QKK Insiston në Auditimin e Filmave të Financuar

Tri projekte filmike të financuara nga shteti ende nuk janë audituar edhe përkundër kërkesës së drejtorit të Qendrës Kinematografike bërë para më shumë se një viti.

Kërkesa e dytë e drejtorit të  QKK-së Fatos Berisha drejtuar Ministrisë së Kulturës është bërë më 25 prill të këtij viti. 

Nëpërmjet kësaj shkrese kërkohet auditimi i filmave “Kodi i jetës” , “Heroi” dhe “Agnus Dei” të financuar nga QKK-ja. 

Në vitin 2009 Qendra Kinematografike ndau 240 mijë euro për filmin “Kodi i jetës” ndërsa  për filmin  “Heroi” ndau 200 mijë euro.  

Një vit më vonë më 2010 QKK-ja ndau 310 mijë euro për filmin “Agnus Dei”.

Berisha thotë se kërkesë të ngjashme për auditim kishte dërguar në Ministri të Kulturës edhe në prill të vitit të kaluar.

Kërkesa për auditim sipas tij nuk po bëhet për shkak të dyshimeve të bazuara se mjetet e shpenzuara nga shteti janë keqpërdorur nga shtepitë filmike. 

Ai pohon se arsyeja që po kërkon auditim është që të ketë një pasqyrë të saktë të projekteve më të mëdha që i ka trashëguar. 

“Kam ardhur në detyrë në QKK në gusht të vitit 2011 dhe kam dashur që për këto projekte si më të mëdhatë të cilat i kam trashëguar të kem një pasqyrë të plotë për rrjedhën e tyre, natyrisht përfshirë edhe raportet financiare”, thotë Berisha.  

Ministria e Kulturës pohoi se auditimi i filmave do të bëhet së shpejti. 

Veton Firzi, sekretar në MKRS, tha para dhjetë ditëve për Gazetën Jeta në Kosovë se Zyra e Auditimit të Brendshëm do të niste auditimin e projekteve në javën e dytë të këtij muaji. 

Por nuk dihet se kur do të përfundojë auditimi që MKRS pohon se do të kryhet nga njësia e auditimit të brendshëm. 

 

“Kam ardhur në detyrë në QKK në gusht të vitit 2011 dhe kam dashur që për këto projekte si më të mëdhatë të cilat i kam trashëguar të kem një pasqyrë të plotë për rrjedhën e tyre, natyrisht përfshirë edhe raportet financiare. Fatos Berisha

 

Zyra e Auditimit të Brendshëm ka vetëm dy veta staf. Një auditore dhe një drejtor zyre figurojnë në faqen zyrtare të MKRS-së se janë pjesë e Zyrës për Auditim të MKRS-së.

Auditorët e brendshëm kryejnë auditime të rregullta dhe nuk bëjnë publike të gjeturat e tyre siç ndodh me auditimin e jashtëm. 

Auditimi i brendshëm nuk e ka të paracaktuar një periudhë kohore se kur duhet të përfundojë auditimi siç e ka auditimi i jashtëm që publikon zakonisht në qershor-korrik raportet për rregullsinë e vitit paraprak.

Por, vitin e kaluar drejtori i QKK-së kërkesën për auditim ia kishte dërguar Sekretarit të Përgjithshëm në Ministri, që më pas ai ta përcjellë tek  Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. 

“Përgjigja gojore (nga Ministria e Kulturës) më është dhënë se Auditori i Përgjithshëm ka kthyer përgjigjen se për projektet që kam kërkuar auditim duhet të merret Auditori i brendshëm i MKRS-së”, thotë Fatos Berisha, drejtor i QKK-së.

Këtë e thotë edhe ministria. 

Mirëpo, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm tha se gjatë vitit 2012 e as këtë vit nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për auditim nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Filmat nxitën reagime politike 

Vitin e kaluar Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes ekspertëve të saj për kulturë, pati lëshuar një komunikatë për shtyp ku e kritikonte Qendrën Kinematografike të Kosovës për nepotizëm, jo-profesionalizëm dhe mungesë të artistikes, duke marrë shkas nga filmi “Kodi i jetës” i Ekrem Kryeziut. 

LDK-ja në opozitë e pati quajtur Qendrën Kinematografike të Kosovës – që e ka financuar filmin – “Fondacion Thaçi”.  

“PDK-ja, përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës, ose ‘organizatës së saj bamirëse’ për miqtë jokrijues, po u shpërndan para atyre për projekte që nuk i plotësojnë asnjë nga kriteret artistike”, thuhej në këtë deklaratë. 

Në reagimin e saj, Qendra Kinematografike e Kosovës, ua pati kujtuar ekspertëve të LDK-së se vendimi për përkrahjen filmit ishte nxjerrë nga ministri i saj. 

 

“PDK-ja, përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës, ose ‘organizatës së saj bamirëse’ për miqtë jokrijues, po u shpërndan para atyre për projekte që nuk i plotësojnë asnjë nga kriteret artistike. LDK

 

Bëhet fjalë për vitin 2009 kur drejtor i QKK-së ishte Zeqir Hamiti, ndërsa Ministër i Kulturës Valton Beqiri i LDK-së.

Madje, në reagimin e QKK-së thuhej se vet Agim Selimi, i cili ishte në grupin e ekspertëve, ishte në jurinë vlerësuese dhe bartte përgjegjësinë artistike për përzgjedhjen e projektit “Kodi i jetës”.  

Po në këtë reagim QKK-ja pati thënë se për tre filma të realizuar pikërisht në periudhën e Zeqir Hamitit është kërkuar auditim nga Auditori Gjeneral i Kosovës. 

Mirëpo, regjisori i filmit “Agnus dei”, Agim Sopi thotë që filmi është i audituar dhe i gjithë projekti është i mbyllur.

 

Agnues Dei

“Mund ta auditojnë edhe një milion herë”, thotë Sopi. 

“E dinë të gjithë, që gjysma e parave kanë qenë investime private. S’di çfarë probleme të tjera kanë”, shtoi ai. 

Sopi thotë se ka dorëzuar raport financiar të detajuar në QKK për transaksionet e kryera gjatë realizimit të filmit dhe se ka qenë transparent për çdo cent të shpenzuar. 

Edhe Berisha nga QKK thotë që raporte financiare ka pasur.  

Por ai thotë që e ka parë të udhës të bëjë auditim për të pasur pasqyrë më të saktë të projekteve që i ka trashëguar. 

Regjisori i filmit Heroi, Luan Kryeziu tha se nuk është i informuar që QKK ka kërkuar auditim për filmin e tij.

“Nuk kam asnjë problem dhe nuk besoj që do të ketë. Unë i kam dorëzuar me kohë raportet financiare, dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë, meqë s’dua të kem problem me drejtësinë”, tha Kryeziu.

Ekrem Kryeziu regjisori i filmit “Kodi i Jetës” nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës lidhur me kërkesën për auditmit të bërë nga QKK-ja.