Ishujt kërkojnë drejtim në një det me dallgë

Njëqind e tetëdhjetë e tre shkallë. Ky është udhëtimi i përditshëm i Zvonimir Škvorčević – nga themelet deri në majë të farit më të lartë në Adriatik.

Fari Veli Rat qëndron në cepin veriperëndimor të Dugi Otok (Ishulli i Gjatë) përgjatë brigjeve dalmate të Kroacisë. Një nga faret më të bukura në rajon, kulla 42 metra e lartë është e rrethuar nga pyje, një kopsht i vogël dhe një kishëz dedikuar Shën Kollit, si dhe detit të kaltër qiellor përtej të cilit mund të dallosh konturet e Italisë gjatë një dite të kthjellët.

Zvonimir ka qenë përgjegjësi për farin që prej 24 vjetësh por ai është rritur shumë larg brigjeve dhe nuk pati parë kurrë det me sy deri sa mbushi 25 vjeç.

“Si adoleshent unë nisa ëndrrën time për një jetë mes natyrës, një shtëpi të vogël, grua, fëmijë… unë kapa shansin e parë që më doli,” thotë ‘Zvoni, përgjegjësi i farit’, siç e quajnë banorët vendas.

Stili i jetesës që joshi Zvonimirin një çerek shekulli më parë është ende shumë joshës për banorët e ishujve dhe për miliona turistë që udhëtojnë në Kroaci çdo verë. Ishujt ofrojnë panorama të mrekullueshme, diell të bollshëm, erë deti dhe jetë të qetë e të ngadaltë.

Por banorët e ishujve përballen gjithashtu me sfida ndërsa mosha e popullsisë së tyre dhe vendndodhja e largët i bën ato më pak tërheqëse si vendbanime për të rinjtë.

Zvonimiri jeton në një shtëpi në themel të farit me bashkëshorten e tij Danijela dhe dy djemtë e vegjël. Ai përkujdeset edhe për kopshtin dhe ullishten aty pranë.

Pavarësisht se pi shumë duhan, ai i ngjit shkallët e farit me lehtësi, duke u ngadalësuar për të pritur një vizitor të ri të cilit i merret fryma gjatë ngjitjes.

Ai bredh këmbëzbathur përgjatë të gjithë verës. Nga fundi i majit ai sakaq është nxirë nga dielli dhe vishet me një bluzë të vjetër e xhinse të rrjepura. Ai ka një buzëqeshje të ngrohtë që duket sikur nuk i largohet kurrë nga fytyra dhe i flet butë dy djemve të tij të vegjël. Por një farë shqetësimi dallohet në zërin e tij kur flet për fëmijën më të madh, Ivanën, një vajzë nga martesa e tij e dytë.

Ivana qëndroi me Zvonimirin pas divorcit të prindërve të saj dhe ndoqi shkollën fillore në fshatin Bozava, 17 kilometra larg farit. Tashmë për të është koha të shkojë në shkollë të mesme, gjë që do të thotë se asaj i duhet të shkojë në kryeqendrën e zonës, Zadarin, rreth 35 kilometra më larg.

Zvonimiri dhe banorët e tjerë të zonës kanë dëshirë që transporti të ofrojë lidhje më të mira, më të lira, më të shpeshta përmes trageteve dhe varkave taksi në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të jetojnë në ishuj dhe të shkojnë për punë në kontinent.

“Ah sikur autoritetet të kuptonin se izolimi është problemi ynë më i madh,” thotë ai. “Kompanitë e trageteve që transportojnë njerëzit nga toka në ishuj dhe sërish në tokë ankohen për numrin e vogël të pasagjerëve – a thua se nuk e kuptojnë se gjithçka do të bëhet më keq nëse nuk ndryshon asgjë.”

Turizmi ka lënë në hije bujqësinë dhe peshkimin për t’u bërë industria kryesore e ishujve të Kroacisë por jo gjithmonë kjo është e mjaftueshme për të mbështetur fshatrat të lulëzojnë përgjatë të gjithë vitit.

Veli Rati është fari më popullor në Kroaci që ofron akomodim për turistët. Pushuesit zënë dy suitat e farit për 36 javë në vit deri sa koha bëhet e ftohtë.

“Të gjithë dëshirojnë të jetojnë në një far, e duan natyrën, e duan jetën… gjatë verës. Ata mendojnë se dimri në ishull është romantik, por zakonisht heqin dorë që me shiun e parë të vjeshtës,” thotë Zvonimiri. 

Nga të 1,244 ishujt e Kroacisë, 67 janë të banuara, 47 përgjatë të gjithë vitit. Rreth 125 mijë njerëz jetojnë në ishuj sipas censusit të vitit 2011.

Por ka gjithnjë e më pak të rinj mes tyre. Më 1953, më shumë se 26 për qind e banorëve të ishujve të Kroaciisë kishin moshën nën 14 vjeç. Më 2011, fëmijët ranë në 13 për qind të popullsisë.

Rreth një e katërta e popullsisë së Kroacisë sot është mbi 60 vjeç por në ishuj popullsia e moshuar përbën 30 për qind, sipas një analize demografike të publikuar vitin e kaluar nga Ivo Nejašmić, një profesor i gjeografisë në Universitetin e Zagrebit.

Familjet e fareve

Më 30 qershor, banorët e ishullit të Korculës festojnë Natën e Gjysmës së Vitit të Ri” – një festë e madhe që vazhdon përgjatë të gjithë natës në lokalet dhe rrugët e qytetit kryesor. “Imagjinoni se si duket këtu kur vjen Nata e Vitit të Ri, ajo e vërteta”, thotë një turist irlandez që po kërcen aty pranë i maskuar. Aktualisht kjo është më e mira e mundshme. Festimet gjatë dimrit janë shumë më modeste, me shumë më pak njerëz.

Pas një nate të gjatë, atmosfera është pak e qetë në një varkë që është drejtuar për të dalë nga porti në orën gjashtë të mëngjesit. Varka i kërket Plocput, kompanisë shtetërore që operon dhe mirëmban 46 faret e Kroacisë. Mes atyre në bord janë Ivo Šain dhe Tomislav Žuvela, që të dy roje faresh dhe fëmijë rojtarësh faresh.

Që të dy e dinë e puna nuk është e lehtë por ofron një punësim të mbështetur nga shteti dhe të sigurtë për të gjithë vitin. Nuk ka shumë punë të tilla nëpër ishuj.

Tomislav, 32 vjeç, po udhëton për te ishulli Palagruza, i cili gjendet më pranë brigjeve italiane se sa atyre kroate, ku fari është e vetmja ndërtesë e banuar. Ai po bashkohet me babain e tij Nikolla për një turn njëmujor. Në këtë periudhë të vitit, Marija, bashkëshortja e Nikollës dhe nëna e Tomislavit, është gjithashtu bashkë me ta.

Kur varka i afrohet Palagruzës, një varkë më e vogël merr Tomislavin dhe disa pasagjerë të tjerë. Ajo drejtohet me shpejtësi për te ishulli duke ndaluar prerazi në plazh dhe duke i lënë pasagjerët të kërcejnë për në breg. 

Vendosur mbi një shkëmb 100 metra mbi nivelin e detit, ndërtesa e farit është e gjerë, një strukturë imponuese guri me 40 dritare dhe me grila jeshile. Ndërtuar gjatë sundimit austriak më 1875, ajo synonte të ndriçonte rrugën e udhëtarëve që hasnin për herë të parë Perandorinë Austro-Hungareze.

“Ne kemi qëndruar këtu me shkëputje për 35 vjet. Ky ishull u bë pjesë e imja dhe unë dashuroj çdo metër të tij në çdo periudhë të vitit,” thotë Marija në kuzhinën e farit. Ajo erdhi me pushime në Korcula si një vajzë e re, ra në dashuri me një roje fari dhe rriti një roje tjetër fari.

Jeta në ishull ka qenë e mirë për të. Ajo shfaq herë pas here shenja kënaqësie dhe duket më e re se sa 60 vitet e saj. Ajo flet ngadalë dhe qetë, pa gjeste të panevojshme.

Bashkëshorti i saj Nikolla, 57 vjeç, e ndihmon për të marrë furnizimet që ka sjellë djali dhe dërgon poshtë shishe qelqi bosh duke përdorur një çikrik që lidh farin me varkën poshtë.

“Nëse nuk do të qe mirë për ne këtu, nuk do të kishim qëndruar kaq gjatë,” thotë ai. Ai është i lumtur që edhe djali ka marrë profesionin e tij.

“Qe dëshira e tij të bëhej roje fari dhe a mund të mos jem i lumtur unë? Gjithsesi, është më mirë që ai të bëjë këtë punë se sa një punë tjetër që pati menduar një herë,” thotë ai.

“Ai dëshironte të bëhej një pirroteknik,” thotë Nikolla, duke buzëqeshur i çliruar.

“Isha me fat për shkak se familja ime qe me mua për shumicën e kohës. Kur fëmijët shkuan në shkollë, qe e vështirë. Unë isha vetëm këtu, dy muaj në far dhe dy muaj me ta. Ne takoheshim më shumë gjatë verës,” thotë ai.

“Kjo punë është si të jesh marinar. Ajo të futet nën lëkurë dhe kështu ti nuk jeton dot pa të. Dhe të duhet të dashurosh detin. Nëse nuk e bën, atëherë nuk është punë për ty.”

Fillimi i turnit të Tomislavit në far lejon Vojo Šain, 50 vjeç, të mbyllë turnin e tij. Thatanik, atletik dhe me flokë të errët, ai merr shtegun drejt plazhit për të udhëtuar pas drejt Korculës.

Fqinjët ngjitur

Gjatë rrugës së kthimit, varka ndalon për të shkarkuar furnizime në ishullin Susac. Popullata: dy roje fari dhe një bari. Një nga këto roje fari është djali i Vojos, Ivo, i cili pati ndaluar aty për të nisur turnin e tij më herët atë ditë.

“Djali im dhe unë jemi ‘komshinj ngjitur’ dhe ne nuk na bie kurrë të shohim njëri-tjetrin. Unë jam i lumtur që ai ia doli të marrë këtë punë. Me dy fëmijë të vegjël, dhe me prejardhje nga një ishull, kjo është një zgjidhje e mirë,” thotë Vojo.

Babai dhe djali ndajnë disa lotë të fshehtë dhe përqafime të forta. Ata pyesin dhe i përgjigjen pyetjeve në të njëjtën kohë. Fjalët e tyre janë të thjeshta dhe të zakonshme por kontakti i syve nuk ndërpritet kurrë.

“Hej! Si ia kalove?”

“Si zakonisht, babi.” 

Ivo është roja më i ri i farit në Adriatik. Ai është vetëm 22 vjeç dhe sakaq ka një bashkëshorte dhe dy vajza të vogla.

“Vajza e vogël është dy muajsh ndërsa e madhja, një vjeç e gjysmë. Sapo ajo mësohet me praninë time, mua më duhet të bëj gati plaçkat dhe të iki. Jam si i huaj sa herë që kthehem në shtëpi në Korcula. Por do të mësohem me këtë, të gjithë do të mësohemi me këtë…” thotë Ivo.

Çfarë tha nëna e tij për të kur u bë roje fari kur sakaq kishte një roje fari në familje?

“Aktualisht, prindërit e mi janë të divorcuar. Dhe kjo për shkak të farit. Por e gjitha varet nga çfarë lloj njerëzish jemi. Jo të gjithë ata që punojnë në fare divorcohen, dhe jo të gjithë ata që jetojnë bashkë [gjetkë] nuk divorcohen,” thotë ai.

Grekët përballen me dilemat ishullore

Kroatët nuk janë europianët e vetëm që përpiqen të gjejnë mënyrën më të mirë për të mbajtur jetën ishullore në shekullin e 21. Me rreth 6 mijë ishuj, 227 prej të cilave të banuara, Greqia po përballet me sfida të ngjashme, të tilla se si mund të nxitet turizmi dhe zhvillimi ekonomik ndërkohë që duhet të mbrohet mjedisi dhe traditat vendase.

Serifos, pjesë e grupit të ishujve të Cikladeve Perëndimore në Detin Egje, ka parë ndryshime të mëdha përgjatë dekadave të fundit.

“Këtu dikur nuk kishte rrugë, as energji elektrike, as makina dhe as turizëm. Qe një vend mitik për ne, ku mund të gjendeshim absolutisht të lirë,” thotë Ioannis Spilanis, një profesor universiteti që kalonte verën gjatë fëmijërisë në Serifos dhe që vijon të kalojë aty shumicën e kohës së tij të lirë edhe sot.

Në gjysmën e parë të shekullit të 20, shumë njerëz në Serifos punonin në një minierë hekuri. Sot shumica e nxjerrin jetesën nga turizmi dhe ndërtimi. Numri i shtëpive në ishull është dyfishuar në 30 vitet e fundit, ku shumica e shtëpive të reja është ndërtuar për t’iu dhënë me qira turistëve, thotë Spilanis.

Spilanis është profesor në Departamentin e Studimeve Mjedisore në Universitetin e Egjeut. Ai jeton në ishullin e Lesbos dhe ia ka kushtuar shumicën e karrierës së tij studimit të ishujve, ekzaminimit të zhvillimit ekonomik, mjedisit, planifikimit dhe turizmit.

Ai dhe kolegët e tij po punojnë për të krijuar një sistem që do të mund të masë ndikimin ekonomik dhe shoqëror të turizmit në mënyrë të detajuar – deri se sa ujë konsumojnë turistët dhe sa mbetje gjenerojnë ata.

Vetëm pas kësaj, mendon Spilanis, do të jetë e mundut të përllogaritet se edhe sa do të mund të zgjerohet turizmi para se kostot të jenë më të mëdha se sa përfitimet.

Ai thotë se zhvillimi aktual i ishujve të Greqisë nuk është i qëndrueshëm për shkak se varet në masën dërrmuese nga turizmi dhe importet. Rreth 99 për qind të mallrave të konsumuara nga ishujt e Greqisë janë të importuara, më së shumti nga Athina, thotë ai.

Ai sugjeron që ishujt Europianë mund të humbasin në tregun e turizmit në krahasim me destinacionet më të largta, ku pushuesit mund të shijojnë çmime më të ulëta dhe kanë kohë të mirë të garantuar përgjatë të gjithë vitit.

“Ka një dallim të madh mes ishujve Europianë dhe të tjerëve, le të themi, ato Aziatikë, ku çmimet janë shumë të ndryshme, shumë më të lira,” thotë ai në një kafe pranë portit të trageteve. “Nuk jam i sigurtë nëse ishujt e Greqisë apo Kroacisë do të jenë për shumë kohë konkurrues.” 

Antonis Ventouris, 35 vjeç, është roja e farit në Serifos. Babai i tij qe gjithashtu roje fari. Bashkëshortja dhe vajza e tij jetojnë në një ishull aty pranë.

Skuadra kombëtare e futbollit të Greqisë po ndeshet me Kolumbinë në Kampionatin Botëror të Brazilit, por Ventouris është jashtë, duke u përpjekur të qetësojë nervat. Serifos është një vend i mirë për t’u qetësuar.

“Ti mund të shkruash një libër këtu gjatë dimrit,” thotë Antonis. “Mund të shkruash të gjitha librat këtu.”

Biseda jonë ndërpritet nga periudha të gjata heshtjeje ndërsa ne shohim nga deti.

“Gjatë darkës në një tavernë të hapur së fundmi nga një peshkatar dhe familja e tij, një grup banorësh vendas porosisin gatime “për tryezën” përfshirë peshk, djathë feta, domate të thara në diell dhe patëllxhan. Ata pijnë birrë dhe uzo dhe flasin për jetën në ishull.

Njësoj si në Kroaci, shqetësimet e tyre kryesore janë arsimimi i mirë dhe shëndetësia.

“Kam frikë të mendoj gjatë për kujdesin shëndetësor sepse përndryshe më zë zemra dhe do të hyj me të vërtetë në telashe,” bën shaka Manolis Pelopponissios, një hotelier, 57 vjeç, i cili ka një vajzë 14 muajshe.

Greqia ka një përqasje të ndryshme nga Kroacia sa i përket arsimit të banorëve të ishujve. Ajo ka shkolla të mesme në pothuajse çdo ishull të banuar, përfshirë Serifos, ishull që ka vetëm 1,400 banorë. Kroacia ka shkolla të mesme vetëm në pak ishuj të mëdhenj, shumica e të cilave ka ura që i lidhin me tokën.

Dritë në fund të tunelit

Pas në ishullin kroat të Dugi Otok, ku Zvoni Kujdestari i Farit kujdeset për farin, banori i vjetër i ishullit Ivo Juranov, 70 vjeç, pranon se ndërtimi i një shkolle të mesme nuk mund të justifikohet tani për tani.

“Nuk ka mjaftueshëm fëmijë këtu. Nëse njerëzit do të rrinin, do të qe ndryshe,” thotë ai në shtëpinë e tij me pamje nga porti në fsharin Božava. “Tashmë ne duhet t’i kthejmë ata.”

Autoritetet vendëse këmbëngulin se po punojnë fort për të ndihmuar ishujt. Pasi hyri në Bashkimin Europian vitin e kaluar, si një nga anëtarët më të varfra, Kroacia po shënjestron ndihmën e Bashkimit Europian për zhvillimin e infrastrukturës.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të lidhur ishujt me tokën dhe ishujt me njëri-tjetrin. Nuk është e lehtë me financat, por ne shpresojmë që fondet e BE-së do të jenë zgjidhja,” thotë Davor Lonić, kreu i departamentit të zhvillimit në rajonin e Zadarit.

Një plan madhështor i mbështetur nga qeveria vendëse imagjinon ndërtimin e tuneleve nëndetare. Por banorët vendës nuk besojnë se diçka e tillë do të ndodhë ndonjëherë.

Për të ardhmen e afërt, të rinjtë e ishujve do të duhet sërish të lëvizin për në tokë në moshën 14 vjeçare për të ndjekur shkollën e mesme, njësoj Ivana, vajza e Zvonimirit, kujdestarit të farit. Ajo tashmë jeton me nënën e saj në Zadar.

“Unë desha të qëndroj në ishull pasi prindërit e mi u divorcuan. Fëmijëria ime qe shumë e bukur, por për një njeri të moshës time, veçanërisht gjatë dimrit, është shumë e vështirë,” thotë Ivana.

“Unë nuk kam shoqëri dhe jam e lumtur që të lëviz. Gjithsesi babai do të më mungojë.”

Ivana dëshiron të mësojë gjuhë të huaja dhe të studiojë arkitekturë.

“Me të vërtetë dua të jetoj në ishull kur të rritem. Por nuk e di nëse kushtet do të ndryshojnë për mirë deri atëherë,” thotë ajo.

Njësoj si babai i saj, tashmë dhe Ivana ngjit shkallët në fillim të ditës. Gjashtëdhjetë e tetë janë shkallët deri te ndërtesa e shkollës së saj.

A mundet që ajo të dizenjojë ndërtesën e një shkolle të mesme në Dugi Otok?

“Ndoshta,” thotë ajo. “Pse jo?!”

FUND