Zgjedhja e guvernatorit të ri përball Shqipërinë me krizë politike

Shqipërisë i duhet të zgjedhë katër anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe mes tyre, edhe guvernatorin e ardhshëm, proces ky që pritet të zgjasë disa kohë ndërsa maxhoranca dhe opozita duket se do të duhet të arrijnë në një kompromis politik për të zgjidhur situatën.

Kuadri kushtetues shqiptar i krijuar në vitin 1998 dhe i ndryshuar në vitin 2008, sanksionon që guvernatori i Bankës së Shqipërisë të emërohet nga Presidenti i Republikës dhe të miratohet nga parlamenti. Kushtetuta e vitit 1998 sanksiononte gjithashtu që presidenti i Republikës të zgjidhej me tri të pestat e parlamentit, gjë që nënkuptonte një president kompromisi mes maxhorancës dhe opozitës dhe rrjedhimisht një president i tillë duhej të zgjidhte një guvernator të Bankës Qendrore.

Por ndryshimet e kushtetutës në vitin 2008 bënë që presidenti të zgjidhet me maxhorancë të thjeshtë dhe t’i përkasë vetëm njërit krah politik. Rrjedhimisht, presidenti aktual, Bujar Nishani, i cili i ka qenë një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike në opozitë, do të duhet të propozojë emrin e një guvernatori pasi të jetë përmbyllur procesi i plotësimit të vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës të bankës.

Në rast se presidenti emëron një person të padëshirueshëm nga maxhoranca parlamentare, e cila, nga ana e vet, duhet të arrijë një kompromis të brendshëm për shkak se përbëhet nga dy parti, parlamenti mund ta rrëzojë kandidaturën e tij duke e zhytur Bankën e Shqipërisë në një situatë të paprecedent.

Konflikt në vend të kompromisit

Të premten më 12 shtator, opozita dha mesazhe të qarta që një kompromisit politik për përzgjedhjen e guvernatorit të ri do të jetë i vështirë. Në fillim, kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe më pas, paraardhësi i tij Sali Berisha, akuzuan qeverinë për puç dhe kritikuan arrestimin dhe shkarkimin e guvernatorit Fullani si të paligjshëm.

“Arrestimi i Guvernatorit Fullani është një akt stalinist i një shteti policor, i një klike mafioze, të cilin e dënoj me ashpërsinë më të madhe,” i tha Berisha gazetarëve.

“Është qëndrim i PD që vepra të tilla të stisura për interes mediatik nuk mund të ndodhin pa një shtytje të fuqishme politike në përputhje me orekset e Edi Ramës për të kapur Bankën e Shqipërisë,” tha Basha duke kujtuar se në vitin 2011, kur Fullani u rizgjodh guvernator, Rama pati deklaruar se do ta shkarkonte kur të vinte në pushtet.

Maxhoranca nga ana tjetër duket se shpreson se do të gjejë shqiptarë që kanë një karrierë nëpër institucionet financiare ndërkombëtare si figura kompromisi dhe rrjedhimisht të zgjidhë problemet e vakancave në Këshillin Mbikëqyrës.

Kryeministri Edi Rama në  një konferenc për shtyp foli për kandidatura me karrierë ndërkombëtare dhe kombësi shqiptare.

“Duam t’i japim BSH një guvernator që të përshëndetet ndërkombëtarisht si zgjedhje e pakontestueshme profesionale dhe morale,” tha Rama gjatë një konference për shtyp më 8 shator.  “Se nga do vijë, do ta shikojmë, por me siguri do jetë nga sistemi financiar dhe bankar,” shtoi ai.

Por shqiptarët me karrierë nëpër institucionet financiare ndërkombëtare janë përfaqësues të Shqipërisë nëpër këto institucione dhe shumë prej emrave të përfolur deri tani kanë gjithashtu lidhjet e tyre të afërta apo të largëta me forcat politike.

Situatë pasigurie në BSH

Banka e Shqipërisë mori tronditjen më të thellë në gati dy dekada gjatë javëve të fundit, pas zbulimit të vjedhjes rekord të kryer në kasafortat e saj, e cila u zbulua për publikun më 21 korrik. Sipas BSH, 713 milionë lekë u vodhën nga Arka Stok, arka e ndërmjetme mes magazinës së parasë dhe sportelit të operacioneve të përditshme me bankat e nivelit të dytë. Një punonjës i Arkës Stok, Adrian Bitraj, ka pranuar se i ka vjedhur paratë përgjatë katër viteve të fundit gradualisht dhe i ka humbur që të gjitha në bixhoz.

Por ndërkohë, 19 punonjës të bankës, përfshirë Guvernatorin Ardian Fullanin dhe Inspektoren e Përgjithshme Elivar Golemi janë arrestuar nga prokuroria të dyshuar se me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë krijuar kushtet për vjedhjen.

Pjesa tjetër e punonjësve të Bankës së Shqipërisë raportohet se jetojnë aktualisht në pasiguri, disa thonë se po punojnë në kushtet e panikut, ku drejtimi i bankës është i përkohshëm dhe shumë ngurrojnë të marrin vendime pasi ndjehen të kërcënuar nga ndonjë përndjekje e mundshme penale apo administrative.

Ndërkohë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, i cili me ligj duhet të përbëhet nga nëntë anëtarë, ku njëri është guvernator dhe dy të tjerë janë zëvendësguvernatorë, që para vjedhjes kishte prej muajsh dy anëtarë mangët për shkak se Kuvendi i Shqipërisë nuk kishte zgjedhur zëvendësuesit për dy mandate të skaduara.

Pas arrestimit të Guvernatorit Fullani dhe dorëheqjes së njërit prej anëtarëve, Profesor Adrian Civicit, i cili, qe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës me propozim të Fullanit, Këshilli ka mbetur me vetëm pesë anëtarë. Postin e guvernatorit në detyrë e mban aktualisht Elisabeta Gjoni, e cila gjerësisht konsiderohet si person pranë Partisë Demokratike, ndërsa dy anëtarë të tjerë, Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule dhe Petraq Milo, ish-këshilltari i kryeministrit Sali Berisha, janë përzgjedhur në këto poste nga Partia Demokratike. Anëtarja tjetër, Profesor Ermelinda Meksi, është kandiduar nga Partia Socialiste në vitin 2011 ndërsa anëtarja e fundit, Ela Golemi është kandiduar po në të njëjtën kohë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Disa nga anëtarët e Këshillit shprehen të pasigurtë nëse do të arrijnë të mbeten anëtarë apo do të rrëzohen ndërsa një duket se nuk e sheh me rëndësi nëse do të mbetet apo do të largohet. Që të gjithë janë marrë në pyetje nga prokuroria në lidhje me vendimet e tyre të viteve të shkuara.

Telashet dhe pasiguritë janë të shumta edhe për drejtorët, disa prej të cilëve janë zgjedhur në këto poste gjatë qeverisjes së gjatë të z. Fullani që filloi që nga viti 2004. Disa kanë arsye t’i frikësohen ndryshimeve në administratë pas ardhjes së guvernatorit të ri.

Sipas rregullave të Bankës së Shqipërisë, në rast se mungon guvernatori, punën e tij e kryen zëvendësguvernatori i parë dhe nëse mungon zëvendësguvernatori i parë, punën e kryen zëvendësguvernatori i dytë. Në ndonjë rast të rrallë, nëse asnjë prej këtyre të treve nuk gjendet, funksionet e guvernatorit i kryen drejtori më i vjetër në BSH.

Posti tjetër i rëndësishëm, ai i Inspektorit të Përgjithshëm, i cili ka për detyrë të kujdeset për mbajtjen e llogarive të bankës e për kontrollin e zbatimit të rregullave, është gjithashtu vakant aktualisht, por ligji nuk ka parashikuar se çfarë ndodh në këtë rast. Rrjedhimisht, ndryshe nga guvernatori, për të cilin ka një set rregullash zëvendësimi me disa shkallë, posti i Inspektorit të Përgjithshëm pas arrestimit të znj. Elivar Golemi mbetet thjeshtë bosh.

Në tërësi, vakancat në bord dhe pasiguria në staf ka krijuar një situatë të tensionuar brenda bankës, e cila, nëse vijon gjatë, mund të dëmtojë cilësinë e operacioneve të saj të përditshme.

Duke vënë theksin në këto probleme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, ndonëse theksoi se paqartësia administrative në BSH nuk ka shkaktuar ndonjë problem për bankat e nivelit të dytë, i kërkoi Kuvendit të ushtrojë funksionet e veta për të vijuar me shkarkimin formal të Inspektores së arrestuar dhe përzgjedhjes së zëvendësuesit.

Bisedime të komplikuara politike

Banka e Shqipërisë nuk është përballur me asnjë situatë të ngjashme që prej shumë vitesh. Këshilli Mbikëqyrës i BSH përbëhet nga anëtarë të zgjedhur me rotacion nga institucione të ndryshme duke mos lënë hapësira për boshllëqe të mëdha dhe të gjata. Por në vitin 2006, Guvernatori Fullani duhej të zgjidhte një zëvendësguvernator mes anëtarëve të Këshillit pasi personi që mbante këtë post, dha dorëheqjen. Ai nuk qe në gjendje të gjente një zëvendësguvernator. Situata u përkeqësua kur vitin e kaluar, maxhoranca e re qeverisëse e përbërë nga PS dhe LSI pati për detyrë të zgjidhte dy anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Kjo aleancë nuk arriti t’i zgjedhë dhe vendet mbetën vakante për gati një vit. Problemi mësohet se është krijuar një dekadë më parë, kur një marrëveshje tjetër politike, ajo e vitit 2003 mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, i hapi rrugën ndarjes së vendeve nëpër institucionet e pavarura.

Jopartizan apo bipartizan

Fryma e ligjit të Bankës së Shqipërisë është që anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të jenë jopartizanë, të pavarur dhe të pashantazhueshëm nga politika. Por marrëveshja bëri që institucionet e pavarura në tërësi të konceptohen si institucione bipartizane, me përfaqësues nga të dyja palët. Në vitin 2004, ish-kryeministri Fatos Nano kandidoi dhe zgjidhi si anëtar të Këshillit të BSH njërin prej këshilltarëve të tij. Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh i alarmuar nga fakti që BSH po hynte nën ndikim të hapur politik ndërkohë që vendi gjendej në prag të zgjedhjeve të vitit 2005. FMN kërkoi që një këshilltar kryeministri të mos mund të mbante një post në Këshillin Mbikëqyrës të BSH, diçka që nuk qe e ndaluar me ligj në mënyrë specifike, por që gjithsesi shkonte kundër frymës së ligjit. Qeveria e zgjidhi problemin lehtë, duke njoftuar se këshilltari pati dhënë dorëheqjen nga ky post.

Sot për palët politike është praktikë e zakonshme që të kryejnë pagesa politike me postet nëpër institucionet e pavarura dhe Banka e Shqipërisë nuk përbën përjashtim. Kandidatët e zgjedhur në këtë mënyrë, jo vetëm që kanë detyrime politike, por rezultojnë edhe lehtësisht të shantazhueshëm politikisht. Përveç problemit të vendosjes së kandidatëve politikë si anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës, rreziku më i madh duket se është që palët të mos bien dakord për ndarjen e tortës. Në këtë rast, Banka e Shqipërisë të mbetet për një kohë të gjatë pa udhëheqje efektive dhe me pasiguri në vendimmarrje.

Ndonëse për operacionet e përgjithshme të sistemit bankar kjo situatë nuk ka pse të krijojë pasoja, frika e disa ekspertëve është që pasiguria në vendimmarrje nga stafi dhe drejtuesit e bankës mund të komplikojë funksionimin e sistemit financiar përgjatë muajve të ardhshëm.