Romeo dhe Xhulieta – Një Histori Urrejtjeje

Romeo mund të jetë serb e Xhulieta shqiptare. Ose e kundërta. Asgjë nuk është e sigurt, përpos që një kastë e aktorëve të njohur serbë e shqiptarë do të ngjiten të inskenojnë dramën e njohur të dashurisë së pamundur. Dhe se kjo kastë do të vë në skenë një histori dashurie, e cila pamundësohet nga urrejtja që i ka rrënjët e thella.

Ky është plani artistik i një ekipi kosovaro-serb që vitin tjetër planifikojnë ta vënë në skenën teatrore të Beogradit dhe Prishtinës një shfaqje e cila do të ketë për temë gjuhën që ndan dhe bashkon njerëzit.

Ekipi fillestar i kësaj shfaqjeje që do të prodhohet nga Qendra Multimedia në Prishtinë dhe Punëtoria Integruese në kryeqytetin serb, duket premtues. Është një përzierje mes aktorëve të gjeneratës jugosllave dhe atyre që janë ngritur pas rënies së Jugosllavisë, e cila u shkatërrua si pasojë e pamundësisë për të jetuar të barabartë në një njësi të vetme administrative.

Enver Petrovci dhe Miki Manojloviq bashkë me Goran Jefitiqin, Anita Mançiqin e Jeton Nezirajn janë ekipi fillestar i cili të mërkurën edhe ka nisur zyrtarisht punën për të krijuar shfaqjen që do të bazohet në dramën e njohur të shkrimtarit William Shakespeare, “Romeo dhe Xhulieta”.

Paraditja e së mërkurës i ka gjetur ata në audicionin për aktorët, në shfaqjen që kërkon 22 aktorë dhe 5 muzikantë.

“Ne nuk e dimë ende se cilët do të jenë aktorët, sepse jemi në kërkim të tyre, por ajo çfarë mund të them është se jemi duke kërkuar aktorët më të mirë për rolet”, tha Manojloviq në konferencën e mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Megjithatë ai përmendi aktorin Uliks Fehmiu të birin e të Bekim Fehmiut si njërin nga artistët që do të jenë pjesë e shfaqjes që sipas Manojloviqit do të tentojë që të fokusohet në gjuhën si mënyrë që i lidh njerëzit, por edhe që i ndan ata.

Manojloviq u bë nervoz teksa iu përgjigj pyetjes të një gazetareje serbe nga Graçanica që kërkonte të dijë nëse në shfaqje do të përfshihen aktorë serbë që jetojnë në Kosovë.

Kjo ka qenë arsye e mirë që aktori dhe regjisori serb të potencojë se shfaqja nuk ka të bëjë me nacionalizmin, por me gjuhën e cila është një temë universale.

Me këtë “provokim” është marrë edhe aktori kosovar Enver Petrovci sipas të cilit ideja e realizimit të kësaj shfaqjeje do të jetë sjellja në skenë e një historie, e cila bazën e ka në art dhe jo në nacionalizëm.

“Kam lindur në një lagje në të cilën janë folur katër gjuhë. Por ne e kemi folur vetëm një. Si? Për shembull, kur një shqiptar blinte topin ne i thoshim topit në gjuhën shqipe, por kur një serb blinte topin, i drejtoheshim në gjuhën e tij. Pra ka të bëjë me gjuhën që njerëzit duhet ta përdorin për t’u lidhur mes vete”, tha Petrovci.

Siç shkruan në sajtin e Qendrës Multimedia,  “Romeo dhe Xhulieta”, është projekt teatror i konceptuar dhe ideuar nga Miki Manojloviq dhe Jeton Neziraj, e në të cilin do të angazhohen një kastë e madhe aktorësh nga Kosova dhe Serbia. Realizimi i këtij projekti të madh teatror pritet të fillojë në vjeshtë të këtij viti, për t’u finalizuar në vitin 2015.

Tragjedia në dramën e Shakespeare-s zhvillohet në  qytetin italian të Veronës mbi dashurinë e Romeos dhe Xhulietës, që bëjnë pjesë në dy fise armiqësorë, atyre të Montague-ve (Romeo) dhe të Capulet-ve (Xhulieta).

Gjakmarrja shkon aq larg, saqë pjesëmarrësit rregullisht me pasion marrin pjesë në fyerje dhe luftëra shpate të përgjakshme, sapo takohen në qytet. Për këtë arsye Romeo dhe Xhuljeta e mbajnë lidhjen e tyre të dashurisë të fshehtë nga prindërit. Pa njohurinë e tyre martohen nga prifti Lorenco që fshehurazi shpreson të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit.