Armiqësia Ruso-Ukrainase ka Peshë në Ballkan

Bosnja dhe Serbia do të jenë dy shtetet më të goditura në Ballkan nëse Rusia ndërpret furnizimin me gaz si rezultat i krizës së Moskës me Ukrainën dhe me përkrahësit perëndimorë të Ukrainës, thonë ekspertët. 

Asnjëra nga këto dy shtete nuk kanë alternativë tjetër të furnizimit me gaz, në rrjetin gazsjellës që vjen nga Rusia dhe që kalon nëpër Ukrainë. 

Rusia furnizon rreth 30 për qind të nevojave të përgjithshme të Evropës për gaz, gjersa më shumë se gjysma e kësaj sasie kalon nëpër Ukrainë. 

Instituti i Oksfordit për Studime të Energjisë tha në një hulumtim të publikuar muajin e kaluar se po rritet frika e skenarit të përsëritur të ngjarjeve të 2009-ës, kur Rusia ndali furnizimet nëpër Ukrainë, të cilat ndikuan po ashtu në Serbi dhe Bosnjë. 

Nëse lidhjet e gazit që kalojnë përmes Ukrainës ndalen, pasojat nuk do të ishin aq serioze si në vitin 2009, tha instituti për kërkim.

Kjo është për shkak se gazsjellësi “Nord Stream”, që transporton gazin rus për në Gjermani pa kalur nëpër Ukrainë, tani është kompletuar. 

Në ndërkohë, gjiganti rus i energjisë “Gazprom” tashmë ka paralajmëruar një rritje të madhe të çmimit të gazit për Ukrainën, nga 195 euro për 1 mijë metra kub në 280 euro. 

Serbia, Bosnja dhe Maqedonia, e cila shfrytëzon shumicën e gazit rus në Ballkan, do të mbesin pa gaz, nëse Ukraina dështon të paguajë “Gazprom-in”, ose nëse Rusia ndal, ose zvogëlon furnizimin me gaz. 

Serbia i kushton vëmendje rrezikut të mundshëm

Serbia importon rreth 90 për qind të gazit për nevojat e saj dhe e vetmja rrugë e furnizimit është nga Rusia për në Ukrainë dhe pastaj nëpër Hungari.

Por autoritetet serbe insistojnë se nuk ka rrezik të krizës së gazit që do ta godasin vendin dhe për këtë arsye, nuk janë duke kërkuar aktivisht alternativë të furnizimit. 

Ministrja e Energjisë, Zorana Mihajloviq, kohëve të fundit tha se furnizimi i Serbisë më gaz natyral nuk është në rrezik sa u përket tensioneve në Ukrainë.

Sipas saj, furnizimet ekzistuese të gazit dhe naftës janë të mjaftueshme për nevojat e shtetit në sistemin e energjisë gjer në fund të sezonit të ngrohjes që mbaron më 15 prill. 

Sidoqoftë, gazetari i ekonomisë Mijat Lakiçeviq shprehet se thellimi i mëtutjeshëm i krizës ndërmjet Moskës dhe Kievit mund ta çojë Rusinë deri në trajtim të gazit si një armë dhe kjo armë mund të godasë edhe Serbinë.

“Gazsjellësi shkon nga Ukraina për në Hungari dhe prej se Hungaria është shtet anëtar i BE-së, gazi nuk do të vijë në Serbi [nëse Rusia e ndërpret],” thotë ai. “Nuk kemi alternativë tjetër në gazsjellësin nga Hungaria,” shtoi ai.

Puna në pjesën serbe të gazsjellësit rus “South Stream” në ndërkohë ka nisur në nëntor. 

Kur kjo përfundon, gazsjellësi do të pompojë gaz nga Rusia nën Detin e Zi dhe përmes Bullgarisë e Serbisë drejt Hungarisë, Sllovenisë dhe Italisë.

Ndërtimi i gazsjellësit “South Stream” në Serbi do të kushtojë rreth dy miliardë euro dhe shteti serb duhet ta paguajë gjysmën e kësaj shume.  

Serbia ende ka punë për të zgjidhur çështjen e garancisë së nevojitur për të krijuar një kompani të përbashkët në lidhje me projektin “South Stream” në vend. 

Ministrja serbe e Energjisë tha se shteti nuk ka dhënë garanci për kredinë e planifikuar prej 75 milionë eurosh që nevojiten për punët ndërtuese, për shkak të vendimit qeveritar për të ndaluar huazimet. Kjo kredi do t’i jepet kompanisë shtetërore të gazit “Serbijagas”. 

Në ndërkohë, Serbia po mban një neutralitet rreth problemeve ruso-ukrainase në lidhje me Krimenë, në përpjekje për të mbajtur marrëdhënie të mira me të dyja shtetet në krizë dhe BE-në. 

“Serbia është në rrugë drejt BE-së dhe nderon obligimet e saja, por nuk do të marrë qëndrim armiqësor kundrejt Rusisë”, tha zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq në fund të marsit. 

Amvisëritë dhe fabrikat boshnjake në rrezik

Më 2009, kur Rusia ndaloi furnizimin e gazit në Ukrainë, Bosnja mundi të blejë vetëm sasi të kufizuar të gazit nga Hungaria, Austria dhe Gjermania, por me çmim më të lartë sesa kishte paguar gazin nga Rusia. 

Në krizën e gazit të janarit 2009, kur temperaturat ishin shumë të ulëta, më mijëra amvisëri mbeten pa ngrohje dhe u detyruan të gjenin vetë mënyrën për ngrohje.

Bosnja dhe Hercegovina importon të gjithë gazin nga Rusia përmes Ukrainës dhe nuk ka pajisje në vend për të deponuar atë. 

Disa kompani të mëdha shfrytëzojnë gazin për prodhim dhe rrezikojnë për të ndaluar ose zvogëluar prodhimin, nëse preket furnizimi me gaz nga Rusia. 

Siç ishte rasti në vitin 2009, kompania e aluminit në Zvornik “Birac” mund të goditej nga çdo zvogëlim i furnizimit me gaz. Po ashtu edhe fabrika e çelikut në Zenicë, “ArcelorMittal”. “Birac” është shfrytëzuesi më i madh i gazit natyral të importuar në Bosnjë. 

Gazsjellësi në Bosnjë vjen nga Serbia përmes Zvornikut në Zenicë, Visoko dhe Sarajevë. Pjesa tjetër e shtetit nuk është e lidhur dhe nuk shfrytëzon gazin.  

Bosnja mund të ketë probleme në sigurimin e rregullt të furnizimit me gaz, pa marrë parasysh se çfarë ndodh ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. 

Kjo është për shkak të kontesteve rreth faturave ndërmjet kompanisë kryesore të kryeqytetit, “Sarajevogas” dhe kompanisë kombëtare të gazit “BH Gas”.

“BH Gas” tha kohëve të fundit se nuk ka mundur të paguajë faturat me kohë te “Gazprom-i” rus, sepse “Sarajevogas” ka paguar vetëm 35 për qind të faturave të saja në shkurt.

Autoritetet boshnjake janë duke shikuar disa mënyra të lidhen me gazsjellësin e Ukrainës, por shteti i ndarë ka qëndrime të ndryshme se cilin plan duhet ta miratojë.

Autoritetet në Republikën Serbe, entitet i dominuar nga serbët në Bosnjë shikojnë nga Serbia, e cila planifikon të ndërtojë një pjesë të gazsjellësit rus nëpër territorin e saj. 

Ky entitet tha se do të dëshironte të shohë një pjesë të këtij gazsjellësi të ndërtuar në Republikën Serbe po ashtu, pasi që kjo do të sillte gazin rus, por një vendim i tillë duhet të merret në nivel shtetëror. 

Në ndërkohë, entiteti i Federatës së Bosnjës po ashtu ka shprehur interesin e saj për gazsjellësin “South Stream” të Rusisë, por nuk ka bërë lëvizje konkrete për këtë çështje.

Maqedonia peshon alternativat 

Pasi që amvisëritë në Maqedoni ende janë të palidhura me rrjetin e gazit, nëse furnizimi me gaz ndalet, pasojat do të ndihen kryesisht nga kompanitë e mëdha, të cilat përdorin 130 milionë metër kub në vit. 

Korrikun e kaluar, kur Maqedonia paralajmëroi një plan masiv të gazifikimit, nënshkroi një marrëveshje që të bashkëpunojë me Rusinë për ndërtimin e pjesës maqedonase të gazsjellësit rus “South Stream”. 

Andrea Josifovski, kryesues i “Makpetrol-it”, një kompanie që ndër të tjera merret edhe me transportimin e gazit, thotë se kriza në Ukrainë duhet të shtyjë Maqedoninë për të shikuar mënyra tjera nga varësia ruse. 

Së bashku me planin për lidhje me “South Stream-in”, ai sugjeroi po ashtu edhe sigurimin e lidhjes me gazsjellësin “Trans Adriatic” që përkrahet nga BE-ja. 

Ku gazsjellës do të fillojë në Greqi, kalon nëpër Shqipëri dhe detin Adriatik dhe vjen në bregdetin jugor të Italisë, qe sjell gazin drejt e nga regjioni i Kaspikut në tregjet evropiane. 

“Kjo do të na sjellë një mundësi për të pasur një alternativë që mund të vijë nën çdo krizë ekonomike apo politike”, tha Josifovski.

Shtete tjera ndihem më pak të ndikuara

Shtetet tjera në Ballkan mbesin më pak të ndikuara nga lufta e mundshme energjetike ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. 

Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova nuk do të ndikoheshin aspak, pasi që këto shtete nuk shfrytëzojnë gazin, por mbështeten kryesisht në rrymë.  

Sa për Rumaninë, ajo prodhon vetë rreth 70 për qind të nevojave totale të gazit prej rreth 13 miliardë metër kub të gazit në vit. Pjesën tjetër e importon ekskluzivisht nga Rusia. 

Rumania tashmë është duke u munduar që të zvogëlojë varësinë e saj nga energjia ruse, kryesisht duke shumëfishuar rrugët e furnizimit të gazit dhe duke hulumtuar rezervat e saja në Detin e Zi. 

Më 2009, kur konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës çoi në ndalim të transportit të gazit përmes gazsjellësit në Ukrainë, Rumania u përgjigj me një pakësim prej 39 për qind të importit të saj të gazit. 

Shteti brengoset më shumë për problemet ekonomike për shkak të krizës së zgjatur në Ukrainë. 

Çdo ristrukturim potencial i borxhit në Ukrainë, ose masave ndëshkimore tregtare nga BE-ja kundër Rusisë, mund të ndikojë në eksportin rumun, u tha në një raport të fundit të lëshuar nga kreditori më i madh në vend, BCR.