Boletini, Tepelena e Perandoria Osmane Ishin Tjera

“Shqiptarët’ kolektivisht nuk i kanë kaluar jetët e tyre duke u ‘rezistuar’ përjetësisht forcave ‘okupuese osmane”. 

“Kjo përbën një paraqitje tërësisht të gabuar të një historie pothuajse 600-vjeçare gjatë së cilës të gjithë otomanët (përfshirë shqiptarët – myslimanë, të krishterë dhe çifutë) bashkëjetonin në mënyra që konsiderohen të ‘pamundura’ sipas kornizave kufizuese ideologjike dhe sociologjike përmes së cilave ne sot i studiojmë marrëdhëniet njerëzore”. 

Ky është konstatimi që jep Isa Blumi, historiani dhe studiuesi i njohur që së fundi ka botuar librin “Rivendosja e otomanëve. Moderniteti alternativ në Ballkan 1800 – 1912”. 

Libri i mbështetur në dokumentet arkivore nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Rumania, Franca, Italia, Zvicra, Britania e Madhe nxjerr në dritë fakte për Perandorinë Osmane në Ballkan dhe ndikimin e saj në Europën Lindore.

“Shqiptarët’ kolektivisht nuk i kanë kaluar jetët e tyre duke u ‘rezistuar’ përjetësisht forcave ‘okupuese osmane”. 

Për historinë që mësohet sot në shkolla e libra të ndryshëm nga popujt e Ballkanit në raport me Perandorinë Osmane, Blumi ka një shpjegim të shkurtë. 

“Shqiptarët, sikur edhe të gjithë popujt e Ballkanit, për një shekull të tërë janë munduar që të retushojnë të kaluarën kolektive otomane”. 

Këtë fakt e ka ilustruar me fotografinë që ka vendosur në kopertinën e librit të nxjerrë në treg edhe nga adresa më e madhe që merret me shitje të botimeve të mëdha -amazon.com.

Fotografia është momenti kur Ismail Qemali, pas nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë, simbolikisht del në ballkonin e tashmë shtëpisë muze në Vlorë dhe shpall “Shqipërinë e lirë e të mosvarme”.

Në këtë fotografi, Ismail Qemali, Kryeministri i parë shqiptar, shihet fillikat. 

Të tjerët si ministrat e delegatët firmëtarë të aktit më të lartë juridik të shtetit shqiptar, janë zhdukur.

“Nëse fotografia shikohet me kujdes, ende mund të shihen gjurmët e atyre që u shlyen nga fotografia e retushuar”, thotë Blumi. “Arsye e kësaj mund të jetë mbase edhe paaftësia e autorit të retushimit”. 

Nëpërmjet fotografisë, historiani Blumi jep dëshminë e parë në librin e tij se si nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës e kaluara është tentuar të ndryshohet, qoftë edhe atë shkrepje të aparatit 

“Nevoja e regjimeve ‘revolucionare’ për të kontrolluar historinë duke e rishkruar atë nënkupton vënien në spikamë të personazheve të cilët ndërlidhen me shfaqjen e partisë në pushtet”, thotë historiani Blumi. 

Ligjëruesi në Universitetin e Leipzigut (Gjermani), për Gazetën Jeta në Kosovë flet për këtë çështje shumë thjeshtë e mjaft shkoqur.

Ali Pashë Tepelena vepronte brenda kornizave osmane

Nga Columbia University (New York) ku ndodhet momentalisht, intervista me Dr. Blumin fokusohet edhe te figurat si Ali Pashë Tepelena e Isa Boletini, që sipas librit të tij, “nuk e kishin brengë kryesore ndërtimin e shtetit shqiptar por sigurimin e pushtetit të tyre përmes gëzimit të përkrahjes së të gjitha etnive që jetonin në vilajetin ose regjionin e tyre”. 

“Shqiptarët, sikur edhe të gjithë popujt e Ballkanit, për një shekull të tërë janë munduar që të retushojnë të kaluarën kolektive otomane”. 

Në libër shkruan se “ata prezantoheshin para Perandorisë Otomane si figura të rëndësishme për regjionin dhe jo si udhëheqës shqiptarë”.

Historiani e studiuesi Blumi thotë se “nocioni i të qenit pjesëtar i një komuniteti që organizohej ekskluzivisht në bazë të gjuhës apo fesë, përbën një paraqitje tërësisht të gabuar të historisë së Ballkanit para vitit 1912”. 

Kopertina e librit të Isa Blumit që shitet në amazon.com

Kështu, për Ali Pashë Tepelenën thotë se kishte ambicie tërësisht brenda kornizave të kontekstit otoman gjatë asaj periudhe të ndryshimit të shekujve e që e bënë atë një nga baballarët e shtetit “grek”. 

“Jo për shkak të politikës së identitetit, por për shkak të institucioneve që i mobilizoi dhe aleancave politike që i krijoi. Sferat e ndikimit të tij kulturor, ushtarak, ekonomik dhe politik nuk ishin të drejtuara në veri (d.m.th. në Shkodër e Prizren) po në pjesën jugore”. 

“Vërtet është lehtë që nocionet e tilla të manipulohen duke krijuar ndërlidhje tërësisht të paqena për epokën tonë”. 

Blumi thotë se megjithatë, marrë parasysh prejardhjen e përzier të tij (që përfshin edhe prejardhjen shqiptare) sot kërkohet që veprimet e Ali Pashës të interpretohen sipas përkufizimeve të periudhës pas Luftës së Parë Botërore. 

“Ky përdorim i thjeshtuar i gjuhës të cilën dyshoj se e kanë shfrytëzuar palë të ndryshme interesi për kohë të gjatë, përfshirë Greqinë dhe Serbinë, mund të konsiderohet anakronizëm”, thotë Blumi. 

“Vërtet është lehtë që nocionet e tilla të manipulohen duke krijuar ndërlidhje tërësisht të paqena për epokën tonë”. 

Isë Boletini dhe biznesi me armë 

Sa për Isë Boletinin, studiuesi Blumi thotë se është një shembull tjetër i asaj se si ideologët e epokës post-otomane janë përpjekur që ta absorbojnë dhe riformulojnë rëndësinë e veprimeve të tij jashtë kontekstit në të cilin Boletini jetonte e që ndryshonte vazhdimisht. 

“Boletini  vepronte në një kontekst regjional që përfshinte edhe shtetin e Serbisë që rishtas ishte zgjeruar dhe përfshinte pjesë të territorit që banohej nga komuniteti i tij dhe me të cilin bëheshin këmbime tregtare”, thotë Blumi. 

“Në fakt, Boletini u dallua për shkak të aftësisë së tij për të shfrytëzuar faktin se jetonte buzë kufirit që ndante Kosovën otomane nga Serbia e cila ishte në ekspansion”. 

“Në fakt, Boletini u dallua për shkak të aftësisë së tij për të shfrytëzuar faktin se jetonte buzë kufirit që ndante Kosovën otomane nga Serbia e cila ishte në ekspansion”.

Blumti thotë se aftësia e Isë Boletinit për të bërë biznes me serbët otomanë, shqiptarët otomanë dhe ata serbë e shqiptarë që jetonin në krahinën e Nishit, që tani bënte pjesë në shtetin serb, nënkuptonte kontrabandimin e ushqimit dhe armëve nga dhe prej këtyre territoreve.

“Kjo e bëri të famshëm atë, por eventualisht kjo e solli deri tek arrestimi i tij e më vonë radhitja e tij si pjesëtar i gardës së pallatit të Sulltanit të Perandorisë Otomane në Stamboll”. 

Në këtë intervistë të historianit e studiuesit Isa Blumi, ai flet edhe për multietnicitetin nën perandorinë Osmane, që në libër e përshkruan si shumë fleksibile, ku njerëzit dinin shumë gjuhë, e që nuk demonstronin dhe aq besnikëri ndaj kombësisë së tyre. 

Blumi: Rishikoni Perandorinë 

Blumi shpalos të dhëna edhe për çështjet më të rëndësishme lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë të cilat historiografia i ka injoruar që nga fundi i Luftës së Parë Botërore.

Ai thotë se shumë myslimanë joturqë u dëbuan me dhunë në Anadoll nga vitit 1912 e tutje, katolikët u eliminuan pothuajse tërësisht ndërsa shumë shqiptarë, turq e sllavë të fesë myslimane, u konvertuan me dhunë në të krishterë ortodoksë.

Blumi shpjegon edhe për arsyet kryesore të mbetjes së Kosovës jashtë shtetit shqiptar pas krijimit të Shqipërisë në vitin 1912 dhe arsyen përse duhet rishikuar pjesë të historisë në raport me Perandorinë Osmane.  

“Përveç të pranuarit dhe integrimit të otomanëve në historinë tonë, shqiptarët gjithashtu duhet të miratojnë plan-programe shumë më të gjera mësimore që do t’u mundësonin që të studiojnë edhe raste tjera të ngjashme në botë, që të kryejnë studime krahasuese të zhvillimeve në epokën e ‘modernitetit’ dhe globalizimit”.

Në këtë rast, Blumi përmend popujt që kanë jetuar në botën otomane dhe atyre në disa vise të Afrikës, Azisë dhe kontinentit amerikan.

“Kjo nënkupton që shqiptarët të mësojnë gjuhë të huaja, të kuptojnë se si ngjashmëritë që kanë viset tjera të botës, për shembull Oqeani Indian dhe Amerika Latine, kanë kontribuar në proceset globale, dhe të mos fokusohen vetëm në Shqipëri apo Ballkan”. 

Kosova si entitet modern merr formë në Ish-Jugosllavi

Historiani thotë se Kosova nën Perandorinë Otomane mbulonte një territor tjetër gjeografik dhe kulturor nga ai që ka sot dhe si e tillë shumë pak i ngjan shtetit aktual. 

“Mund të konsiderohet edhe ironike se si entitet modern me pretendime të mundshme për pavarësi politike dhe shoqërore, Kosova merr formën e saj moderne tek në shekullin XX, do të thotë gjatë okupimit serb”, thotë ai. 

“Origjina e mundshme e Kosovës si realitet politik dhe juridik mund të konsiderohet pjellë e Jugosllavisë, në të cilën nacionalistët serbë konfrontoheshin me rivalë tjerë sllavë (dhe me palët myslimane në vitet e 20ta të shekullit XIX)”, shton Blumi. 

“Me fjalë tjera, Kosova ligjërisht ekziston sot si rrjedhojë se Serbia, përkundër përpjekjeve nga elemente nacionaliste, nuk arriti ta kolonizojë atë tërësisht madje as përmes gjenocidit që kreu në territoret shqiptare pas rënies së Perandorisë Otomane”. 

Intervista e plotë në versionin PDF këtu.

Artikuj tjerë:
Para Perandorisë Osmane u Prek edhe Serbia

Ndryshimi i Historisë Zbut Perandorinë Osmane