Drejtori i Bankës Vodhi Paratë e Kishës

Vonesat në përmbylljen e ndërtimeve në katedralen “Nënë Tereza” në qendër të kryeqytetit, të cilat besohet se do të zgjasin dhjet vjet, pjesërisht janë shkaktuar edhe nga vjedhja e rreth 200 mijë eurove që ishin dedikuar për këtë projekt.

Donacionet ndodheshin të deponuara në Bankën Kreditore të Prishtinës (BKP). Ato u zhdukën brenda dy muajsh në fund të 2005-ës dhe fillim të 2006-ës, pak kohë para se kjo bankë të falimentonte.

Ish-bankieri, Anton Dushi, që në këtë kohë drejtonte filialën e BKP-së në Prizren, ia kishte dalë që më lehtësi të vidhte saktësisht 187 mijë e 600 euro.

Ai kishte mashtruar dy punëtorët e tij, Arian Koshi dhe Hajrie Besimi, që punonin si arkatarë, kur u kishte thënë se tërheqjet e të hollave bëheshin për shkak të kërkesës së të autorizuarit të Ipeshkëvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.

Në dhjetor 2005, arkatari Koshi kishte tërhequr të holla tri herë nga llogaria e Don Shan Zefit, pa prezencën e tij. Më 29 dhjetor 2006 kishte tërhequr 50 mijë euro, të nesërmën edhe 50 mijë dhe ditën e tretë edhe 32 mijë euro. 

Ndërsa në janar 2006, Dushi kishte kërkuar tërheqjet nga arkëtarja Hajrie Besimi. Ajo kishte tërhequr 42 mijë euro më 16 janar 2006 dhe 13 mijë e 600 euro më 1 mars 2006. 

Kur bëhet tërheqje në llogari bankare, klienti përveç se duhet të jetë i pranishëm fizikisht në bankë, është i obliguar edhe të nënshkruajë fletë-tërheqjen. 

Drejtori i bankës Anton Dushi, kishte falsifikuar nënshkrimin e Don Shan Zefit, duke bërë dy arkatarët të vihen në lathitje dhe të mendojnë që ishin nënshkruar nga klienti Shan Zefi.

Në këtë rast, drejtori i bankës Anton Dushi, kishte falsifikuar nënshkrimin e Don Shan Zefit, duke bërë dy arkatarët të vihen në lathitje dhe të mendojnë që ishin nënshkruar nga Shan Zefi.

Kur Shan Zefi kishte parë nënshkrimet kishte deklaruar: “Shihet nga qielli se në dëftesat [e tërheqjeve] në mënyrë absolute nuk është nënshkrimi im, por janë nënshkrime të falsifikuara”.

Nga e tërë shuma sa ishte mbledhur, rreth 200 mijë euro, Don Shan Zefi kishte tërhequr vetëm 13 mijë e 500 euro.

Shqetësimet e para rreth llogarisë bankare ai i kishte pasur një ditë para se të falimentonte banka. 

“E kam thirrë në telefon Anton Dushin dhe i kam thënë që më duhet të tërheq dhjetë mirë euro urgjent për nevoja të ndërtimit të kishës”, ka deklaruar përfaqësuesi i kishës.

“Është vikend”, ishte përgjigjur Dushi.

Banka kishte falimentuar një ditë me vonë.

Që nga falimentimi i bankës, Don Shan Zefi ishte takuar “1001 herë” me Dushin për të kërkuar të hollat e kishës dhe ai gjithmonë merrte premtimin e njëjtë nga ai se “paratë do të të kthehen brenda pesë vitesh”

Herën e fundit kur Don Shan Zefi takoi Antonin e pyeti: “Anton, për hatër të Zotit, familjes, miqësisë, nëse ti ke gisht në këtë çështje ma sqaro sepse kemi vendosur të padisim bankën”.

“Unë kur e kam parë lojën, nuk kam pranuar kurrfarë kompensimi dhe nesërmen kam ngritur kallëzim penal” Don Shan Zefi

Dushi i kishte thënë të priste deri më 1 korrik 2012 dhe se ai do t’ia kthente paratë.

Por Don Shan Zefi nuk ishte bindur nga fjalët e tij andaj të nesërmen kishte paraqitur kallëzim penal në prokurori. 

“Unë kur e kam parë lojën, nuk kam pranuar kurrfarë kompenzimi dhe nesërmen kam ngritur kallzim penal”.

Procesi gjyqësor

Aktakuza kundër tre ish bankerëve është ngritur më 11 qershor 2012 nga Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë.

Prokurori Lulzim Sylejmani akuzoi Anton Dushin, Arian Koshin dhe Hajrie Besimin për veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe shpërdorim të pozitës zyrtare.

Dushi, gjatë mbrojtjes së tij, kishte ofruar dy deklarata të ndryshme. Ajo çfarë kishte thënë në prokurori nuk përkonte me rrëfimin e tij që ka bërë në gjykatë.

Versioni në prokurori: “të gjitha paratë në shumën prej 187 mijë eurosh që i kam tërhequr ia kam dorëzuar Don Shan Zefit. I njëjti, personalisht i ka nënshkruar fletë-tërheqjet”. 

Versioni në gjykatë: “tërheqjet janë bërë me urdhër të eprorëve të mi, Hakif Selmani dhe me dijeninë e Don Shaf Zefit. Qëllimi ka qenë që disa klientëve të fortë të bankës të cilët kanë pasur kredi e nuk kanë mundur të paguajnë t’ua japim këto të holla”.

Kur është pyetur nga gjykata për falsifikimin e nënshkrimit, Dushi ka deklaruar se “është nënshkruar nga një punëtor i yni i bankës, momentalisht emri i tij nuk po më kujtohet”.

“Qëllimi ka qenë që disa klientëve të fortë të bankës të cilët kanë pasur kredi e nuk kanë mundur të paguajnë t’ua japim këto të holla” Anton Dushi

Dushi nuk ka sqaruar pse dy deklaratat e tij dallojnë nga njëra tjetra.

I dënuari tjetër, Arian Koshi gjatë mbrojtjes së tij kishte deklaruar se tërheqjet i ka bërë me urdhër të drejtorit të tij, Anton Dushit, dhe se fletë-tërheqjet e të hollave ia kishte kthyer të nënshkruara Dushi 45 minuta pasi i kishte marrë nga Koshi.

Arkatari të hollat ia kishte dhënë Anton Dushit. “Se çfarë ka bërë Anton Dushi me ato të holla, unë nuk e di”, kishte deklaruar Koshi gjatë seancës gjyqësore.

E dënuara tjetër, Hajrije Besimi gjithashtu ka deklaruar se ka zbatuar urdhërat e Anton Dushit kur bëri tërheqjet. “Paratë dhe fletë-tërheqjet zakonisht ia kam dorëzuar në zyrë Antonit dhe më është kthyer e nënshkruar nga Don Shan Zefi brenda ditës”, ka deklaruar Besimi.

Dushi kishte deklaruar: “Ariani dhe Hajria kanë kryer shërbimet që unë ua kam kërkuar por ata kanë përgatitur tërheqjen e parave, vetëm përmes letrave. Paratë kanë qenë në trezor, ata mua fizikisht nuk m’i kanë dhënë”.

Gjashtë muaj pas ngritjes së aktakuzës, më 10 dhjetor 2012, gjykata ka shpallur fajtor të tre ish bankierët.

Anton Dushi është dënuar me tre vjet heqje lirie, ndërsa Arian Koshi dhe Hajrie Besimi me nga një vit heqje lirie i cili nuk do të ekzekutohet në afat prej dy vitesh nëse të dënuarit nuk kryen vepër të re penale.

Lidhur me kthimin e të hollave Ipeshkëvisë së Kosovës, Don Shan Zefi ka deklaruar një javë më parë për Gazetën Jeta në Kosovë se edhe pse është marrë vendim për kthimin e parave, ato ende nuk i janë kthyer kishës.