Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca e Ryshfetit për Punësim në Postën e Kosovës

Mungesa e njërit nga të akuzuarit shtyu seancën ku të akuzuar janë shtatë persona për marrje dhe dhënie të ryshfetit për t’u punësuar në Postën e Kosovës në këmbim të mijëra eurove.

Gëzim Curri nuk u paraqit në gjykatore, ndërsa kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti nuk pati zgjidhje tjetër pos ta shtyjë këtë seancë.

I akuzuari i parë i këtij rasti është Gazmend Isufi që ngarkohet se si Drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës në periudhën 2013-2015 ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke u premtuar personave të ndryshëm punësimin e të afërmve të tyre në Postën e Kosovës në këmbim të parave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Isufi ka kërkuar dhe pranuar nga Agim Zeqiri shumën e të hollave prej 5 mijë eurove me qëllim që t’i punësonte të afërmin e tij Rizah Vokrrin në Postën e Kosovës.

Aktakuza Isufin e ngarkon se ka marrë shumën prej 2000 eurove nga Zyhdi Hajzeri punësimin e dhëndrit të tij Gëzim Curri gjithashtu në Postën e Kosovës.

5000  mijë euro të tjera Isufi, sipas aktakuzës, i ka pranuar nga Veton Morina për punësimin e mikut të tij, Izajdin Bytyqi dhe nipit të tij Besmir Krasniqi.

Sipas aktakuzës, Isufi ka pranuar 1000 mijë euro edhe nga Nerxhivane Duka për t’ia punësuar një anëtar të familjes së saj, ndërsa  3000 mijë euro nga Valon Kuçi për punësimin e vëllait të tij Valmir Kuçi.

Të akuzuarit tjerë, Agim Zeqiri, Zyhdi Hajzeri, Veton Morina, Nerxhivane Daka, Gëzim Curri dhe Valon Kuçi nga prokuroria akuzohen për dhënie të ryshfetit.