Përfitimet e Majme të Artistëve të “Shkupi 2014”

Një nga misteret më të mëdha të projektit ‘Shkup 2014′ ishte pjesa e luajtur nga autorët, veçanërisht artistët dhe krijuesit e skulpturave, monumenteve dhe fasadave.

Përpara vitit 2010, shumica ishin të panjohur për publikun e gjerë dhe në shfaqjet në media ata kanë refuzuar të flasin për pagesat që morën.

“Nuk e di, me këtë merret gruaja ime,” tha Darko Dukovski kur u pyet rreth monumenteve të tij në 2010. Së bashku me gruan e tij, ai ishte autori i dy luanëve në urën Goce Delchev.

“Kur më bëni këtë pyetje, është sikur më mallkoni,” tha Kostantin Janev, autor i dy luanëve të tjerë në të njëjtin vit.

BIRN zbuloi kontratat e nënshkruara me autorët që janë publikuar në bazën e të dhënave të Shkup 2014 i zbuluar.

Llogaritjet e autorëve shpesh përmbajnë shuma të rrumbullakosura, pa listuar detajet se sa punëtorë dhe cilët skulptorë janë punësuar, cili hangar është marrë me qira ose çfarë artikulli i përket kostove më të vogla, të cilat në disa raste arritën shifrën 5000 euro.

Të dhënat e siguruara lejojnë analiza krahasuese se cilët ishin autorët më të paguar, cilat kompani punësoheshin zakonisht për të prodhuar projektimet arkitekturore, si dhe sasitë e paguara te personat fizikë dhe juridikë.

Analiza e dokumenteve tregon pesë autorët kryesorë që morën pagesat më të larta nga projekti Shkup 2014 të cilët janë Valentina Stevanovska, kompanitë Neimar Engineering  dhe Arhitektonika, Zarko Baseski dhe Angel Korunovski.

Më shumë se 130 persona fizikë ose juridik u përfshinë në përgatitjen e projekteve për Shkup 2014. Një e pesta e pagesave totale për të gjithë artistët e Shkup 2014 shkoi për një artiste, Valentina Stevanovska.

Kompensimi total i artistëve të Shkup 2014 ishte 15 milionë euro, një e pesta e të cilës shkoi për Stevanovskan.

Më 6 janar 2012, kur u hap zyrtarisht Harku i Triumfit, ajo qëndroi krah më krah me kryeministrin Nikola Gruevski. “Them se këto sulme ndaj artistëve të pafajshëm të Shkup 2014 i bënë disa prej tyre të famshëm dhe disa të tjerë më të famshëm akoma. Sigurisht, me ndihmën e punës së tyre, por gjithashtu me ndihmën e madhe të kundërshtarëve,” tha Gruevski.

Stevanovska nuk njihej shumë më parë për skulptura publike. Biografia e saj thotë se e vetmja skulpturë ku ajo punoi, përpara se të përfshihej në Shkup 2014, ishte një skulpturë e Ljuben Lape në shkollën me të njëjtën emër në komunën Aerodrom të qytetit.

Stevanovska u diplomua në 2004 nga Fakulteti i Arteve të Bukura. Ajo e mori masterin në 2006 dhe u bë një asistente në skulpturë. Gjatë asaj kohe, ajo filloi të përfshihej në projektin Shkup 2014, duke projektuar Harkun e Triumfit, “Kalorësin Luftëtar” në Sheshin Maqedonia, “Luftëtarin” dhe disa skulptura të tjera.

Njëkohësisht ajo shfaqet si dhuruese e disa monumenteve të ngritura në kryeqytet. Një dhurim personal është monumenti i Boris Sarafov. Në vitin 2014, në shkollën fillore të sapohapur “Aleksandri i Madh”,  u zbulua zyrtarisht një statujë e Aleksandrit 3.5 metra e gjatë, si një dhurim personal i Stevanovskës.

Në të njëjtin vit, ajo dhuroi dy nga shtatë monumentet e reja të vendosura në qendër të Shkupit, të cilat u zbuluan në festimin e 24-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë.

Megjithatë, shtatë monumentet u dhuruan nga Lidhja misterioze Setinci, Popadinci dhe Krushoradi i Florina, me kryetar Tashko Jovanov, i cili ka refuzuar të flasë në publik rreth origjinës së financimit pas dhurimit të kaq shumë monumenteve.

Stevanovska tha për median se ajo i kishte bërë monumentet pa pagesë.

“Nuk mora para, i bëra falas. Një person i moshuar më kontraktoi që t’i projektoja dhe pastaj lidhja mbuloi kostot për realizimin,” tha ajo në shtator 2014.

Pagesat e artistëve përfshinin materialet, qiranë e vendit dhe argjilën

Prej kohësh ka pasur thashetheme se sa janë paguar Stevanovska dhe artistët e tjerë që punuan për Shkup 2014. Për “Kalorësin luftëtar”, monumentin e ndodhur në Sheshin Maqedonia, shuma fillestare ishte 650,000 euro.

Stevanovska tha se kjo sasi përfshinte kostot, ndërsa honorarët ishin rreth 50,000 euro. Disa artistë janë ankuar se pagesat e tyre ishin të papërfillshme, por dokumentet dhe llogaritjet e bëra nga BIRN japin të dhëna për kontratat e tyre.

Duke parë se si i bëri llogaritë Stevanovska për “Kalorësin Luftëtar”, është e qartë se te pagesa e autorit ajo gjithashtu përfshiu kostot e projektimit, materialet, punëtorët, transportin e lëndës së parë dhe më shumë. Dokumenti nuk e listonte shumën për secilën në veçanti. Sipas ish-kryetarit të komunës Centar, Vladimir Todoroviç, autorët nuk raportuan si u shpenzuan paratë.

“Këto ishin kostot që na dhanë autorët dhe ne nuk i kontrolluam nëse janë  faktike, por në negociata komiteti gjithnjë u përpoq t’i ulte dhe të mos i miratonte,” tha Todoroviç në 2013, kur raportoi për projektin Shkup 2014.

“Shpresoj që të gjithë artistët të kenë qenë të ndershëm”, shtoi ai.

Mbetet një pyetje e hapur se si mund të futen punëtorët, materialet dhe qiraja e vendit te pagesa e autorit kur ky nuk jep detaje se si u shpenzuan paratë.

Duke parë kostot e autorëve të tjerë, është gjithashtu e qartë se paratë e shpenzuara për pije, qira hangarësh, punëtorët, transportin dhe të tjera u kategorizuan si honorarë në kontratat me komunën e Centarit.

Për shembull, në ndërtimin e Tsar Samoil, autori Dimitar Filipovski parashikoi 16,200 euro për marrjen me qira të një hangari 300 metra katrorë për nëntë muaj.

Për ushqim, pije dhe kafe ai parashikoi 32 euro në ditë dhe 1000 euro për kosto të tjera. Honoraret për këtë monument janë 20,000 euro dhe bashkëpunëtorët e Filipovskit morën 700 euro në muaj.

Shpenzimet variojnë nga një artist te tjetri. Autori i monumentit “Mbrojtësit maqedonas” parashikoi se ai kishte nevojë për 3000 euro qira dhe 3000 euro ndriçim dhe ngrohje.

Në kategorinë “shpenzime të tjera të vogla për materiale dhe shërbime”, autori futi 5000 euro, pa përmendur se ai mori një pagesë shtesë për punën e kryer. Për pagesën e punëtorëve, Kiril Mukaetov kërkoi 11000 euro, por ai nuk specifikoi sa njerëz do punësonte apo për sa kohë. Mukaetov llogariti se atij do t’i duheshin 79000 euro për të prodhuar punën e tij.

Disa kontrata të tjera me autorët nuk theksonin nëse shuma përfundimtare përfshinte taksat.

Ata nuk bënë monumente, por morën çmime

Në disa nga dokumentet e siguruara prej BIRN, shihej se disa artistë morën një seri çmimesh në kesh për projektet e tyre. Ata nuk i bënë monumentet apo skulpturat, por morën çmime për projektet e paraqitura në kompeticione.

Angel Korunovski, skulptor për Veles, mori 8300 euro vetëm për projektin, ndërsa
Ismet Ramichevic rreth 7,000 euro.

Angel Korunovski mori një çmim prej 3,252 euro në konkurs për projektin e monumentit Tsar Samuil dhe rreth 2,000 euro për të njëjtën arsye për “Hristo Uzunov”, një çmim të tretë prej 1,000 eurosh për “Pavel Satev” dhe një çmim të dytë prej 2,000 eurosh për “Kuzman Josifovski – Pitu”. Kështu artisti nga Veles mori 8,300 euro vetëm çmime.

Darko dhe Elena Dukovski  morën 1,000 euro për projektin e tyre të blerë “Luftëtari”, rreth 820 euro për projektin e “Nikola Karev”, 1,000 euro për projektin e “Kalorësit Luftëtar”.

Zarko Baseski mori rreth 2500 euro çmim për “Luftëtarin”, 3,000 euro bashkë me Jovan Stefanovski Zan, Ivana Stefanovska dhe Goran Stojanovski për “Kalorësin Luftëtar”.

Ismet Ramikevic u nderua me 2,500 euro për “Cirilin dhe Metodin”, për projektin e tij të “Shën Klementit dhe Naumit” që u ble mori 1000 euro dhe çmim të dytë prej 4000 eurosh për “Mbrojtësit maqedonas”. Në total, ky autor mori 7000 euro vetëm çmime.

Për monumentin “Metodi Andonov – Cento,  Aleksandar Ivanovski – Karadare” mori çmim të parë prej 4,800 eurosh në konkurrim. Megjithatë, monumenti u bë nga Dimitar Filipovski i cili fitoi çmimin e dytë prej 3,252 eurosh. Projekti i Aleksandar Ivanovskit për monumentin “Nikola Karev” u nderua gjithashtu me më shumë se 800 euro.

Ishte e pamundur të përcaktohej sa para u shpenzuan vetëm për çmime për artistët të dhëna nga një komitet special i krijuar nën një vendim të Komunës së Centarit.

Sipas dokumenteve që ka BIRN, mund të thuhet se vlera e çmimeve në një konkurs (çmime të para, të dyta, të treta dhe dy projektet e blera) ishte rreth 113,000 euro.