Kur “Yjet” Punojnë për Rrogë

Djali i aktorit të ndjerë Bekim Fehmiu, Uliksi, në tetor të këtij viti dha një intervistë për televizionin serb B92, rrëfeu edhe një këshillë që ia kishte lënë amanet babai i tij.

Uliksi tregoi se babai i tij e kishte këshilluar shpeshherë duke i thënë: “Duhesh të gjesh një zeje, me profesionin e aktrimit që e ke përzgjedh nuk do të kesh një punë të sigurt dhe gjithmonë varesh prej dikujt tjetër”. 

Dhe kështu kishte vepruar i biri i tij. Ai ka thënë se tashmë ka mësuar zanatin e bukëpjekësit dhe se ka një furrë buke në Amerikë ku edhe jeton.

Njëjtë si Bekim Fehmiu e shohin aktrimin edhe artistët e rinj në Kosovë.

Ata druajnë se është një profesion që paraja është e paarritshme.

Besart Zeneli, një aktor 24 vjeçar, pasi kishte mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës në degën e aktrimit, kishte hapur një “Sandwich Bar”. Pas tre muajsh operimi ai ka mbyllur lokalin pasi që nuk gjeneroi fitim nga ky biznes.

Por, thotë ai, përkundër dështimit në biznes e ka të siguruar ndihmën financiare nga vëllai i tij që punon në Zvicër.

 
Besart Zeneli  

 

Ai ka luajtur në filmin Kati i V-të të regjisorit Ben Apolloni. Ky film i metrazhit të shkurtër morri çmimin “Filmi më i mirë i festivalit” në Nine Eleven të mbajtur në shtator të këtij viti.

Apolloni e vlerëson Zenelin si një aktor të mirë, por përkundër këtij vlerësimi nga regjisori, të ardhurat e tij nga aktrimi për vitin 2012 nuk kanë qenë më të mëdha se 100 euro.

Kështu ai ka planifikuar edhe një herë të provojë fatin që bashkë me gruan e tij, Valire Haxhijajn, po ashtu aktore, si dhe dy kolegë të tij, që t’i gjejë punë vetes.

Plani i tyre parasheh krijimin e një seriali televiziv të zhanrit komedi.

Projekti parasheh angazhimin e një kompanie marketingu për të gjetur sponsorë për të mbështetur serialin i cili sipas tyre do të iu siguronte të ardhura për të jetuar.

“Synojmë para për të jetuar. Nëse dështon projekti duhet të mbështetem tek ndihma financiare e vëllai”, tha Zeneli. “Por duam të bëjmë diçka në profesionin tonë – aktrimin”.

Ekipi nuk mund të udhëtojë për ndeshje

Këto vështirësi shtrihen edhe në sport.

Një ekipi volejbolli në ligën e parë të Kosovës, në prill të këtij viti, i kishte rënë të luante të premten e jo si zakonisht në ditët e vikendit.

Loja nuk u zhvillua. Klubi i Volejbollit “Drita” nga Gjilanit nuk shkoi në Pejë për tu përballur me “Besën”.

Mos-shkuarjen klubi e kishte arsyetuar me faktin se disa prej lojtarëve ishin në punë atë ditë e disa të tjerë në shkollë.

 
Klubi i Volejbollit “Drita”, Gjilan  

 

Lorik Ilazi është trajner i Klubit të Volejbollit Drita për të dy kategoritë – meshkujt dhe femrat.

Ai kallëzon se për klubin përbëjnë problem të madh ndeshjet që parashihen të zhvillohen gjatë ditëve të punës.

“Ne gjithmonë kur kemi ndeshje në ditët e punës, kemi probleme për zhvillimin e ndeshjeve, por mundohemi që t’i lajmërojmë sa më herët lojtarët që punojnë dhe ta përshtatim kohën. Gjithashtu edhe nxënëseve u lëshojmë vërtetime për shkolla”, thotë trajneri Ilazi. “Ka raste edhe kur prapë ndonjë nga lojtarët mungon”.

Ndonjëherë probleme ka edhe me takimet që zhvillohen në ditët e vikendit.

Angazhimet e lojtarëve në punë e në shkollë pamundësojnë stërvitjet e ekipit.

Trajneri i Dritës thekson se më shumë se në gjysmën e përballjeve ekipi ka hyrë i pastërvitur në lojë.

Tek ekipi i meshkujve shumica janë të angazhuar edhe në punë tjera .

“Një nga ta punon ne Universitetin e Prishtinës si asistent, një tjetër në ‘Interex’ si magacinier, dy në fimat e tyre , tre janë studentë, një profesor, dy nxënës të shkollave të mesme. Vetëm tre prej lojtarëve nuk janë të punësuar”, thotë Ilazi.
 
Nga ekipi i femrave, sipas tij, nëntë janë nxënëse të shkollave të mesme, kapitenja e ekipit punon në një organizatë ndërsa dy përforcimet nga Shqipëria janë të vetmet që paguhen nga Klubi i Volejbollit.

Veç përforcimeve nga Shqipëria që marrin nga 300 euro në muaj, edhe kapitenja e ekipit të femrave paguhet nga 100 euro gjatë shtatë muajve të vitit sa ekipi është duke garuar.

Askush tjetër prej volejbollistëve nga të dy kategoritë nuk merr pagë nga angazhimi në klubin e volejbollit.

Vetë trajneri nuk merr më shumë se sa një shumë që varion nga 150 deri në 200 euro në muaj. Këto të ardhura, thotë ai, i siguron nga stërvitja e grupmoshave të reja pasi që prindërit e tyre paguajnë për t’ia mësuar fëmijëve të tyre sportin e volejbollit.

“Këtë punë e bëjë vetëm nga pasioni i madh që kam për këtë sport dhe nga ajo që më është bërë pjesë e trupit dhe nuk jetoj dot pa këtë”, thotë Ilazi.

Por, shton ai, familja e tij qëndron mirë financiarisht dhe e përkrah në këtë aspekt edhe përkundër të ardhurave të vogla nga volejbolli.

Basketbollist e polic. Futbollist e nëpunës i stacionit të autobusëve

Enis Zabërgja vlerësohet si një prej sulmuesve më të mirë të superligës në futbollin kosovar. Ai më herët ka luajtur për Klubin Futbollistik “Hysi” e tash luan për “Trepçën”.

Por, ai nuk fiton shumë para nga golat që shënon në fushën e futbollit.

“Jeta është bërë e shtrenjtë në Kosovë e paguhemi pak. Për këtë duhet të punojë punë dytësore”, thotë Zabërgja.

 
Enis Zabërgja, KF “Trepça”, Mitrovicë  

 

Ai punon në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, përkatësisht tek sektori i informatave për qytetarë.

Aty thotë se punon tri ose katër herë në javë.

“Punoj pasdite në Stacionin e Autobusëve. Por, gjithmonë gjej mirëkuptim nga kolegët e punës të cilët më zëvendësojnë kur duhet të stërvitem”, tregon ai.

Fatin e njëjtë e ka edhe një tjetër sportist që luan për Trepçën. Besnik Azemi luan për klubin e basketbollit të qytetit të Mitrovicës.

“Alo Qendra”, që adhurohet nga Torcida  – siç quhet grupi i tifozëve të ekipit,  në të njëjtën kohë punon edhe si polic patrullues në Mitrovicë.

Për këtë, ai merr pjesë në stërvitjet që i bën klubi pasdite por jo edhe në përgatitjet e paradites.

Azemi planifikon që të vazhdojë të punojë si polic edhe pas përfundimit të karrierës si basketbollist.

Karriera në basketboll, sipas tij, është shumë e shkurtër dhe puna në polici është më e sigurt për të fituar të ardhura gjatë jetës.

Por një gjë thotë se nuk e ka bërë kurrë – të ndëshkojë si polic ndonjë tifoz të ekipit.
 
“Nuk më ka ndodhë asnjëherë sepse janë tifozët më të mirë në botë”, thotë ai për “Torcidat”.

Basketbollisti që pëlqen “Boston Celtics”, një prej klubeve me më së shumti tituj në NBA, vitin e kaluar me ekipin “Trepça” fitoi kupën e Kosovës si dhe titullin kampion i vendit.

 
KB “Trepça”, Mitrovicë