Mbi Librat e Politikanëve Kosovarë

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka ditur të  nxisë leximin dhe të zgjedhë momentet e duhura për publikimin e dy librave të tij, të kërkuara mjaft nga lexuesit. 

Kreu i Kuvendit, me profesion historian, në dhjetor të vitit 2012, kur euforia e festimit të 100 vjetorit vazhdonte, publikoi në Prishtinë librin e tij “Pavarësi dhe personalitete”, ku tregoi për jetën dhe bëmat e 100 figurave të njohura kombëtare. 

“Libri “Pavarësi dhe Personalitete “ i Krasniqit është kërkuar mjaft në këtë librari, sidomos vitin e kaluar, kur u festua 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë”, thotë Besian Zeneli, pronar i librarisë Buzuku. 

Krasniqi diti ta plasojë në treg edhe librin e tij tjetër “Një histori e kontestuar”, të shkruar në vitin 2013 që është kritikë e librit “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” të historianit zviceran Oliver Jens Schmitt. 

Sipas Besian Zenelit të Buzukut, libri “Një histori e kontestuar” ka qenë në top 10 librat më të shitur të librarisë së tij gjatë vitit 2013. Të kënaqur me shitjen e librave të Krasniqit janë ndarë edhe në libraritë Toena dhe Dukagjini. 

Libraritë nuk japin shifra të sakta se sa janë shitur librat e tij.  

Krasniqi nuk ka shënuar se sa ka fitime nga shitja e librave në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion. 


Kopertina e librit të Jakup Krasniqit | Foto: facebook

Krasniqi: Shkruaja..sepse natën nuk e kam çuar nëpër lokale” 

Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se shkrimin dhe leximin e librave e ka pasion. 

Në fakt, deri më tani, Krasniqi ka të botuara 10 libra.  Krasniqi tregon se me shkrime ka filluar të merret qysh para vitit 1981, shkrime të cilat kanë qenë të shkruar në shtypin klandestin ose ilegal, por vetëm pas luftës kishte filluar të merrej aktivisht me shkrimin e librave.  

I pyetur nga Gazeta Jeta ne Kosove nëse shkrimi i librave ka qenë pengesë në angazhimet politike, Krasniqi ka thënë ta ketë shfrytëzuar fundjavat dhe orët e vona të natës për të shkruar.

“Librat studimorë kryesisht i kam punuar gjatë ditëve të vikendit dhe kohës se pushimeve verore dhe në orët e vona të natës, pasi natën nuk e kam çuar nëpër lokale të natës”, thotë Krasniqi. 

 Ai ka deklaruar se ka bërë përpjekje maksimale që shkrimi i librave mos t’i bëhet pengesë për angazhimet politike. 

Megjithatë, ai ka thënë se nuk ndonjë përfitim financiar nga librat e tij. 

“Në vendet me numër të vogël, siç është vendi ynë, nuk ka ndonjë përfitim, përveç nëse të ndihmojnë institucionet e shtetit. Por unë duke qenë i angazhuar në politikë, nuk kam dëshiruar ta kërkoj atë ndihmë. Librat që kam marrë nga botuesi i kam ndarë me shokë e miq. Përfitimi material ka qenë i parëndësishëm”, thotë Krasniqi.

Dy librat e parë të kryekuvendarit janë libri “Kthesa e Madhe – Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, të cilin kishte filluar ta shkruante në vitin 1999, por e kishte botuar në vitin 2006 dhe librin “Kosova në kontekstin historik”, libër që siç tregon Krasniqi, ishte përkthyer në gjuhën angleze dhe u ishte dhuruar diplomatëve të huaj gjatë bisedimeve të Vjenës. 

Ndër librat e tjerë të Krasniqit janë: “Një luftë ndryshe për Kosovën”, “Pavarësia si kompromis”, “Pranvera e lirisë”,  “Guxo ta duash lirinë”,  “Flijimi për liri”, “Pavarësi dhe personalitete”, “Një histori e kontestuar” (një polemikë me Oliver Schmittin në vitin 2013). 

Ai ka thënë se planifikon që të shkruajë edhe ndonjë libër tjetër në të ardhmen.


Visar Arifaj me librin e Begjet Pacollit | Foto: Facebook

Libri i kryetarit lexhendar 

Edhe kreu i Partisë së Fortë, po shfrytëzon minutat e tij të famës, për ta shitur librin e tij, “Thënie të kryetarit Lexhendar Visar Arifaj”, të nxjerrë në treg më 24 tetor. 

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Arifaj ka thënë se libri i tij mund të gjendet vetëm në kafe-librarinë Dit’ e Nat’.

Sipas menaxherit të këtij lokali Arlind Osmanit, botimi i parë zyrtar i “të fortëve” vetëm brenda javës së parë ka mbërritur shitje të 40 kopjeve.  

Arifaj gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të këtij viti u shqua për ironinë e tij. Ai thumboi vazhdimisht veprimet e politkanëve kosovare. 

Isa Mustafa, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, mungonte në debatet zgjedhore ndërsa Arifaj thoshte se po e zëvëndësonte kreun aktual të kryeqytetit.

Megjithatë i njohur për përdorimin e biçikletës, Arifaj që votoi në mëngjesin e 3 nëntorit, fitoren e festoi në mbrëmje në shoqërimin e veturës Porsche. Ai kishte deklaruar gjatë fushatës se kur do të bëhej kryetar do të vozitet me veturë zyrtare dhe jo më me biçikletë. Por, ai humbi në garën për kryetar dhe fitoi votat e duhura për asambliist në Kuvendin Komunal të Prishtinës. 


Behgjet Pacolli, në promovimin e librit të tij | Foto: akr-ks.eu

Librat e Pacollit, Remit e Konjufcës 

Përveç Krasniqit e Arifajt janë edhe disa anëtarë tjerë të politikës që kanë shkruar libra. 

Rrustem Mustafa-Remi publikoi në shkurt të këtij viti librin “Evropë apo në Europë”. 

Një politikan tjetër, zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli, në dhjetor të vitit 2010 publikoi librin “Nga Sfida në Sfidë-Jeta, Behgjet Pacolli”. 

Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufa publikoi librin për Hegelin filozofin e njohur gjerman. 

Ai promovoi në shtator të këtij viti librin  “Huti i Minervës Fluturon në Muzg: G.Ë.F Hegel”. 

Në librarinë Toena, e cila ndodhet shumë pranë fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, politikanët e Kosovës nuk arrijnë të shesin më shumë se 10 kopje gjatë një viti. 

Artin Ahmeti, punëtor në këtë librari, thekson se shitja e librave në përgjithësi, por edhe e atyre të politikanëve bëhet në muajin e parë kur ato publikohen, dhe në atë kohë kryesisht vijnë të blejnë besnikët e vjetër të librit. Më pas, ai thotë se shitja e tyre bie.  

Ahmeti nga Toena thotë se shiten më shumë librat e Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Qosjes, ndërsa si më të pashitur ai ka identifikuar librat e Glauk Konjufces dhe Rrustem Mustafës. 

Në librarinë Dukagjini thonë se disa nga politikanët që nuk shesin numër të madh kopjesh të librave të tyre, nuk denjojnë as t’i dërgojnë ato në këtë librari. 

Magbule Abazi e kësaj librarie përmend Glauk Konjufcën e Rrustem Mustafën, si politikanë që kanë përtuar t’i shfaqin librat e tyre në vitrinat e “Dukagjinit”.

Arlind Osmani, menaxheri i kafe-librarisë Dit” e Nat’, thotë se libri i Behgjet Pacollit, i pranishëm më parë në këtë librari, nuk është shitur thuajse fare.

Si për ironi, kryetari i Partisë së Fortë Visar Arifaj, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë gjatë shtatorit, tha se ka lexuar pikërisht librin e sfidave jetësore të zëvendëskryeministrit. 

Edhe Besian Zeneli i Buzukut, i cili shitjen e librave e bën edhe si shitës ambulant në sheshin “Nëna Tereze”, vlerëson si më pashiturin librin e Konjufcës “Huti i Minervës fluturon në muzg: G.Ë.F Hegel”. 

Konjufca e Pacolli nuk kanë deklaruar përfitime nga shitja e librave në deklaratat e tyre të pasurisë. 

Si duke e ndier që libri nuk do t’i shitej, Konjufca gjatë promovimit të “Hutit…”, në shtator 2013, tha se një mendim i filozofit gjerman Hegel, me të cilin merret në libër, e ka bindur që ta shkruajë veprën e tij. 

“Kam pasur shumë dilema dhe pikëpyetje për sa i përket nevojës se a duhet ta botoj këtë libër, deri në momentin kur e kam lexuar një mendim të filozofit të madh gjerman, e që më ka inkurajuar për ta botuar këtë libër. 

“Gabimi nga frika është më shumë gabim, sesa frikë. Kurrë nuk duhet të frikësohesh për ta ndërmarrë hapin kur përcaktohesh”. Ky është mendimi i Hegelit që më ka dhënë shtytje për ta botuar këtë libër. Konsideroj se kam bërë mirë”, tha atëherë Konjufca. 

Politikanët kosovarë, Mustafa, Pacolli e Konjufca deri në momentet e publikimit të shkrimit, nuk dhanë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, kur u pyetën për fitimet që marrin nga shitja e librave të tyre. 

Mustafa nëpërmjet SMS-së deklaroi fillimisht se nuk e sheh veten të denjë që të flasë për librat e politikanëve. Por, Mustafa nuk pranoi të përgjigjet se sa është shitur libri i tij. 

Jetlir Zyberaj, zëdhënësi i Pacollit, deklaroi se ka njoftuar shefin e tij dhe se do të kthejë një përgjigje. Ai ende nuk ka dhënë përgjigje se sa është shitur libri i Pacollit.  

 
Glauk Konjufca, në promovimin e librit të tij | Foto: kultplus.com

“Libri i Hashim Thaçit do të kalonte Edi Ramën me lexueshmëri”  

Filozofi Astrit Salihu, nuk ua mohon politikanëve mundësinë e shkrimit të librave, pasi edhe vetë ishte pjesë e politikës, kur në zgjedhjet lokale të vitit 2009, garoi me PDK-në për Prishtinën. 

“Sot ka mundësi të pakufishme të botimit të librave dhe ne nuk mundemi që t’ia ndalojmë këtë të drejtë askujt.  Megjithatë, sot mungojnë recensura profesionale që kishin me diskutu për vlerën e librave,” thotë Salihu. 

Sipas tij, politikanët e Kosovës nuk kanë arritur që t’i imponohen publikut shqiptar me ndonjë autobiografi impresionuese, andaj kanë zgjedhur që të shkruajnë qëndrimet e tyre të shprehura gjatë kohërave të turbulencës së viteve ‘90. 

Vetë Salihu, autor i katër librave, mes tyre edhe “Diskursit filozofik të postmodernes” dhe  “Aporive të modernes”, thotë se shkrimi i një libri i merr dy deri tre vjet kohë. 

Librarët prishtinas thonë se më shumë se veprat e politikanëve kosovarë, shiten ato të kolegëve të tyre nga Shqipëria dhe librat e përkthyer të politikanëve të njohur botërorë. 

Sipas Artin Ahmetit nga Toena ndër më të shiturit janë librat “Kurbani” i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, librat “Shqipëria” dhe “Të jetosh në ishull” nga Ben Blushi, deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.  Ai ka përmendur si autor të shitur edhe Paskal Milon. 

Ndërsa në këtë librari por edhe në libraritë e tjera si Dukagjini e Buzuku, shiten mjaft shumë librat e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe të presidentit të ShBA-ve, Barack Obama.  

Filozofi Salihu shpjegon pse ndodh kështu. 

Sipas tij, libri “Kurbani” i Edi Ramës është lexuar më shumë për shkak se Edi Rama është njeri me pushtet në Shqipëri dhe kjo ka rritur kureshtjen e njerëzve për ta lexuar.

Ndërsa, sa i përket librit “Të jetosh në ishull”,  të Ben Blushit, Salihu mendon se ai libër është shitur, meqë romani i tij “prek tema të ndjeshme si religjioni, që në Kosovë deri vonë ka qenë temë tabu, kurse sot është temë e aktualizuar.” 

Salihu, mendon se politikanët e Kosovës do ta përmbysnin rezultatin e keq të shitjes së librave, sikur të shkruante njëri prej tyre. 

“Në rast se Hashim Thaçi do të vendoste të shkruante një libër, ai do të tejkalonte Edi Ramën me lexueshmëri”, thotë ai. 

Astrit Salihu ishte kandidat i PDK-së së Hashim Thaçit për kryetar të Prishtinës më 2009, por nuk arriti ta mposhtte kryetarin aktual Isa Mustafa.

Ndërkaq studiuesi i filozofisë Agon Hamza thotë se politikanët në Kosovë shkruajnë për t’u dukur intelektualë. 

“Arsyeja përse [politikanët] shkruajnë, definitivisht nuk është përfitimi financiar. Arsyeja pse ata shkruajnë është e thjeshtë – pra arsyeja e kompensimit intelektual”, thotë Hamza. 

“Mënyra se si ata dëshirojnë me u pozicionuar prej kapitalit politik dhe financiar në kapitalin kulturor është nëpërmjet vetëinterpelimit në konceptin që ‘edhe ne jemi intelektuale”, shton Hamza.

Sipas tij, arsyeja pse qytetarët refuzojnë t’i lexojnë këto libra, është se qytetarët nuk janë të interesuar të lexojnë “shkresurina dhe “brockulina”.

Hamza ka thënë se “politika është profesion shumë serioz që të merr 25 orë në ditë, dhe fakti që ata gjejnë kohë për të shkruar është absurditet në vete.”