Basha harxhoi 145 mijë euro në reklama gazetash

Për nëntë muajt e parë të vitit 2014 Bashkia e Tiranës shpenzoi më shumë se 20.4 milionë lekë (145 mijë euro) për reklama në disa gazeta të përditshme ndërsa të gjitha bashkitë e tjera të marra sëbashku shpenzuan në total 3 milionë lekë (21,400 euro) gjatë të njëjtës periudhë.

Në total, institucionet kryesore publike të Shqipërisë, përfshirë Këshillin e Ministrave, ministritë, zyrën e Presidentit dhe disa agjenci, shpenzuan rreth 31.29 milionë lekë (223,500 euro) për reklama.

Bashkia e Tiranës, e udhëhequr nga kryetari i Partisë Demokratike në opozitë Lulzim Basha, zuri 65 për qind të të gjitha shpenzimeve për reklama të institucioneve publike në median e shkruar gjatë vitit 2014.

Shpërndarja e reklamave të qeverisë, veçanërisht atyre televizive, qe një çështje e debatuar gjatë qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga Sali Berisha.

Investigime të kryera nga BIRN në janar treguan se gjatë tetë viteve të veta në pushtet, qeveria e Berishës shpenzoi miliona euro në një seri fushatash elektorale, ku shumica e parave i shkuan televizioneve pro-qeveritare.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga viti 2009 deri më 2012, Ministria e Brendshme shpenzoi të gjithë buxhetin për reklama në një agjenci të vetme të lidhur me një figurë mediatike pranë qeverisë.

Ministria e Brendshme kreu gjashtë fushata të mëdha reklamash televizive dh prodhoi një spot në katër vite për një total prej 85 milionë lekësh (610 mijë euro).

Nga viti 2008 deri më 2012, Ministria e Brendshme drejtohej nga kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe nga presidenti aktual i Shqipërisë Bujar Nishani. Basha drejtoi nga viti 2009 deri më 2011 ndërsa Nishani qe ministër në vitet 2007-2009 dhe sërish nga viti 2011 deri më 2012.

Balkan Insight ka mësuar se kontratat bënin pjesë në një skemë më të madhe për të pasuruar median pro-qeveritare, e cila vijoi përgjatë tetë viteve kur Partia Demokratike mbante pushtetin.

Institucione të tjera qenë veçanërisht bujare me kompanitë ose nën pronësi ose të lidhur me Frangaj, përfshirë Këshillin e Ministrave, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Ministria e Mbrojtjes përgjatë vetëm dy viteve dha 580 mijë euro në reklama për dy agjenci reklamash të lidhura me Frangaj, Promo Sh.p.k dhe Zoom Events. Televizioni Klan mori gjithashtu 427 mijë euro nga Këshilli i Ministrave më 2008 dhe 2010.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dha 198.9 milionë lekë (1.4 milionë euro) për Primo në tri fushata të mëdha reklamash nga 2010 deri më 2012.