Berisha Me Të Drejtë Vote Në EFA

EFA është institucion kulmor europian me seli në Berlin, e formuar në vitin 1989 nga 40 kineastë eminentë si Pedro Almodovar, Bernardo Bertolucci, Federico Fellini, Wim Wenders etj, dhe me kryetarin e parë Ingmar Bergman. Tani, Akademia ka mbi 2,700 anëtarë nga industria e filmit evropian.

“Ndihem jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar. Është nder për mua, dhe njëkohësisht edhe vlerësim i punës sime të deritashme në industrinë e filmit të Kosovës”, tha Fatos Berisha. 

Ai shprehet se Këshilli drejtues i QKK-së dhe Ministri i Kulturës Memli Krasniqi e kishin ndihmuar atë për t’u anëtarësuar në këtë Akademi duke e mbështetur punën dhe idetë e tij. 

Kryesuesi i Këshillit drejtues së QKK, Arben Zharku, i cili është gjithashtu anëtar i Akademisë Europiane të Filmit, me këtë rast tha: “Ftesa për anëtarësim nga ana e EFA-s për z.Fatos Berisha tregon njohjen që ky institucion ka për angazhimin e z.Berisha në promovimin e kinematografisë kosovare në arenën ndërkombëtare”. 

Zharku shtoi se ky është nder i madh për Berishën, dhe një shtytje për zhvillimin e industrisë së filmit në Kosovë.  

Blerta Zeqiri ndërkaq tha se ky është lajm shumë i gëzueshëm për Kosovën dhe industrinë e filmit në Kosovë. 

“Sa më shumë që jemi në numër, aq më mirë është për industrinë tonë të filmit, të cilën po përpiqemi ta ndërtojmë”, tha Zeqiri. 

Zeqiri është anëtare e EFA që nga viti i kaluar. 

Ajo tha se përveç tjerave, është shumë e rëndësishme që po përfaqësohemi me njerëz të mirë të cilët e njohin mirë punën në film dhe që na e “zbardhin fytyrën” në Evropë.

Zeqiri tha se ajo personalisht nuk e ka shfrytëzuar anëtarësimin e saj në EFA më shumë se sa për të votuar. “Në vitet në vijim, kur të kem më shumë kohë, do të shkoj nëpër takimet e EFA dhe do të zgjeroj rrethin tim të industrisë së filmit për bashkëpunime në të ardhmen”, tha Zeqiri.

Akademia uvropiane e Filmit, çdo vit zgjedh filmat më të mirë evropian me votimin e anëtarëve të Akademisë, që kulmon me ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve të quajtur European Film Awards. Aderimi i Fatos Berishës shënon kineastin e tretë nga Kosova në European Film Academy. Përveq producentit Arben Zharku që është anëtar nga viti 2011, vitin e kaluar në EFA kishte aderuar regjisorja Blerta Zeqiri.