Reklamat ‘seksiste’ pushtojnë tregun shqiptar

Si në shumë vende të tjera të botës, kompanitë shqiptare dhe zyrat e tyre të marketingut po e shfrytëzojnë pa turp shprehjen e vjetër  ‘seksi shet.’

Postera provokues me mesazhe erotikë kanë mbushur rrugët e Tiranës dhe ato të Shqipërisë, duke reklamuar produkte që shkojnë nga birra tek paketat e shërbimit të kompanive celulare.

Edhe pse ekspertët pranojnë që përdorimi i erotizmit në reklama është po aq i vjetër sa vet biznesi i marketingut, ato shprehin shqetësimin që në Shqipëri tregu mbetet i parregulluar.

Sipas Alban Balës, themeluesit të Institutit Shqiptar për Marrëdhëniet me Publikun, përdorimi i erotizmit në Shqipëri është i gjerë, prezent gati në çdo formë komunikimi.

“Sot burrat dhe gratë që japin lajmet mundohen më shumë të rrumbullakosin buzët për tu dukur më bukur sesa përpiqen për të folur natyrshëm,” thotë ai.

Sipas Balës, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, duhet të ishte më aktiv në rregullimin e tregut të reklamave.

“Erotizmit është lehtësisht i përdorur nga kompanitë, pasi nuk kërkon ndonjë audiencë me nivel të lartë, kjo, pasi seksi mbetet forma më primordiale e shprehjes,” tha ai.

“I takon AMA-s që të përcaktojë kufijtë ku kjo ngjarje të ndalet,” Bala shtoi.

Përdorimi i seksit në reklama, mund të jetë i drejtpërdrejtë ose i tërthortë, nga përdorimi i kozmetikës për të vënë në pah tiparet tërheqëse të modeleve e deri tek pamje eksplicite të aktit seksual.

Në Shqipëri përgjithësisht kompanitë përdorin erotizmin femëror për të shitur produkte, gjë që i shqetëson grupet për të drejtat e grave, duke konsideruar që në kulturën Shqiptare seksizmi dhe dhuna ndaj grave dhe vajzave janë shumë të përhapura.

“Është shumë shqetësues fakti që shumë media po e përdorin në mënyrë të panevojshme imazhin e femrës për promocione me qëllim përfitimi monetar,” thotë Blerta Balilaj, drejtuese për shqipërinë e organizatës “Women’s Democracy Network”.

“Duhet një revolucion mediatik, një kod njerëzor para atij profesional, një ndërgjegjësim mbi vlerat humane,” shtoi ajo.