Para Perandorisë Osmane u Prek edhe Serbia

Turqia nuk është e vetmja që nën parullën e vëllazërisë turko-kosovare i sugjeron Kosovës ndryshimin e paragrafëve dhe shprehjeve në librat e historisë në raport me Perandorinë Osmane.

Para saj ishte Këshilli i Europës që nën sloganin e integrimit e kishte udhëzuar Ministrinë Arsimit të ndryshonte fjalë e shprehje në raport me Serbinë dhe serbët.

Dhjetë vjet më parë, në vitin 2003, një komision tjetër i MASHT-it kishte rishikuar shprehje e paragrafë të këtyre librave.

Atëherë vendi kishte katër vjet nga lufta me Serbinë. Nga rishikimet e bëra në atë kohë del se “Serbia nuk pushtoi Kosovën”, por këtë e bëri pushteti i saj. Ky pushtet nuk erdhi me “ushtri”.

Nga rishikimet del se nuk ka pasur “rritje të represionit serb ndaj shqiptarëve”. Çfarë ka pasur ishte “rritja e represionit shtetëror ndaj shqiptarëve”.

Këto janë disa nga ndryshimet në librat e historisë më të cilat për dhjet vjet, nga viti 2003, kanë mësuar nxënësit shqiptarë të Kosovës.

Edhe atëherë rishikimet ishin bërë nga një komision profesional, i ngjashëm me këtë të fundit të krijuar për periudhën e Perandorisë Osmane.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar dokumente që vërtetojnë se në vitin 2003 është rekomanduar rishikimi i librave të historisë së klasave të 4, 8, ajo e Popullit Shqiptar për Shkollat e Mesme, Historia e vitit të tretë Gjimnaz dhe Historia e Popullit Shqiptar për vitin e dytë të Shkollave Profesionale.

Më 31 mars 2003, komisioni në përbërje të akademik Jusuf Bajraktarit, profesor doktor Emine Arifi-Bakallit dhe profesor Frashër Demajt, i kishte dërguar Ministrisë së Arsimit propozim-rekomandimet  me ndryshime.

Komisioni në atë kohë kishte propozuar që fjalët “pushtuesi serb” të zëvendësoheshin me “pushteti”.

Në vend të “serb” është vendosur “shtetëror” kur flitet për intitucione, shprehja “antiserbe” është fshirë, ndërsa fjali të tipit “rritja e represionit serb ndaj shqiptarëve” është zëvendësuar me fjalinë “rritja e represionit shtetëror ndaj shqiptarëve”. 

Në librin e Historisë të klasës së 8-të, fjalën “serbe”, komisioni e kishte shndërruar në “jugosllave” kurse në Librin e Historisë së Popullit Shqiptar për Shkollat e Mesme, fjalia “të pushtimit serb” është fshirë.

Në librat e Historisë për vitin e tretë gjimnaz, janë fshirë fjalët “serb”  dhe “ushtria serbe”, kurse pjesa “Lufta e shqiptarëve në Jugosllavi për barazi dhe të drejta kombëtare”, me arsyetimin se ka shumë gabime profesionale, është rekomanduar të hiqet tërësisht.

I njëjti rekomandim është dhënë edhe për Historinë e Vitit të dytë për Shkollat Profesionale ku kapitulli “Lufta për çlirimin e Kosovës”, është propozuar të fshihet tërësisht për shkak të shumë gabimeve.

Ndryshimet e asaj kohe i kujton akademik Mehmet Kraja. “Një gjë edhe më e shëmtuar nga kjo që bëhet sot”, thotë Kraja për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Disa nga ata historianë që i nënshkruan ndryshimet atëhershme në tekstet e historisë, tani dalin në medie dhe shesin patriotizëm dhe dokrra të tjera”, thotë Kraja.

“Dinjiteti intelektual këtu ka kohë që është vënë në dyshim”.

“Investimet sjellin ndikimin”

Për rishikimin e librave të historisë në raport me Perandorinë Osmane, Komisioni i kryesuar nga profesor doktor Shkelzen Raça (historian) ka mbaruar punë në maj të vitit të kaluar (2012).

Ata kanë fshirë fjalë e fjali në shumë libra të historisë nga klasa e 5-të deri në të 13-tën. Ngjyra e kuqe ka prekur edhe librat e historianit Frashër Demaj. Madje pa e pyetur fare.

Profesori Demaj, tash drejtor në Institutin e Historisë, dhe shumë kolegë të tij ishin shumë të zëshëm duke kundërshtuar rishikimin në këtë mënyrë të punës së tyre.

Por dhjetë vjet më parë (2003) Demaj ishte anëtar i një Komisioni të ngjashëm që fshinte fjalë e fjali të librave të historisë të të tjerëve, por në raport me një shtet tjetër. Krahasimin e këtyre dy çështjeve ai e kundërshton.

“Kam qenë në cilësinë e arsimtarit të Historisë që bën vlerësimin e aspekteve të përshtatshmërisë metodiko-didaktike të tekstit e jo te aspekteve shkencore”, thotë Demaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Nuk kam pasur nivelin e kërkuar për të bërë vërejtje të natyrës shkencore”.


Disa besojnë ndryshimet në tekstet e historisë lidhen me investimet aktuale turke në Kosovë

Në dokument shkruan se profesori Demaj ishte anëtar i komisionit në cilësinë e profesorit të historisë nga shkolla fillore “Elena Gjika” në Prishtinë kurse i pari ishte akademik Jusuf Bajraktari.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, doktor Bajraktari pranoi pyetjet nëpërmjet postës elektronike, por përgjigje nuk ktheu.

Historiani Frashër Demaj mohon se dhjetë vjet më parë Këshilli i Evropës mund t’iu ketë bërë presion për të fshirë pasuese të ndryshme në librat e historisë.

“E di që Këshilli i Europës atëherë pat kërkuar të bëhet dallimi ndërmjet ‘pushtetit serb’ (që ka ushtruar dhunë, burgosur, e vrarë shqiptarët) dhe ‘popullit serb’”, thotë profesor Demaj.

“Kjo ishte e tëra dhe për hir të sinqeritetit, te profesorët e përmendur, me aq sa unë kam dëgjuar prej tyre, nuk kanë pasur asnjë lloj presioni nga Këshilli i Europës”.

Dhjet vjet më vonë, edhe Songul Ozan, ambasadore e Turqisë në Kosovë, në dhjetor të vitit të kaluar, kundërshtoi dyshimet se shteti i saj po bën presion ndaj Kosovës për t’i rishikuar librat e historisë.

“Në histori ‘e vërteta’ është e vetme, mirëpo është e ditur se në zbatim të saj mund të ketë versione të ndryshme”, tha Osan për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndryshime të pjesëve të caktuara të librave ka kërkuar gati secili zyrtar i lartë turk që ka vizituar Kosovën, si ai i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu, apo i arsimit, Omer Dinçer.

Akademik Mehmet Kraja thotë se Turqia nëpërmjet investimeve dhe ekonomisë, tenton të imponojë edhe perceptimin për historinë.

“Duke qenë investitori kryesor në tri shtete të dështuara të Ballkanit – në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë -ajo synon t’ua imponojë jo vetëm historinë, perceptimin e saj, por edhe idenë për një perandori të re osmane, e cila do të shtrihej nga Azarbajxhani deri në Bosnje”, thotë akademik Mehmet Kraja.

“Natyrisht që procesi i filluar për të korrigjuar ‘detaje’ nga historia jonë, pra nga tekstet dhe nga materia mësimore, është tërësisht politik dhe lidhet me rolin që ka dhe që dëshiron të ketë Turqia e sotme në Ballkan”, thotë Kraja.

“Kjo është Turqia sipas ideve politike të Dautogllusë, ministrit të jashtëm, i cili që një kohë i imponon ato jo me argumente historike, por me argumente të pastra politike”.

Flasin akademikët e publicistët, jo akademia

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar për në javë të kontaktojë akademikë nga kryesia e ASHAK-ut të marrë qëndrim të tyre institucional për këtë çështje. Të gjithë heshtën!

Akademik Mehmet Kraja, në kapacitetin personal, thotë se e di që Akademia e strukturat udhëheqëse të saj nuk dëshirojnë të quhen të implikuar në këtë çështje.

“Nuk më duket e nevojshme t’i shpjegoj arsyet përse ndodh kjo”, thotë Kraja.

“Mund të jap mendimin tim, që shkon në mbështetje të fuqishme të kundërshtimeve ndaj këtij procesi të imponuar, madje fyes dhe poshtërues për shkencën tonë të historisë, për vetëdijen tonë historike, për inteligjencien tonë, për të gjitha”.

Ai thotë se korrigjimet që kërkohet të bëhen në librat e historisë nuk janë “jashtësore dhe nuk janë detaje të parëndësishme por cenojnë rëndë substancën e vetëdijes tonë historike”.

Kraja shtron pyetje se a kuptohet se çfarë do të thotë ky rishikim.

“Nëse ndërron qëndrim ndaj rolit të Perandorisë Otomane si pushtuese dhe si shkaktare e tragjedisë tonë kombëtare, atëherë duhet të ndryshosh edhe perceptimet tona për pjesën më të madhe dhe më të rëndësishme të trashëgimisë sonë, siç është Rilindja Kombëtare”, rikujton Kraja.

“Dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë, në asnjë mënyrë, sepse do të dalim qesharakë kundrejt fëmijëve tanë, kundrejt vetvetes, kundrejt botës”.


Akademia e Shkencave të Kosovës nuk është deklaruar publikisht për rishikimin

Halil Matoshi, publicist, thotë se çështja e Perandorisë Osmane dhe invadimi i tikave të arbnevet në shekullin 14 është komplekse, por jo thjesht një “barbari aziatike” siç shkruajnë në disa tekste historiogarfë të dobët shqiptarë.

“Autorët më seriozë perëndimorë si Malcolm dhe Bartl, këtë mënyrë të te shkruarit të historisë nga ana e shqiptarëve e cilësojnë si ‘besim popullor’ dhe interpretim ideologjik (komunist) të historisë (Bartl dhe Schmitt)”, parafrazon Matoshi historianët e njohur.

Ai thotë se historiani Noel Malcolm, që e ka shkruar historinë më të besueshme të Kosovës, ka një pozicion më racional për trajtimin e Perandorisë osmane në historiografinë kosovare.

“Sipas tij, rrëfimet për ‘barbarët aziatikë’ etj.’“të gjitha këto pohime apo mëtime janë, në rastin më të mirë, çoroditëse, kurse përndryshe krejtësisht false’. (Kosova, një histori e shkurtë,; fq.96.)”, citon Matoshi

Megjithatë, Matoshi thotë se me rishikimin e historisë nuk mund të merret politika. “Bile ndërhyrja e politikës në këso çështjesh është irrituese dhe thjesht për t’u hedhur poshtë”, thotë ai 

“Njëjtë duhet hedhur poshtë si polikisht jokorrkte edhe kërkesa e shtetit turk në adresë të Prishtinës zyrtare”.

Matoshi thotë se “s’kanë çka lypin qeveritë dhe diplomacitë në çështjet e dijeve shoqërore”.
“Kjo është punë e hulumtuesve”.

Si shembull ai merr rastin gjerman pas Luftës së Dytë Botërore kur ishin formuar komisione dypalëshe shkencore: gjerman-polak, gjerman-çek, gjerman-francez dhe gjerman-izraelit e ku hulumtues dhe historianë të të dyja vendeve bashkëpunonin dhe dialogonin për përmirësime në tekstet shkollore të vendeve respektove.

“Pra për rishikimin e historiografisë punojnë mes vete shumë shtete normale, madje ky është edhe një kriter i Këshillit të Europës”.

Rishikimin e pjesëve të caktuara të librave të historisë, e arsyeton Akademik Mark Krasniqi, por vetëm nëse ka argumente të reja valide për ndonjë ndryshim  dhe që kjo të bëhet nga vetë autorët ose institucionet kompetente vendore.

“Nëse një propozim të tillë për të ndryshuar ndonjë fjalë, ose fjali të formuluar pak më ashpër, për hirë të miqësisë që kemi aktualisht me propozuesit tanë, mendoj se mund të përfillet një kërkesë e tillë, nëse nuk cenohet aspak e vërteta e botuar”, thotë Krasniqi.

“Fjalë e ashpër mund të jetë, p.sh, ‘rrena’, kurse më e butë  ‘gënjeshtra’ përkatësisht ‘jo e vërteta’…megjithëse të gjitha e kanë kuptimin e rrenës së plotë”.

Me peticion kundër rishikimit

Kundër rishikimit të pjesëve të caktuara të Historisë në raport me Perandorinë Osmane janë duke u mbledhur firma për një peticion nga intelektualë të ndryshëm në vend dhe jashtë.

Ndue Ukaj, Ardian Ndreca, Matteo Mandalàn, Lazër Stani dhe Majlinda Bregasi kanë mbledhur më shumë se 500 firma në këtë peticion që do t’ia dorëzojnë zyrtarëve më të lartë institucionalë në Kosovë e Shqipëri.

“Përfshirja në peticion e shqiptarëve dhe atë nga gjitha hapësirat shqiptare, diaspora, arbëreshët e Italisë, është një dëshmi e fuqishme se kundër ndryshimeve arbitrare në histori”, thotë Ukaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Është e gjithë bota shqiptare, sepse ne kemi një histori të përbashkët dhe prekja e saj përbën rrezik të paprecedent”.

Disa nga nënshkruesit janë Kolec Topalli, Francesko Altimari, Jahja Drançolli, Anton Berishaj, Gëzim Alpioni, Iris Elezi, Donika Gervalla-Schëarz, Agron Gjekmarkaj, Kujtim Shala, Uk Lushi, Bardhyl Londo, Agron Tufa, Beqë Cufaj, Maks Velo, Rudolf Markun, e shumë e shumë të tjerë.


Ilustrimi: Kosovo Don’t Forget 1999

Majlinda Bregasi, një nga bashkëorganizatorët e këtij peticioni, thotë se me këtë peticion synohet kundërshtimi i presionit të Qeverisë turke ndaj asaj kosovare për rishkrimin e historisë së tekteve shkollore të mësimit parauniversitar.

“Kjo kërkesë, në këtë formë, është presion i pastër”, thotë Bregasi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ajo thotë se ideja e ambasadores turke në Kosovë, që fëmijëve t’u ofrohen variante tekstesh, është një makijazh politik.

“Kjo do t’u linte dorë të lirë interpretueseve të ndryshëm të prirë nga besime e ideologji të caktuara të aplikonin interpretime në përputhje me ato mendësi”.

Kundër nënshkrimit të këtij peticioni është shprehur historiani i njohur shqiptar, Pëllumb Xhufi, edhe pse e ka pranuar se askush nuk ia ka ofruar këtë mundësi.

“Nëse ka një kërkesë të palës turke për të ‘riparë’ pasazhe të caktuara të teksteve të historisë në Shqipëri ose Kosovë, përse duhet të na kap paniku?”, ka deklaruar Xhufi në gazetën tiranase “Panorama” të 30 marsit 2013.

Ai thotë se tek e fundit, rishikimi i teksteve të historisë është edhe detyrim i vendosur nga Këshilli i Europës edhe vetë Bashkimi Europian ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit.

“Përse të mos e shfrytëzojmë këtë rast edhe ne vetë, për të ngritur problem që kanë të bëjnë me trajtimin e historisë në librat e shkollave turke, greke serbe etj?”, tha Xhufi.

“E dimë tashmë peticione të tilla vuajnë thuajse gjithnjë nga qasje intolerante e përjashtimore”.

Nehat Mustafa, zëvendës ministër i Arsimit thotë se Komisioni i formuar nga MAShT-i, ka përfunduar draftin e parë të rekomandimeve rreth historisë osmane dhe tanimë ato janë në ministri.

“Ndërkohë, gjatë muajit prill do të organizohen debate me mësimdhënës, ekspertë nga fusha e historisë, gjeografisë e albanologjisë, shoqërisë civile”, thotë Mustafa për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sa i përket peticionit, Mustafa thotë se ministria shqyrton të gjitha letrat që u drejtohen duke përfshirë këtu edhe peticionet.

“MAShT do te udhëhiqet nga arsyeja e jo nga ndikimet emocionale qe mund te vijnë si rezultat i peticioneve”.

Më 6 korrik 2011, këshilli i ministrave i Këshillit të Europës kishte nxjerrë një deklaratë të parimeve me të cilat inkurajonte aktivitetet e reflektimit dhe reformimit të mësimdhënies së historisë në kontinent ashtu që të krijoheshin kushte për zhvillim të dialogut ndërkulturor mbi bazën e tolerancës, kujdesit për të tjerët, dialogut dhe trajnimit si qytetarë të përgjegjshëm të gatshëm për mendim personal dhe kritik. 

Prononcimet e plota këtu të:
Akademik Mehmet Krajës
Publicistit Halil Matoshi
Akademik Mark Krasniqit

Më shumë në lidhje me këtë temë këtu (artikulli që ka fituar çmimin artikulli i vitit në fushën e kulturës):
Ndryshimi i Historisë Zbut Perandorinë Osmane

Paralajmërim:
Gazeta Jeta në Kosovë këtë javë do të sjell intervistën ekskluzive me historianin Isa Blumi, autorin e librit “Rivendosja e otomanëve. Moderniteti alternativ në Ballkan 1800 – 1912”.