Srebrenica: Të vërtetosh një gjenocid

“Si është e mundur që një qenie njerëzore mund të bëjë diçka të tillë, mund të shkatërrojë gjithçka, mund të vrasë kaq shumë njerëz…Imagjinoni djalin më të vogël që kisha, ato duart e tij të vogla… Si mund të jenë të vdekura ato? Imagjinoni pak ato duar, duke mbledhur luleshtrydhe, duke lexuar libra, në shkollë, në ekskursione… Çdo mëngjes zgjohem dhe mbuloj sytë për të mos parë fëmijët e tjerë që shkojnë në shkollë dhe bashkëshortët që shkojnë në punë…”

Këto janë fjalët e një dëshmitareje të mbrojtur në gjyqin e ish-gjeneralit të përgjithshëm të Ushtrisë Serbe të Bosnjes Radislav Krstic, personi i parë që do të dënohej për përfshirje në gjenocidin e boshnjakëve të Srebernicës.

Djali 14-vjeçar iu mor nga krahët e saj në korrik 1995 në Potocari, pranë Srebrenicës. Në fjalët e tij të fundit, djali i saj i tha të merrte çantën e tij, të cilën ushtarët serbë e kishin hedhur në tokë bashkë me sende të tjera që i përkisnin burrave nga qyteti, i cili supozohej të ishte ‘zonë e sigurt’ e mbrojtur nga OKB-ja.

Ata nuk kishin nevojë për gjërat e tyre, sepse në ditët që pasuan, ata u çuan në vende ekzekutimi rreth qyteteve të Zvornikut dhe Bratunacit dhe u vranë.

Si rezultat i një pune të palodhshme nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, prokurorët treguan për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore se si një grup etnik në Evropë ishte vënën nën shënjestër për t’u shkatërruar.

Por hetimi për këtë krim masiv, gjatë të cilit më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbë të Bosnjës – dhe i cili u përcaktuar si gjenocid nga gjykata për krime e lufte e mbështetur nga OKB-ja – ishte shumë kompleks dhe u deshën shumë vite që të përfundonte.

Jean-Rene Ruez, një hetues për prokurorinë e Gjykatës së Hagës nga vitit 1995 deri në vitin 2001, rikujton se detyra e përcaktimit të fakteve mbi Srebrenicën ishte e frikshme që në fillim.

“Skena e krimit është e pabesueshme për nga madhësia – 70 kilometra nga veriu në jug dhe 40 kilometra nga lindja në perëndim … Për nga madhësia, kjo nuk është aspak ajo që dikush mund ta konsideronte skenë krimi,” tha Ruez.

Një vit para Srebrenicës, gjatë një fushate të përgjakshme 100 ditore në vitin 1994, më shumë se 800,000 njerëz u vranë në shtetin lindor afrikan të Ruandës. Vrasjet masive në Ruanda dhe në ish-Jugosllavi çuan në themelimin e gjykatave të mbështetura nga OKB-ja, të cilat u përpoqën të vërtetonin se këto krime arrinin në shkallë gjenocidi.

Kryeprokurori në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ruandën, Hassan Jallow, tha se në mendjen e tij s’kishte pasur kurrë dyshime se vrasjet masive kishin për qëllim asgjësimin e grupeve etnike në vend.

“Ajo që ndodhi, po bëhej para syve të të gjithëve dhe ishte e qartë se vrasjet ishin kryer me qëllim gjenocidal për të eliminuar Tutsit si grup,” tha Jallow.

Në Srebrenicë, vërtetimi i gjenocidit do të ishte më e vështirë. Hetimi ndërkombëtar për masakrat në Bosnjën lindore filloi në korrik 1995 nga Ruez, i cili më vonë u vu në krye të ekipit për Srebrenicën. Ata e nisën punën e tyre bazuar vetëm te thashethemet.

“Ne ishim vetëm dy hetues. U transferuam nga Spliti (në Kroaci) për në Tuzla (në Bosnjë) me helikopter, ku u përballëm me 25,000 refugjatë. Qëllimi ishte të kontrollonim informacionet, thashethemet që pasi serbët e Bosnjës morën Srebrenicën, burrat që ishin ende të zhdukur, ishin vrarë. Në atë kohë, vetëm një i mbijetuar kishte dhënë një deklaratë në polici se ai ishte një viktimë që i kishte mbijetuar një ekzekutimi masiv,” tha Ruez.

‘Gjenocid pa trupa’

Ruez kujton pas disa muajsh, ai mori një hetues të tretë dhe kaloi korrikun dhe gushtin e vitit 1995, duke kontrolluar sa më shumë deklarata ishte e mundur.

“Ne nuk dinim asgjë rreth zonës. Erdha në Gjykatën e Hagës në prill dhe nuk e dija se ku i binte në hartë Tuzla. Të gjithë ishin viktima, të gjithë kishin nga një histori për të treguar. Në kuadër të hetimeve, kishim për të gjetur dëshmitarët më të mirë me një sasi të madhe informacionesh, të cilit kishin parë diçka me sytë e tyre. Na u desh të nxirrnim diamante nga një minierë qymyri. Kjo ishte sfida e verës së vitit 1995,” tha ai.

Pas Tuzlas, Ruez u kthye në Sarajevë dhe iu rikthye analizimit të deklaratave të dëshmitarëve. Deri në tetor të vitit 1995, u bë e qartë se diçka shumë e tmerrshme kishte ndodhur – por duheshin më shumë prova.

“Kisha nevojë të kontrolloja deklaratat dhe kishim problem futjen në skenat e krimit. Duhej të hynim në entitetin serb të Bosnjës, Republikën Srpska, ku i gjithë personeli politik, policor dhe ushtarak ishte ende atje dhe duhet të gërmonim në oborret e tyre për të mbledhur prova kundër tyre,” risjell në mendje Ruez.

Vizitat e para në skenat e krimit në Srebrenicë u organizuan kur sekretari amerikan i shtetit vizitoi Bosnjën, për të siguruar lirinë e lëvizjes.

“I thamë të shkonte në disa vende që donim t’i shihnim, si për shembull shkolla në Grbavci dhe magazina në Kravicë (ku ndodhën masakrat) … Në Kravicë, morëm kampione për të analizuar një material që ngjante si gjak, për të parë nëse ishte gjak njeriu. Një grup mjekësh ligjorë analizuan vendin për një javë me radhë dhe mblodhën me qindra copa provash. Kampione gjaku, lëkurë në mur, gjurmë bombash…” tha Ruez.

“Një i mbijetuar tha se ai u fsheh në një magazinë mallrash, e cila u shkatërrua kur kamionët u futën brenda për të marrë trupat, por mbetjet e kësaj strehëze ishin atje – kjo ishte ajo pjesë e ngjarjeve që konfirmoi tregimin e të mbijetuarit,” shtoi ai.

Andrew Cayley, një prokuror i Hagës në vitet 1995-2005, tha se ai do të përndiqet gjithmonë nga pamjet e Qendrës Kulturore Pilica, ku u ekzekutuan me qindra boshnjakë.

“Në vitin 1999 hyra në atë ndërtesë me Rene Ruez dhe u futëm poshtë skenës. Atje ishte një dërrasë dhe ishte e tmerrshme. Pika gjaku të mpiksur aty ku dikur zhvilloheshin koncerte. Zona u mbyll për katër vjet. Në mure pamë vrima plumbash nga armë automatike. Ato janë nga ato lloje armësh që i përdor kur dëshiron të vrasësh shumë njerëz shpejt. Ishte një vend brutal,” rikujton Cayley.

Por sfida për hetuesit ishte të përdornin vëzhgimet e tyre të skenave të krimit për të krijuar një tregim të asaj që kishte ndodhur, në mënyrë që të mund të përdorej në gjyq.

“Pranë një shtëpie ku kishin ndodhur ekzekutime masive, në pyllin rreth 30 metra më larg, gjetëm gëzhoja municionesh. Pra, ata sollën municione, e vendosën automatikun mbi një trekëmbësh dhe vranë njerëz. Pastaj i hodhën gëzhojat në pyll. Nuk ju garantojë që kjo është ajo që ka ndodhur, por pse do të kishte kuti me municione në mes të asgjëkundit?” pyeti Cayley.

Në fund të vitit 1996, procesi i kërkimit ishte realizuar dhe 90 për qind e vendeve të paraburgimit dhe ekzekutimit ishin analizuar. Zhvarrosjet e para të trupave të viktimave filluan po në të njëjtin vit – por shumë shpejt u bë e qartë se trupat ishin lëvizur nga vendet ku kishin ndodhur vrasjet.

“Kur u zhvarrosën tre trupa, ishte e qartë se vendet ishin trazuar përsëri. Aty ku sipas dëshmive pritej të gjendeshin disa mijëra trupa në fund të vitit 1996, ne gjetëm më pak se 500. Trupat ishin zhvendosur, një zot e di se ku. Kaluam në një fazë të re. Ku ishin trupat? Mbaj mend një artikull në vitin 1996 në gazetën “Newsweek”, titullohej ‘Gjenocidi pa kufoma’, “ tha Ruez.

Për të zgjidhur këtë problem, nga qeveria e Shteteve të Bashkuara u kërkuan pamjet ajrore, pa të cilat vendet e dyta të varrimeve – vendet ku ishin zhvendosur trupat – nuk do të zbuloheshin dot kurrë.

“Në fund të tetorit 1995, autorët e krimeve filluan një operacion të ri, të barabartë në përmasa me operacionin e shkatërrimit të të burgosurve, për të lëvizur të gjithë kufomat, zhvarrosjen e tyre, vendosja nëpër kamionë dhe transportimi i tyre në zona të largëta, të cilat ishin zona lufte, ku kishte mina. Në fund të vitit 1997, kishim 29 varre dytësore. Më falni për shprehjen, por gjetëm mbeturina eshtrash njeriu,” kujton Ruez.

Pastaj filloi një fushatë mohimi që viktimat ishin civilë, tha Ruez.

“Kur ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Madeleine Albright, i tregoi ish-komandantit serb të Bosnjës Ratko Mlladiç fotografitë e varreve, ai pranoi që ato ishin varre, por varre ushtarësh myslimanë, të cilët ishin vrarë në luftime dhe ata kishin qenë të detyruar t’i varrosnin për arsye sanitare. Problemi ishte se kur varret u hapën, gjetën viktima me duart e lidhura pas,” shpjegoi ai.

Cayley kujton gjithashtu përpjekjet e serbëve të Bosnjës të cilët pretendonin se viktimat ishin të gjithë luftëtarë.

“Ne kishim prova mjeko-ligjore dhe serbët thanë se ata ishin luftëtarë, por ata i kishin duart e lidhura. Madje, disa prej tyre kishin edhe sytë e lidhur. Jo të gjithë, por shumë. Një trup ishte në një barelë. Ashtu e gjetëm trupin. Ishte e qartë që ishte luftëtar, por një luftëtar të plagosur. Ky s’është dikush që e vret dhe e hedh në një varr masiv. Ai është një person i mbrojtur … Pothuajse të gjitha kafkat, jo të gjitha, por shumë, kishin nga një vrimë plumbi në pjesën e pasme. Serbët e dinë këtë, por nuk duan ta thonë,” tha Cayley.

Pranim fajësie

Ndryshe nga Srebrenica, hetimi për vrasjet masive në Ruanda u fokusua në dëshmitë e dëshmitarëve sesa provat mjeko-ligjore, e cila solli vështirësitë e veta.

“Njerëzit kishin frikë të dëshmonin, kështu që u desh të krijonim një mekanizëm special mbrojtjeje. Disa dëshmitarë ishin bashkëpunëtorë, disa njerëz të brendshëm, njerëz që dëshmuan kundër kolegëve të tyre. Kishte problem sigurie. Ne kishim me mijëra dëshmitarë,” tha prokurori Jallow.

Si në Ruandë dhe në Srebrenicë, ishte e qartë se vrasjet ishin planifikuar në mënyrë sistematike, e cila i dha indikacione të qarta prokurorëve se ata duhet t’i trajtonin çështjet si gjenocid.

“Vrasjet ndodhën me qëllim për të eliminuar një grup. Objektivat ishin Tutsit. Për shembull, në të gjithë vendin kishte postblloqe të ushtrisë në të cilat ushtria bashkë me partinë në pushtet kërkonin Tutsit. Të gjithë ata që kalonin barrikadën – dhe duhej të kaloje pranë tyre duke qenë se ishin ngado – duhet të tregonin kartën e tyre të identitetit. Në atë kohë, kartat e identitetit kishin një shenjë etnike në sfond. Nëse ishe Tutsi, vriteshe. Edhe nëse thoshe që nuk kishe kartë, vriteshe gjithashtu,” tha Jallow.

Konventa për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit u miratua nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948. Pesëdhjetë vjet më vonë, prokurorët në gjykatat e OKB-së për Ruandën dhe ish-Jugosllavinë u përballën me sfidën për ta vënë atë në zbatim në gjykatë për herë të parë.

Marko Attila Hoare, një historian në Universitetin Kingston në Britani, i cili ka punuar një kohë të shkurtër për prokurorinë e Gjykatës së Hagës, tha se të vërtetosh që është kryer gjenocid, nuk është thjesht një çështje numri viktimash.

“Nëse shikoni në përkufizimin ligjor ndërkombëtar të gjenocidit, ai nuk thotë thjesht vrasje si një lloj krimi, por gjithashtu edhe ndalim lindjesh brenda një grupi. Pra, në teori, mund të kryesh gjenocid pa vrarë asnjë nëse sterilizon të gjithë anëtarët e rritur të një grupi. Pra, gjenocidi nuk është një çështje shifrash, por qëllimi për të shkatërruar një grup,” tha Hoare.

Prokurori Cayley thotë pse në vitet 1970, brenda një periudhe kohore prej tre vitesh, u vranë më shumë se 1.8 milion njerëz nga Khmer Rouge i Kamboxhias, ai nuk ishte gjenocid, sepse ata u vranë për arsye politike dhe jo mbi baza raciale, etnike apo kombëtare.

“Objektivi duhet të jetë një grup etnik, racor apo fetar. Në Srebrenicë ne e kishim këtë. Ata ishin të gjithë boshnjakë myslimanë. Ne e dinim se të gjithë boshnjakët nga Bosnja nuk ishin vrarë në Srebrenicë, por e dinim dhe besonim se popullsia boshnjake nga Srebrenica – meshkujt – për shkak të strukturës patriarkale të popullsisë, ku gratë mbështeten te meshkujt, e dinim që ky ishte shkatërrim i grupit,” tha ai.

Ish-prokurori i Gjykatës së Hagës Geoffrey Nice, i cili punoi në çështjen kundër Sllobodan Millosheviçit midis viteve 1998 dhe 2006, tha se problemi më i madh për të provuar gjenocidin është të tregosh se i pandehuri kishte si qëllim të shkatërronte një grup të tërë etnik.

“Të pandehurit zakonisht nuk flasin publikisht për atë që ata planifikojnë të bëjnë,” shpjegoi Nice. “Këtë kishim edhe në rastin e Millosheviçit. Ai foli pak, në mos asgjë fare, e cila tregonte për qëllimin e ti. Pra, duhej të arrije te qëllimi i tij duke u nisur nga veprimet e tij. Kjo ishte e vështirë për t’u vërtetuar.”

 

Trashëgimia e gjykatave

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë deri tani ka dënuar 14 persona për gjenocid dhe krime të tjera të lidhura me Srebrenicën si rezultat i hetimeve të gjera dhe shumë komplekse që u kryen.

Ish-shefat politikë dhe ushtarake serbë të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç janë ende në gjykim, ndërkohë që ish-udhëheqësi jugosllav Sllobodan Millosheviç vdiq para se të merrej vendimi i tij. Gjenerali serb i Bosnjës Momcilo Perisic u shpall i pafajshëm. Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën dënoi 61 persona për gjenocid.

Hoare, historiani, tha se kanë të dyja gjykatat kanë dhënë vendime me baza.

“Mendoj se gjykata e Ruandës kishte një punë më të lehtë. Gjenocidi ishte më i lehtë për t’u vërtetuar – ishin vrarë më shumë njerëz. Ata dënuan zyrtarët më të larta dhe ishin më të suksesshëm. Megjithatë, ata u përballën me një sistem i cili u mposht dhe Gjykata e Hagës u përball me regjimet në Serbi, Republikën Srpska dhe Kroaci, të cilët ishin në pushtet dhe kjo ishte më e vështirë,” tha ai.

Jallow të dyja gjykatat do të mbyllen brenda dy vitesh, por trashëgimitë e tyre do të jenë të rëndësishme për përballje me krime të tjera të kryera në konflikte të ardhshme.

“Mund të shohim zyrtarë të lartë të ndiqen penalisht, të cilët në të kaluar do të shëtisnin të lirë. Këto dy gjykatat janë të rëndësishme për jurisprudencën e të drejtës penale ndërkombëtare. Si përfundim, me sukseset dhe dështimet tona, ne mësuam gjykatat kombëtare si të bëjnë ose mos bëjnë disa gjëra,” tha ai.

Një tjetër gjë e rëndësishme, tha Jallow, është se gjenocidi në Ruanda nuk po mohohet – vendi ka miratuar një ligj për ndalimin e mohimit të tij. Megjithatë, gjenocidi në Srebrenicë mbetet një çështje debati i nxehtë midis serbëve dhe boshnjakëve.

Ish-prokurori i Gjykatës së Hagës tha se mbetej për t’u parë çfarë mësimesh do të nxirreshin nga faktet e vërtetuara nga dy gjykatat.

“Ne përcaktuam nivelin e provave të kërkuara për të vërtetuar gjenocidin. Treguam si si ndodh, si të ndihmojmë në parandalimin e këtyre krimeve, reduktimin e tyre ose dekurajimin e autorëve të krimeve. Pyetja është, a do të mësojnë njerëzit nga kjo? Nuk e di se çfarë do të mësojnë, pasi deri më tani nuk kanë mësuar asgjë,” tha ai.

“Nëse do të kishin mësuar, nuk do të kishim Srebrenicën, Ruandën apo Kamboxhian … Por është e rëndësishme të kemi këto informacione nëse raca njerëzore ndonjëherë vendos të përdorë intelektin e saj të lartë për të reshtur së bëri atë që ka bërë deri më tani.”

Vrasje sistematike

Sipas Caley, natyra sistematike e vrasjeve në Srebrenicë ishte jetike për të vërtetuar që ishte kryer gjenocid.

“Ishte më sistematike në Srebrenicë sesa kudo tjetër në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës. Nuk po them se në vendet e tjera nuk kishte ndonjë plan, por në Srebrenicë kishte shumë planifikime, të cilat mund t’i vërtetonim nëpërmjetë bisedave të përgjuara në Ushtrinë Serbe të Bosnjës, e cila identifikoi grupe të burgosurish që ishin çuar në vende ekzekutimi.

Një mënyrë të tillë e përqendruar vrasjeje nuk ishte e dukshme në pjesë të tjera të vendit,” shpjegoi Cayley.

Një faktor i rëndësishëm për të vërtetuar që në Ruanda kishte ndodhur gjenocid ishte pranimi i fajit nga disa të dyshuar, shpjegoi prokurori Jallow.

“Pati disa raste pranimi faji. Duke filluar nga kryeministri, kreu i qeverisë së përkohshme, ai pranoi gjenocidin. Tetë ose nëntë e pasuan atë. Rrëzuam disa akuza, por jo ato për gjenocid. E vetmja gjë që nuk është pranuar kurrë ishte dhuna seksuale, edhe pse ajo ishte e përhapur,” tha ai.
Në ish-Jugosllavi, disa nga pranimet e fajësisë nga ana e të pandehurve i kanë dhënë hetuesve prova të reja.

“Falë (të pandehurit) Drazen Erdemovic (një kroat që luftoi për Ushtrinë Serbe të Bosnjës), ne analizuam dhe mësuam se çfarë kishte ndodhur në Qendrën Kulturore Pilica … Pa atë nuk mendoj se do ta kishim gjetur këtë vend. Askush nuk mbijetoi, kështu që nuk kishte dëshmitarë. Asnjë vendas nuk do ta pranonte kurrë këtë,” tha Ruez.


Artikull i marrë nga reporter.al