Arti Urban Kosovar Promovohet në Gjermani

Jetik Doli ishte ftuar që të merrte pjesë në këtë ekspozitë në kuadër të projektit “Urban Art Exchange”, të organizuar nga Nita Hasani, e cila aktualisht punon si menaxhere për kulturë në institucionin kulturor Alte Feuerwache në Manhajm.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 4 gusht. Qëllimi i projektit është që t’i japë rastin një artisti të ri, në këtë rast Jetik Dolit, të prezantojë punën dhe talentin e tij në një vend tjetër dhe me këtë rast të krijojë kontakte për një bashkëpunim të mëtutjeshëm.

“Përmes këtij projekti shpaloset ana e freskët urbane e kulturës kosovare. Në kuadër të projektit Urban Art Exchange, Jetiku është ftuar në Manhajm për dy javë. Gjatë këtyre javëve ai e ka mundësinë të njoh dhe të përjetojë skenën artistike të Manhajmit dhe të bashkëpunojë me kolegun gjerman”, ka thënë Nita Hasani, bursisja e dytë nga Kosova e cila merr pjesë në këtë program që nga tetori i viti 2011.

Projekti Urban Art Exchange është duke u realizuar në kuadër të bursës nga Fondacioni Robert Bosch, në kuadër të programit “Menaxher për kulturë nga vendet e Evropës së mesme dhe jug lindore”.  Projekti mbështetet nga Fondacioni Robert Bosch, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës si dhe organizata CEO.