thotë se arti i komunitetit LGBT është i margjinalizuar njashtu sikurse jeta  e tyre. Por ajo shpreson se nëpërmjet ngjarjeve të tilla do të ndikojë që njerëzit që nuk janë pjesë e komunitetit ta kuptojnë se çfarë është jeta e personave LGBT.

Një debat i madh mbi çështjen e LGBT-së ishte hapur edhe me miratimin e Kushtetutës së Kosovës. Në nenin 37 të Kushtetutës ku flitet për të drejtën e martesës dhe familjes, ani pse nuk specifikohet thuhet se “çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Sipas Krasniqit,  Qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore dhe ndërkombëtare në vend, do të duhej të ishin më të fokusuara në krijimin e një ambienti në të cilin gjithkush trajtohet njëjtë, pa marrë parasysh se çfarë orientimi seksual ka.

Kosova që nga dhjetori i vitit të kaluar ka krijuar edhe Grupin  Këshillëdhënës dhe Koordinues në nivelin nacional  për  të  drejtat e  komunitetit LGBT.