Maqedonia e Heshtur ndaj Mbikëqyrjes Sekrete të ShBA-së

Kryeministri i Maqedonisë tha se ai nuk posedon informacion të mjaftueshëm në mënyrë që të deklarohet për pretendimet e përmendura në të dhënat e rrjedhura nga ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden.

“Nuk mund të komentoj për këtë rast, sepse nuk i di detajet.  Sido që të jetë, ne si qeveri jemi duke bërë çdo gjë në mënyrë që qytetarët tanë të jenë të mbrojtur në internet”,  u ka thënë Nikola Gruevski mediave javën e kaluar.

Komisioni parlamentar i Maqedonisë i cili është i ngarkuar me kontroll civil ndaj punës së shërbimeve sekrete, nuk ka mundur të komentojë për shkak se ende nuk është formuar pas zgjedhjeve të prillit të kaluar.

Rrjedha e parë e të dhënave, e publikuar nga gazetarët e “The Intercept” dhe “Daglabadet” e Danimarkës, zbulojnë se Agjencia e Sigurisë Kombëtarë përmes programit të saj të mbikëqyrjes të koduar si “RAMPART A”, është në gjendje të ndalojë numër të madh të e-mailave privatë, telefonatave dhe bisedave në internet, falë një bashkëpunimi sekret të 33 shteteve në gjithë botën, duke përfshirë edhe Maqedoninë.

Agjencia Kombëtare e Sigurisë refuzoi të komentojë për këtë çështje kur kjo u kërkua nga mediat.

Ish-shefi i Agjencisë së Inteligjencës së Maqedonisë, Kire Naumov, ka thënë se një heshtje e tillë ka qenë e pritshme, që në fakt vetëm i shton dyshimet se një marrëveshje e tillë e  mbikëqyrjes ekziston.

“Maqedonia është pjesë e të ashtuquajturit Koalicioni Anti-Terrorist që udhëhiqet nga ShBA-të dhe si e tillë ajo nuk ka arsye që të mos pranojë forma të ndryshme të bashkëpunimit me ShBA-të, duke përfshirë edhe ndjekjen e aktiviteteve në internet.  Kjo është e vërtetë sidomos tani kur dëgjojmë raporte për përfshirjen e qytetarëve maqedonas në konfliktin sirian”, ka thënë Naumov.

Eksperti i Teknologjisë Informative (IT) Mikko Hypponen, ka shpejguar për “Daglabadet” se ShBA-të kanë bërë të tilla marrëveshje në mënyrë që të zgjerojnë shtrirjen e tyre të programit të mbikëqyrjes.

“Qëllimi është që të mbulohet shumica e botës me sa më pak pika të qasjes në internet.  Shumica e trafikut të internetit kalon përmes Amerikës, por një pjesë jo.  Pra duhet kërkuar vende të tjera në botë ku janë këto të dhëna, nëse nuk kalojnë përmes Amerikës”, ka thënë Hypponen.

“Nëse vendi juaj gjendet në një lokacion të rëndësishëm, dhe nëse ka shumë trafik interesant të internetit që kalon aty, atëherë kjo e bën atë vend si partner të rëndësishëm”, ka shtuar ai.

Kroacia, Romania, Hungaria, Greqia dhe Turqia janë shtetet e tjera që supozohet se kanë bashkëpunimin e njëjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe autoritetet kroate heshtin

Derisa zyrtarët kroatë po heshtin rreth kësaj çështje, Gordan Bosanac nga “Croatian Peace Studies” i ka thënë Balkan Insight-it: “Ky duke si rast i pastër i shkeljes së të drejtës për privatësi, meqë Kroacia e ka legjislaturën që ndalon qasjen në përmbajtjet private të komunikimit, përveç në rastet kur ka urdhër nga gjykata”, ka thënë ai, dhe ka shtuar se kjo është shkelje flagrante e të drejtave që mund të justifikohet vetëm nëse ka pasur ndonjë kërcënim serioz.

“Komisioni Parlamentar për Siguri Kombëtare duhet të intervenojë dhe të shikojë marrëveshjen me Agjencinë Kombëtare të Sigurisë, ndërsa Komisioni për të Drejta të Njeriut duhet të shikojë për shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Bosanac.

Me tone të ngjashme, Sanja Sarnaavka, aktiviste e të drejtave të njeriut ka thënë: “Është skandaloze që vendime të tilla janë marrë pa konsultimin e palëve, të interesuarave dhe ekspertëve”. 

Ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar gjendet aktualisht në ekzil në Rusi, pasi iku nga Amerika nga frika e ndjekjes.  Ai u largua nga Amerika me një numër të dokumenteve të klasifikuara të agjencisë, të cilat I kishte marrë gjatë kohës kur ishte duke punuar si administrator i sistemit në qeverinë amerikane.