“Gravity” Merr 7 Oscarë- “Rrëzohet” nga “12 Years a Slave”

Akademia Amerikane e ka ngritur në qiell filmin ngjarja e të cilit zhvillohet në hapësirë, duke i dhënë 7 “Oscarë”, por e ka vënë me këmbë në tokë kur çmimin kryesor ia ndau filmit që portretizon 12 vjetët e jetës së një skllavi. 

Kësisoj filmi “Gravity”, është kthyer në shtëpi me 4 çmime më shumë, sesa konkurrenti kryesor “12 Years a Slave” që fitoi çmimin për filmin më të mirë. 

“Gravity” u vlerësua edhe për regjinë, pasi Alfonso Cuaron mori “Oscarin” si regjisori më i mirë. Cuaron mori çmim edhe për montazhin së bashku me Mark Sanfer, teksa Steven Price mori “Oscar” për idenë origjinale të “Gravity”.

Filmi me Sandra Bullock-un dhe George Clooney-in në rolet kryesore u nderua me “Oscar” edhe për miksim dhe editim të zërit, por edhe për efektet vizuale.  Ndërsa “12 Years a Slave” me regji të Steve McQueen-it, nuk mori asnjë çmim në kategoritë e prodhimit të një filmi, por u nderua vetëm për skenarin më të mirë të adaptuar.

 Regjisori ka pasur falënderime të pazakonshme kur u ngjit në skenë për të marrë “Oscar-in” kryesor.

“Dua të falënderoj këtë tregim të mrekullueshëm”,  tha McQueen pas marrjes së trofeut të artë.

Në ceremoninë e 86-të të ndarjes së çmimeve vjetore në kinematografi që u mbajt gjatë orëve të hershme të mëngjesit sipas kohës lokale në Evropë, Akademia Amerikane ka nderuar dy aktorët e filmit “Dallas Buyers Club”, Mattew McConaghey që fitoi në kategorinë për aktorin më të mirë dhe Jared Leto për aktorin më të mirë në rolin dytësor me portretizimin e një transvestiti.  Ky film ka fituar edhe në kategorinë për grimin më të mirë.

Cate Blanchett, që luan rolin kryesor në “Blue Jasmine” mori “Oscar” për aktoren më të mirë, ndërsa somalezja Lupita Nyong’o në filmin fitues “12 Years a Slave” mori çmim për aktoren më të mirë në rol dytësor.

“Faleminderit shumë Woddy që më ke zgjedhur për këtë rol dhe faleminderit që ke përdorur këtë film për të treguar një histori të një gruaje”, ka thënë Blanchett, pasi mori “Oscar-in”.

Përpos zhgënjimit të Leonardo DiCaprios i cili edhe këtë herë dështoi të marrë “Oscar” për portretizimin e agjentit që bën kërdi në “Wall Street” në filmin gjithashtu humbës “The Wolf of Wall Street” të Martin Scorsese, mediat si “The New York Times”, “Los Angeles Times” dhe “The Guardian” kanë kritikuar Akademinë për mosvlerësimin e duhur të filmin “Her” me regji dhe skenar të Spike Jonze.

Filmi që shpërfaqë krizën  nga vetmia duke e lidhur me teknologjinë e së ardhmes fitoi vetëm një Oscar për skenarin më origjinal.

Mbrëmja e ndarjes së  çmimeve Oscar ka qenë e mbushur me plot humor nën modelimin e yllit televiziv Ellen Degeners, e cila përpos që shumicën e prezantimeve i ka bërë nga ulëset, të ftuarve u ka porositur edhe pica. Me shumicën e tyre ka bërë goxha humor, teksa ka bërë me dhjetëra fotografi “selfie” (të vetvetes) të cilat qysh në orët e para të mëngjesit të së hënës kanë qenë më të kilikuarat në mediat sociale.

Ashtu siç edhe ishte parashikuar nga sajti i njohur për kinematografi “The IndieWire”, filmi më i mirë në gjuhë të huaj u zgjodh “The Great Beauty”, teksa animacioni që për tre javë qëndroi në top listën e filmave më fitimprurës “Frozen”, mori “Oscar” në kategorinë  e animacioneve por edhe për këngën më të mirë origjinale “Let It Go”.

Yje të shumta të kinematografisë janë ngritur në këmbë për të nderuar figurën e Nelson Mandela-s kur grupi irlandez “U2” performoi këngën “Ordinary love”  – kolona zanore e filmit biografik “Mandela: Long Walk to Freedom”, ndërsa kanë kërcyer kur në skenë është ngjitur këngëtari Pharrell Williams që ka performuar këngën “Happy”, duke futur në valle edhe aktorët Jamie Foxx dhe Meryl Streep.

Të tjera çmime që u ndanë në ceremoninë duke përfshinë ato për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër që i takoi filmit “Helium”, teksa çmimi për dizajnin në produksion i takoi “The Great Gatsby”.

Oscar për dokumentarin më të mirë në metrazh të gjatë i takoi “20 Feet from Stardom”, ndërsa në metrazhin e shkurtër u nderua “The Lady in Number 6: Music Saved My Life”.

Shkrimi është bazuar në raportimet e “The New York Times”, “Los Angeles Times” dhe “The Guardian”