Operacioni ‘Stuhia’: Triumfi i Kroacisë, dhimbja e Serbisë

Anka Bjelivuk ishte 47 vjeçe kur ajo dhe bashkëshorti i saj morën vajzën dhe disa nga plaçkat e tyre dhe iu bashkuan një vargu serbësh që po largoheshin nga shtëpitë e tyre në Kroacinë qendrore më 5 gusht 1995, ndërsa forcat e Zagrebit kishin avancuar me artileritë e tyre të rënda.

“Ne jetonim në komunën Vojnic. Operacioni “Stuhia” tashmë kishte filluar. U larguam nga shtëpia së bashku. Ishim në një traktor. Ime bijë në atë kohë ishte shumë e vogël,” risjell në mendje Bjelivuk.

Që nga ajo ditë 20 vjet më parë, Bjelivuk është një refugjate, – dhe që nga ajo ditë, ajo s’i ka parë më kurrë prindërit e saj, vëllain e saj dhe gruan e tij shtatzënë. Ajo e mori vesh më vonë nga fqinjët e saj se çfarë u kishte ndodhur atyre.

“Ata i goditi një raketë. Kështu u vranë. Kjo ndodhi ndërsa ishin diku në vargun e refugjatëve, diku rreth

Zirovacit (një fshat përgjatë autostradës së Bosnjës), ” shpjegoi ajo.

Trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë.

“Unë nuk e di ende as sot se ku janë ata. Dhe nuk mendoj se do ta mësoj ndonjëherë në jetën time,” tha ajo me zërin që i dridhej.

Të afërmit e Bjelivukut janë ndër 600 serbët e zhdukur gjatë Operacionit “Stuhia”, kur forcat kroate rimorën kontrollin e 18 për qind të territorit të republikës që ishte mbajtur nga rebelët serbë të Kroacisë nga viti 1991. Rebelët serbë u shpartalluan dhe më shumë se 200,000 njerëz, si Bjelivuku, u larguan nga vendi.

Një fitore e diskutueshme

Pikëpamje të ndryshme mbi Operacionin “Stuhia” kanë qenë prej kohësh një faktor përçarës në marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë.

Zagrebi e shikon Operacionin “Stuhia” si një triumf ushtarak që çliroi territorin e tij nga agresioni serb – fitorja kurorëzuese e asaj që Kroacia e quan “Lufta Atdhetare” për pavarësi nga viti 1991 deri në vitin 1995.

“Ajo u zhvillua në mënyrë profesionale dhe madhështore,” tha për BIRN Sinisa Kralj, një oficer i artilerisë kroate, tashmë i dalë në pension, që luftoi gjatë Operacionit “Stuhia”.

“Ne po mbronim vendin tonë. Civilët që vdiqën – në çdo luftë vriten shumë civilë,” tha ai. Ai këmbënguli se nuk pa asnjë abuzim brutal nga ana e serbëve gjatë operacionit.
Kryeministri kroat Zoran Milanoviç gjithashtu e ka përshkruar luftën si “të drejtë, mbrojtëse dhe njerëzore”.

Por për kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç, Operacioni “Stuhia” ishte “shembulli më i madh i spastrimit etnik që prej Luftës së Dytë Botërore”.
Ndërsa Kroacia do të festojë 20 vjetorin e tij këtë javë, Serbia do të përkujtoje solemnisht viktimat.

“Duam thjesht të mbajmë zi për serbët e dëbuar dhe të vrarë dhe asnjë s’na ndalon dot të qajmë për ta dhe të ndezim nga një qiri,” tha Vuçiç.
Këto dy pikëpamje rivale janë pothuajse të pamundura të pajtohen, tha sociologu nga Beogradi Jovo Bakic.

“Problemi është se në Serbi ka ende familje të tëra që u dëbuan nga Kroacia dhe ata njerëz nuk e harrojnë dot atë që u ndodhi atyre. Por për kroatët, Operacioni “Stuhia” është një mit që qëndron në themel të shtetit të tyre,” tha Bakiç.

Krimet nuk ndëshkohen

Bombardimet intensive të forcave kroate më 4 dhe 5 gusht 1995, detyruan dhjetëra mijëra civilë të largoheshin të tmerruar. Gjatë një dite e gjysmë, ushtria kroate hodhi  900 predha vetëm në Knin – qytet i cili shihej si kryeqyteti i regjimit rebel të serbëve të Kroacisë.

Pas largimit masiv të civilëve serbë, ushtria dhe policia kroate nisi shkatërrimin në shkallë të gjerë dhe grabitjen e pronave serbe, duke vrarë 677 serbë, kryesisht të moshuar që kishin mbetur pas, sipas Komitetit Kroat të Helsinkit.

Këto krime u dokumentuan gjerësisht gjatë një gjyqi katër vjeçar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, por provat nuk ishin të mjaftueshme për të dënuar dy oficerë të lartë dhe komandantë ushtarakë të Operacionit “Stuhia”- Ante Gotovina dhe Mladen Markac.

Edhe pse në vendimin e saj fillestar, gjykata e mbështetur nga OKB-ja e dënoi Gotovinën dhe Markacin përkatësisht me 24 dhe 18 vjet burg për organizim të sulmeve të paligjshme mbi civilët në katër qytete kryesore në rajonin e Krajinës së Kroacisë, ky vendim u hodh poshtë në vitin 2012.

Dhoma e apelit e gjykatës të mbështetura nga OKB-ja vendosi se bombardimi i katër qyteteve nuk ishte i rrëmujshëm, nuk mund të vërtetohej asnjë krim dëbimi dhe nuk kishte pasur “sipërmarrje të përbashkët kriminale” që synonte dëbimin e serbëve.

Lirimi nga akuzat i Gotovinës dhe Markacit u mirëprit ngrohtësisht në Kroaci, por në Serbi kjo u pa si një dështim i drejtësisë dhe një fyerje për viktimat serbe.

Pasi u liruan, zyrat e prokurorit në Kroaci dhe Serbi u zotuan se do të vinin drejtësi për viktimat e Operacionit “Stuhia” në gjykatat e tyre, por asnjëra nga të dyja nuk ka bërë shumë për t’i përmbushur këto premtime deri tani.

Sistemi gjyqësor kroat deri më tani ka dorëzuar vetëm një vendim përfundimtar për krimet e luftës të kryera gjatë dhe pas Operacionit “Stuhia”. Ish-ushtari kroat u Bozo Bacelic u dënua në vitin 2014 me shtatë vjet burg për vrasjen e dy civilëve dhe një të burgosuri lufte në Prokljan, pranë qytetit të Sibenikut.
Katë raste të tjera krimesh lufte po vazhdojnë ende në gjykatat në Zagreb. Në vitin 2014, ish-ushtari

Rajko Krickovic u akuzua për vrasjen e dy civilëve serbë dhe djegien e një tjetri të gjallë në fshatin Kijani – çështja e parë që kishte lidhje me Operacionin “Stuhia” në të cilën Serbia dhe Kroaci punuan bashkë në në bazë të një protokolli bashkëpunimi për krime lufte.

Rreth 40 krime të tjera lufte ku përfshihen 200 viktima të lidhura me Operacionin “Stuhia” po hetohen nga prokurorë serbë dhe kroatë. Disa ish-trupa kroate janë dënuar gjithashtu për vrasje pas Operacionit “Stuhia”, por për vrasje të rënda dhe jo për krime lufte.

Jelena Djokic Jovic, një monitoruese e gjyqeve për krime lufte nga OJQ-ja me bazë në Beograd “Documenta”, tha se kjo ishte “një statistikë e dobët ndjekjesh penale” për krime që nuk ka asnjë dyshim që janë kryer.

Ajo e shpjegoi këtë duke thënë se ka ende “një ngurrim për të ndjekur penalisht krimet e kryera nga njësitë ushtarake vendase”, duke shtuar se asnjë anëtar i forcave kroate nuk ishte dënuar për krime lufte gjatë të gjithë vitit 2014.

Jo kthim pas?

Serbët që u larguan nga Kroacia në gusht të vitit 1995 përballen gjithashtu me pengesa të mëdha nëse ata dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, thotë Koalicioni i Refugjatëve Serbë.

Edhe pse qeveria kroate pretendon se rreth 145,000 serbë janë rikthyer, një anketim nga UNHCR-ja, tregoi se vetëm 50,000 janë kthyer vërtet.

Analisti Davor Gjenero tha se deri së fundmi, Zagrebi po bënte më të mirën e tij për t’i ndaluar ata.

“Deri në vitin 2000, rikthimi i refugjatëve pengohej sistematikisht. Pas vitit 200, ky lloj pengimi u zhduk, por nuk ka asnjë rikthim vërtet të qëndrueshëm. Në këto zona janë kthyer vetëm të moshuar, duke qenë s e pjesa më e madhe e këtyre zonave janë shkatërruar plotësisht,” tha Gjenero për BIRN.

“Ky është një fakt për të cilin Kroacia ende refuzon të flasë,” shtoi ai.

Kreu i Koalicionit të Refugjatëve Serbë, Miograd Linta, tha se shumë nga ata që u larguan po luftojnë ende për të drejtat e pronësisë të shtëpive dhe tokave që ata lanë pas.

“Një nga problemet kryesore është problemet e pazgjidhura të pronave”, tha Linta për BIRN.

“Ka rreth 10,000 shtëpi serbësh që janë shkatërruar, rreth 800,000 toka bujqësore në pronësi të serbëve që janë konfiskuar dhe më shumë se 40,000 të drejta qiramarrjeje që u janë hequr pronarëve,” tha ai.
Shumë serbë nga Kroacia shpresuan se ditë më të mira do të vinin pasi vendi t’i bashkohej Bashkimit Evropian, por Linta tha se këto shpresa nuk u realizuan. “Provkemi i serbëve të dëbuar gjatë Operacionit

“Stuhia” vazhdon ende të injorohet,” këmbënguli ai.

Anka Bjelivuk ndërkohë tha se qeveritë dhe media i kujtojnë viktimat vetëm në ditën përkujtimore të përvitshme dhe se premtimet e politikanëve serbë për ndihmë gjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë pasur asnjë rezultat.

“Duket sikur ne nuk ekzistojmë fare. Të gjithë ata që premtuan diçka, gënjyen,” tha ajo.
Bjelivuk druhet se ajo nuk do t’i gjejë kurrë eshtrat e të afërmve të saj që u vranë dhe se asnjë nuk do ta gjejë kurrë se kush i vrau ata.

“Do të doja thjesht të gjeja trupat e tyre, por nuk shoh ndonjë mundësi që kjo do të ndodhë. Asnjë nuk është përpjekur kurrë më parë të gjejë eshtrat e tyre dhe dyshoj shumë se do ta bëjnë tani, 20 vjet më pas,” tha ajo.