Rebelet Tregojnë Fytyrën e Vërtetë të Rusisë (TV)

Vetëm katër ditë përpara mbylljes së Lojërave Dimërore Olimpike në Rusi, anëtaret e bendit “Pussy Riot” janë sulmuar nga forcat e sigurimit në Qeveri përderisa tentonin që të performonin nën logon zyrtare të “Sochi Olypics”. 

Anëtaret e grupit që u bënë të njohura në gjithë botës pas performancës kundër presidentit Vladimir Putin në Kishën Ortodokse në Moskë, të mërkurën janë rrahur keq nga policia ruse.

Një video e publikuar nga AP-ja, shfaq gjashtë anëtaret e bendit dhe një djalë teksa tentojnë të performojnë me një kitarë, por ndalohen shpejt nga policia, fillimisht duke u hedhur sprej në fytyrat e mbuluara me maskat tashmë të njohura të bendit. E të tjerë policë shfaqen menjëherë në vendin e ngjarjes, duke i rrahur anëtaret e bendit. Megjithatë, përpos rrahjes me kamxhik dhe alivanosjes së anëtarëve të grupit, askush nuk është arrestuar.

Sic raporton “Telegraph”, më së shumti është rrahur anëtarja e grupit, Nedezhda Tolokonnikova, teksa pa dajak nuk kanë shpëtuar as gazetarët dhe kalimtarët që po xhironin dhunën ndaj “Pussy Riot”-it.

E kjo ka ngjallur reagime të ashpra në Rusi. Disa intelektualë dhe aktivist për të drejtat e njeriut, kanë thënë për mediat ndërkombëtare se ajo çfarë ka ndodhur me grupin “Pussy Riot” gjatë së mërkurës është treguesi më i qartë i asaj se çfarë shteti është Rusia.

“Qeveria ruse ka tentuar këto javë që të tregojë se kinse ne jemi një shtet i lirë ku dhuna nuk tolerohet. Performanca e Pussy Riot ka treguar fytyrën e vërtetë të Rusisë. Një shtet ku as të këndosh nuk të lejohet. Dhe nëse këndon forcat policore të Putinit të rrahin me kamxhik”, ka thënë Aleksandr Tkachev,  për “GlobalNews.ca”.

Tkachev që drejton një grup të aktivistëve për të drejtat e njeriut në Rusi, ka kërkuar që qeveria e Putinit të ndalë veprimet e dhunshme ndaj “Pussy Riots”.

Kanë reaguar edhe yjet e muzikës ndërkombëtare. Këngëtarja Madonna ka shkruar në “Twitter” se reagimi i policisë ndaj “Pussy Riot” është qesharak.

“A jeni duke u tallur? Policia në Rusi rrah “Pussy Riot”, pse po bëjnë muzikë në rrugë. Kjo është Rusia e vërtetë”, ka shkruar Madonna.

E bendi ka publikuar edhe një video në të cilën e ka titulluar “Putini do të ju mësojë se si ta doni vendin” në të cilën ato shpërfaqin krejt performancën dhe dhunën e bërë ndaj tyre.

Shkrimi është bazuar në raportimet e “AP”, “GlobalNeës.ca” dhe “Reuters”