Nga "vrasja e rëndë në tentativë" në "lëndim i lehtë trupor" Gjykata rikualifikon veprën në shpallje të dënimit

Gjykata e Prishtinës më datë 29.03.2024 e ka gjetur fajtor Ibrahim Qadrakun i cili akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë, sipas prokuorisë për shkak të një mos-marrëveshje të atëqastshme me A. H. më 20.02.2020.

Ky rast është ngritur si vepër penale “Vrasje e rëndë në tentativë” kurse sot gjykata e rikualifikoi në “lëndim të lehtë trupor” dhe i shqiptoi dënim unik prej 3 vitesh.

Ai është dënuar nga trupi gjykues i përbërë nga Naser Foniqi – kryetar, Fatime Dërmaku dhe Ertan Sejfulla – anëtarë.

Rasti sipas Prokurorisë kishte ndodhur në parkingun e “Hotel Grand” në Prishtinë.

Rikualifikimin e veprës e kishte propozuar avokatja mbrojtëse e Qadrakut në seancën e datës 27.03.2024.

Ndaj tij rëndonin edhe akuzat për asgjësim ose dëmtim të pasurisë, pasi me rastin e tentim vrasjes, akuzohej se kishte shtënë me armë në një veturë pronë të “London Taxi” që kishte qenë e parkuar në vendin në të cilin pretendohet të ketë ndodhur ngjarja.

Për lëndim trupor atij i’u shqiptua dënimi me 2 vite burgim; për asgjësim prone – dënim me 3 muaj burgim; kurse për armëmabjtje pa leje u dënua me 1 vit burgim, kështu gjykata i shpalli dënim unik prej 3 vitesh.

Në shpalljen e aktgjykimit, gjyqtari njoftoi se në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Në seancën e datës 27.03.2024, prokurori i rastit Armend Hamiti kishe thënë se është vërtetuar me provat e paraqitura se i akuzuari e ka kryer veprën penale të tentim vrasjes dhe shtoi se është vërtetuar se qëllimi i të akuzuarit ka qenë vrasja e të dëmtuarit.

Qëllimin që ta vriste e kishte mohuar i akuzuari në seancën në fjalë, duke shtuar se ka dërguar edhe njerëz për t’u pajtuar me të dëmtuarin A. H.

“Zotëri gjyqtar, unë deshta veç pak me shtu, se unë njerëz i kam çu këtij (të dëmtuarit) për me u pajtu. I kam kërku falje para trupit gjykues 100 herë. Këta nuk di qysh po e marrin këto “nuk u pendu”… Jam penduar për rastin që ka ndodh, po ai ka ndodh ma. Tash qysh po mendojnë thellë, veç me i ra edhe në gjujë. Këta qysh po thonë “thellë”, nuk di qysh m`u pendu thellë ma ndryshe, veç me ra në gjujë…” – kishte thënë i akuzuari Qadraku.

“Edhe s’kam pasë kurrfarë qëllimi me vra se e kam cek edhe ma herët. E vrave dikë, e vrave edhe veten. Se këta veç ia kanë ni zanin burgut, nuk e din çka asht burgu. Atë gabim mundet me ba veç dikush që s’u kanë në burg kurrë. S’kam pasë as motiv, as kurrfarë qëllimi për vrasje. Ajo ka ndodh, e momentit” – kishte thënë tutje ai.

Avokatja e të akuzuarit Ibrahim Qadraku, Saranda Keqekolla- Sadiku kishte thënë se prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë dashjen dhe kishte propozuar që vepra të kualifikohet nga vrasja në tentativë, në lëndim të lehtë trupor.

“Nuk është arsyetuar dashja direkte. Distanca mes klientit tim dhe të dëmtuarit ka qenë shumë vogël. Po të kishte dashur ta vriste, do ta bënte. Nuk ka elemente të kësaj vepre penale. Propozoj që gjykata ex-officio, nga vrasja në tentativë, ta kthejë në lëndim të lehtë trupor, sipas ekspertizës mjeko-ligjore” – kishte thënë avokatja Keqekolla.

Dënim për të akuzuarin kishte kërkuar edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Merita Stublla- Emini.

“Ajo që nuk mund të harrohet, është vepra që ka ndodhur. Është vërtetuar, e kemi parë të gjithë se është bërë nga z.Qadraku, e ka pritur me armë, e kanë ndjekur pas për ta vrarë. Sms-të  e mëhershëm tregojnë një urrejtje, mllef, për ta lënduar vërtetë shumë. Në rrethanat në të cilat gjendemi, A. H. nuk ka hak, as hile në këtë çështje. Me mirësi e lusim trupin gjykues, t’i kushtojë kujdes rrethanave rënduese, si tendenca, qëllimi i keq, planifikimi, i ka shkuar drejt tij, pas shpinës” – kishe thënë ndër të tjera avokatja Stublla- Emini.

I dëmtuari A. H. dhe pronari i “London Taxi” janë udhëzuar në kontest civil për parashtrim të kërkesës pasurore juridike, kurse tani të akuzuarit, me shpalljen e aktgjykimit i është konfiskuar arma.