‘Monstra’, provat që dënuan përjetë gjashtë shqiptarët e Maqedonisë

Teksti i plotë i vendimit që dënoi gjashtë shqiptarët në qershor nuk u bë publik, por BIRN siguroi një kopje të vendimit që shpalli fajtor Alil Demirin, Afrim Ismailovic, Agim Ismailovic, Fejzi Azirin, Haki Azirin dhe Sami Ljutan.

Dënimet shkaktuan protesta zemërimi te shqiptarët etnikë, që përbëjnë një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë, me përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve në rrugët e Shkupit.

Ekstremistët e dyshuar myslimanë u dënuan për vrasje të paramenduar të pesë burrave maqedonas pranë liqenit Smilkovsko në të dalë të Shkupit në Pashkët Ortodokse në vitin 2012 dhe iu dha dënimi maksimal për terrorizëm, pavarësisht se dy prej tyre u gjykuan në mungesë sepse ishin burgosur tashmë në Kosovë për sulme me armë zjarri.

Vendimi tregon arsyetimin e gjykatës për dënimet e terrorizmit, që u bazuan në qëllimin e pretenduar se ata u përpoqën të nxisnin trazira etnike kur pati konflikt të armatosur mes forcave të sigurisë dhe rebelëve etnikë shqiptarë në vitin 2001.

Në të thuhet se prova kryesore u gjet në kompjuterin e Alil Demirit – video me përmbajtje nacionaliste që i referohen vrasjes së maqedonasve, lavdisë së xhihadit dhe thirrjes për krijimin e një shteti islamik.

Të pandehurit mendohet se kishin në kompjuter një këngë shoviniste që iu referonte maqedonasve si “kaurë” (një fjalë ofenduese për të krishterët) dhe bënte thirrje që ata të ekzekutoheshin për hakmarrje.

Pati protesta nga maqedonasit kur u zbuluan vrasjet e pesë personave që shokuan vendin në vitin 2012, po ashtu edhe nga shqiptarët kur u zbulua vendimi.

Por gjykatësi këmbënguli teksa jepte dënimin se burrat u dënuan sipas provave dhe jo etnisë apo fesë.

“Ne nuk jemi të drejtuar nga emocionet e shprehura në sallën e gjyqit, por nga rruga unike që gjykata duhet të ndjekë – ligji,” tha gjykatësi Ivica Stefankovski.

Vrasësit i planifikuan vrasjet më parë dhe zgjodhën me kujdes vendin ku do të kryenin krimin, një vend ku ata mund të gjenin me lehtësi viktima dhe nga i cili do të mund të largoheshin nga unaza e Shkupit, thotë vendimi.

Ndërkohë policia gjeti fotografi inkriminuese të liqenit Smilkovsko dhe rrugës së unazës në kompjuterin e Demirit, që flasin për paramendim.

Një dëshmitar i mbrojtur me emrin E-1 dha një dëshmi ku tha se disa ditë përpara vrasjes, ai pa të pandehurit Sami Ljuta, Fejzi Aziri dhe Agim Ismailovic në liqenin Smilkovsko disa herë në orën 6 të mëngjesit dhe 6 të pasdites, duke pretenduar se po vëzhgonin në avancë vendin.

Megjithatë mbrojtja argumentoi se E-1 nuk ishte i besueshëm sepse ai identifikoi burrat e gabuar në fotografi dhe dha dëshmi kontradiktore rreth pamjes së të pandehurve, duke pretenduar se ata kishin mjekra të gjata, që sipas berberit të tyre nuk ishte e vërtetë.

Gjykata megjithatë vendosi ta hedhë poshtë argumentin e mbrojtjes.

“Për një vit e gjysmë, dëshmitari i mbrojtur është thirrur në seancat dëgjimore të gjykatës në katër raste. Në çdo seancë, dëshmitari ka njohur pa hezituar njerëzit që ai pa në periudhën kritike në liqenin Smilkovsko,” thotë vendimi.

Gjykata gjithashtu refuzoi pretendimin e mbrojtjes se Haki Aziri dha një deklaratë inkriminuese nën presionin e policisë.

Dheu nga makina e kuqe Opel Omega, që Aziri tha në deklaratën e tij se ishte makina me të cilën u arratisën, u zbulua se përputhej me mostrat e marra nga dheu i skenës së krimit. Ekzaminimi në makinë gjithashtu zbuloi mostra ADN-je që përputheshin me të pandehurit Alil Demiri.

Gjatë gjyqit, mbi 70 dëshmitarë dhanë dëshmitë e tyre, por mes tyre më të rëndësishmit ishin katër peshkatarë romë të cilët thanë se ishin në liqen në atë kohë, se panë një prej të pandehurve dhe dëgjuan të shtënat fatale.

Vendimi thotë se një nga të pandehurit iu afrua peshkatarëve me një pushkë në dorë dhe i pyeti për emrat e tyre, nga të cilët rezultuan të ishin jo të krishterë. Më pas ai i detyroi të largoheshin.

“Menjëherë pas kësaj ata dëgjuan të shtëna që do të thotë se vrasjet ndodhën,” thuhet në të.

Mbrojtja nuk ra dakord me dëshminë e peshkatarëve, duke thënë se ideja që atyre iu fal jeta sepse nuk ishin të krishterë nuk ishte e besueshme, por gjykata pranoi se ata po thoshin të vërtetën.

Unioni Demokratik për Integrim, partia e shqiptarëve etnikë në Maqedoni që është në koalicionin qeverisës, ka shprehur mosbesim të madh rreth vendimit dhe ka sugjeruar që FBI-së t’i kërkohet të përfshihet në një hetim të ri në mënyrë që të fitohet besimi i publikut për çështjen.

“Përshtypja e publiku është se të pandehurit janë dënuar me burgim të përjetshëm sepse ishin shqiptarë që kërcënuan shumicën e të krishterëve maqedonas në vend,” tha Artan Grubi, kreu i zyrës së liderit të Unionit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.

Por kryeministri Nikola Gruevski tha se i takonte vetëm gjykatës së apelit për të thirrur ose jo FBI-në, sepse ajo po merret me rishqyrtimin e çështjes. Apelimi i burrave kundër vendimeve u dorëzua më 24 tetor dhe gjykata pritet të japë vendimin e saj në mars ose maj 2015.

Kronologjia e çështjes “Monstra”

21 prill 2012, ora 18:40: Cvetanco Acevski, Kire Trickovski, Alexander Nakjevski, Filip Slavkovski dhe Borce Stevkovski janë vrarë pranë liqenit Smilkovsko, me rreth 21 të shtëna automatiku dhe pistolete.

1 maj 2012: Policia arreston më shumë se 20 të dyshuar në operacionin e koduar “Monstra”. Shtatë persona akuzohen për vrasjet në liqenin Smilkovsko: Fejzi Aziri, Alil Demiri, Sami Ljuta, Rami Sejdi, Afrim Ismailovic dhe Agim Ismailovic.

7 maj 2012: Haki Haziri bëhet një dëshmitar i mbrojtur dhe më pas me kërkesën e tij, jep dorëheqjen nga ky status, pasi edhe ai u akuzua për vrasjet.

Shtator 2012: Prokurorët propozojnë një dëshmitar të ri të mbrojtur me emrin e koduar ‘E1’.

Dhjetor 2012: Fillon gjyqi. Demiri dhe Ismailovic janë në arrati në Kosovë. Autoritetet e Kosovës nuk i kanë ekstraduar ata në Maqedoni.

30 qershor 2014: Alil Demir, Afrim Ismailovic, Agim Ismailovic, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Ljuta dënohen me burgim të përjetshëm për terrorizëm. Për mungesë provash, një i pandehur tjetër lirohet.

Korrik 2014: Protesta në Shkup; policë dhe protestues lëndohen në përplasjet teksa oficerët përpiqen të shpërndajnë protestuesit. Njëzet persona arrestohen.