Serbia Heq Gjykatat e Kosovës Nga Sistemi i Saj i Drejtësisë

Serbia nga janari i vitit të ardhshëm pritet të ketë një sistem të riorganizuar të drejtësisë, me qëllim që t’i bëjë gjykatat më të efektshme dhe të zbatojë rregullat e përcaktuara nga Bashkimi Europian në procesin e integrimit.

Ligjet e reja për gjykatat mendohet se do të miratohen këtë muaj, ndërsa do të hyjnë në fuqi në fillim të 2014-ës.

“Rrjeti i ri i gjykatave, i cili parasheh rritjen e numrit të gjykatave themelore nga 34 në 66, synon të heqë dobësitë dhe joefikasitetin e tanishëm që do i bie se qytetarët deri më tani nuk kanë pasur qasje të duhur në drejtësi”, tha të hënën ministri serb i Drejtësisë, Nikola Selakoviq, gjatë një debati parlamentar lidhur me këtë çështje.

Edhe numri i prokurorive do të rritet, nga 34 sa është tash, në 58, ndërsa për herë të parë në rrjetin serb të gjykatave nuk do të përfshihet gjykata e ndodhur në veri të Mitrovicës.

Ministri serb i Drejtësisë, Selakoviq, u arsyetua se gjykatat e Kosovës do të përfshihen në një ligj të veçantë, derisa në vebfaqen e shtrirjes gjeografike të gjykatave të Serbisë, ende figuron gjykata e Mitrovicës.

I pyetur për këtë ndryshim të qasjes së Serbisë ndaj gjykatës në veri, kreu i Këshilllit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci, nuk pati koment për Gazetën Jeta në Kosovë, me arsyetimin se riorganizimi i gjykatave, po ndodh në një shtet tjetër.

Beogradi dhe Prishtina më 19 prill nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja që synon normalizimin e marrëdhënieve.

Marrëveshja thotë se autoritetet gjyqësore në veriun e mbizotëruar nga serbët e Kosovës duhet të integrohen dhe të operojnë brenda kornizës ligjore të Prishtinës.

Sipas marrëveshjes, Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel të përbërë nga një shumicë e gjykatësve serbë të Kosovës për t’u marrë me të gjitha komunat ku serbët përbëjnë shumicën.

Enver Peci nuk deshi të flasë as për përparimet e bëra në lidhje me kthimin e gjykatës së veriut nën kontrollin e autoriteteve kosovare, sipas marrëveshjes. 

Riorganizimin e gjykatave në Serbi, e kundërshtoi opozita e këtij vendi, sidomos Partia Demokratike, duke konstatuar se shtimi i gjykatave dhe prokurorive, nuk do ta përmirësojë sistemin serb të drejtësisë.

Ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë kanë kritikuar këtë parti se pikërisht kur ishte në pushtet, nga viti 2004 deri në vitin 2012, ndikonte politikisht në gjyqësor.

Artikulli është bazuar në shkrimin e botuar në Balkan Transitional Justice