Lëvizjet e Izoluara të Feminizmit në Ballkan

Vajzat e grupit Have it” që u puthën mes vete në Prishtinë për Shën Valentin, duke trazuar shoqërinë kosovare me postimin e puthjes në rrjetet sociale dhanë një performancë artistike në Shkup.

Grupi i përbërë nga Lola e Alketa Sylaj dhe Hana e Vesa Qena në festivalin ““It’s First And It’s a Girl” (Është e para dhe është vajzë), treguan refuzimin për t’iu përshtatur rregullave me shfaqjen e tyre të quajtur “Mekanika Klasike”.

“Të njëjtët njerëz i kam parë edhe në ngjarjet e organizuara në Beograd, Prishtinë e madje edhe këtu në Shkup. Ka një evoluim pozitiv të lëvizjeve feministe në Ballkan, por problemi është se këto ngjaje sillen në një rreth të njëjtë njerëzish që diskutojnë për gjëra që tashmë të gjithë i dinë”, thotë Sylaj.

Sylaj edhe grupin e edhe performancën i lidhë me feminizmin.

Aktivistet dhe aktivistët për të drejta të barabarta mes gjinive janë mbledhur në Qendrën e Kulturës së Shkupit gjatë fundjavës, kryesisht nga vendet që dikur i takonin një tërësie të quajtur Jugosllavi.

Si kosovarja Lola Sylaj, mendon edhe Dragana Stiojcheska.
 
“Kemi qenë në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi dhe ajo çfarë më ka rënë gjithmonë në sy është se në shumicën e këtyre ngjarjeve është një publik i njëjtë që përbëhet nga aktiviste apo aktivistë të feminizmit. Pra mund të them se shfaqja është parë vetëm nga një rreth vicioz i njerëzve”, thotë Stojecheska.

Ajo është regjisore e shfaqjes “Scars”, ku shtrohet çështja e pozitës së kësaj gjinie në botën moderne, ndërsa luajnë shtatë aktore femra.

Publiku i pakët i prodhimeve artistike që lidhen me të drejtat e grave është problemi kryesor i mospërhapjes së lëvizjeve feministe. 

“Edhe këtu shoh gati të njëjtat fytyra”, thotë regjisorja Stojcheska, teksa ndodhet në Shkup.

Shumica e filmave të shfaqur në festivalin e mbajtur në kryeqytetin maqedonas, janë realizuar në Amerikë, Britani dhe Francë por hedhin dritë mbi femrat në Ballkan.

Kumjana Novaka është udhëheqëse e programit të filmit në It’s a First And It’s a Girl” që organizohet nga grupi “Tiiit” në Shkup.

“Ideja është që Ballkan nuk mungojnë ngjarjet kulturore që merren me feminizmin por ato kanë pak ndikim sepse publiku i tyre është pak a shumë i njëjtë. Kësisoj kam përshtypjen që ata që organizojnë ngjarje të tilla duhet të hartojnë platforma që të shtrijnë ndikimin më të madh tek masa”, thotë Novaka. 

Maqedonasja mendon se lëvizjet feministe në Ballkan duhet të radikalizohen sikurse në Rusi apo Ukrainë.

“Femra në shishe

Të njëjtën përshtypje ka edhe fotografja dhe ilustratorja nga Portugalia, me emrin artistik Wasted Rita.

“Nuk është se kam shumë përvojë me ngjarjet kulturore dhe feministe në Ballkan. Pas pjesëmarrjes në ‘BeFem’ në Beograd, ekspozita në Shkup është rasti i dytë. Por mund të them se ndikimi i këtyre ngjarjeve mbetet paksa i izoluar”, thotë Rita.

Në Shkup ajo ka hapur ekspozitën e titulluar “Vetëm Zoti gabon” në të cilën duke përdorur dizajnin grafik e fut femrën në një shishe si replikë ndaj perceptimit “femra e fut dreqin në shishe”. Në disa dizajne të tjera ajo ka vendosur thënie të cilat janë gjithmonë një kundërshtim ndaj rregullave shoqërore.

Zana Hoxha-Krasniqi që drejton festivalin kosovar  “Femmes Fatale” që në prill do të mbahet edicioni i dytë thotë se ndikimi i këtij festivali në ngritjen e debatit mbi feminizmin dhe të drejtat e njeriut ka qenë i mjaftueshëm.

“Ne kemi vërejtur një ndikim të festivalit në çështjen e feminizmit. Edhe publiku nuk ka munguar në edicionin e parë dhe presim më shumë publik në edicionin e dytë. Por mbi të gjitha e rëndësishme është që festivalet e tilla krijojnë një rrjet të femrave të përfshira në art”, thotë Hoxha-Krasniqi.

Por profesoresha e Letërsisë Krahasimtare në Universitetin e Shkupit në Maqedoni, Maja Bojadzievska, ka përshtypjen se mungesa e impaktit të lëvizjeve feministe në Ballkan nëpërmjet ngjarjeve kulturore vjen si pasojë e mosrealizimit të një programi me nivel të lartë artistik.

 “Shumë aktiviste dhe artiste që merren me të drejtat e femrave, merren me gjëra aktuale të cilat në krijime artistike nuk kanë ndonjë vlerë. Unë vërej një lëvizje të vobektë të feminizmit në Ballkan që vjen si pasojë e mungesës së hulumtimit të duhur të pozitës së femrës në art dhe në jetën shoqërore”, thotë Bojadzievska.

Neda Kosikj nga festivali “BeFem” i Beogradit thotë se problemi qëndron te publiku ballkanas.

“Në festivalin tonë është e vërtetë që kemi një publik pak a shumë tradicional, por kjo është si rezultat i një mentaliteti ballkanas që mendon se në ngjarjet e tilla, pra feministe duhet të shkojnë veç gratë”, thotë ajo.

“Kur filmat tanë shkojnë në festivale ndërkombëtare, interesimi është shumë i madh”, shton Kosikj.

E për njërën nga vajzat që organizon festivalin “It’s a First and It’s a Girl” në Shkup, Jana Staredlova, ngjarjet kulturore që trajtojnë feminizmin keqkuptohen nga publiku.

“Kur u them njerëzve: ejani në festival, ata më thonë se nuk janë të interesuar për të dëgjuar rrëfimet e dëshpëruara të grave. Por historitë e shumicës që prezantohen këtu nuk janë të tilla. Përkundrazi”, thotë ajo.

Në Ballkan lista e festivaleve kulturoro-feministe nuk është dëshpëruese. Në Beograd mbahet festivali “BeFem”, në Maqedoni “It’s First And It’s a Girl”, në Mal të Zi është “Studiorum” në Slloveni “Pravo Ljudski”, ndërsa në Kosovë vitin e kaluar filloi të organizohej festivali “Femmes Fatales”. Në Shqipëri nuk ka një festival feminist.