Shqiptarët Problem për Regjistrim në Maqedoni

 

Pas anulimit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni në fillim të këtij muaji, disa ditë pasi që i njëjti kishte filluar, përshtypjet e shumë ekspertëve janë që ky eksperiment nuk do përsëritet shumë shpejt.   

Ata besojnë që partia në pushtet e Kryeministrit Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE, dhe partneri i saj më i vogël Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), më shumë preferojnë që ta pezullojnë regjistrimin e popullsisë se sa që ta rrezikojnë prishjen e koalicionit parlamentar nga i cili të dy përfitojnë. 

“Regjistrimi i popullsisë në Maqedonia asnjëherë nuk mund të vështrohet si një operacion i pastër statistikor” thekson Saso Ordanoski, një gazetar veteran dhe analist politik.  

Ai thotë që elita në pushtet frikësohet nga pasojat politike të regjistrimit, posaçërisht në lidhje me çështjen përherë të ndjeshme të numrit në shqiptarëve në vend. 

Regjistrimi i popullsisë në mbarë vendin u ndërpre në mënyrë dramatike në ditën e 11-të të muajit tetor, vetëm katër ditë para ditës së fundit të regjistrimit më 15 tetor, kur komisioni i regjistrimit – i ndarë etnikisht – dha dorëheqje kolektive. 

Në këtë komision, maqedonasit kishin shumicën e 24 vendeve kurse shqiptarët dhe grupet e tjera etnike zinin pjesën tjetër të posteve. 

Pas tre ditësh të një debati të rreptë, parlamenti ndërpreu regjistrimin më 15 tetor, duke urdhëruar shkatërrimin e materialit të regjistrimit të popullsisë. Operacioni i dështuar kushtoi rreth 14 milion euro.  

Përderisa qeveria dhe opozita, e udhëhequr partia Social-Demokratike, fajësuan njëra-tjetrën për fiaskon, të gjithë u pajtuan që të dhënat e mbledhura nuk do të zbulonin një pasqyrë të saktë demografike.

Pengesë ishte regjistrimi i shqiptarëve, pakicës më të madhe në vend. Anëtarët maqedonas dhe shqiptarë të komisionit, si dhe patronët e tyre politik, nuk ishin në gjendje që të pajtoheshin për metodologjinë.  

Shqiptarët etnik përbëjnë një përqindje të lartë të emigrantëve nga Maqedonia, të cilët shkojnë jashtë vendit për të kërkuar punë.

Si pasojë, shqiptarët në vend dëshironin që regjistrimi i popullsisë të përfshijë qytetarët të cilët jetojnë jashtë vendi për më shumë se një vit, si dhe që kopjet e letërnjoftimeve të pranoheshin si bazë për të dhënat. 

Anëtarët maqedonas ishin fuqimisht kundër kësaj, duke thënë se kjo bie ndesh me rregullat e EUROSTAT-it.

Sipas rregullave të organit të statistikave të BE-së, në të cilën Maqedonia synon të anëtarësohet, njerëzit të cilët jetojnë jashtë vendit për më shumë se një vit nuk duhet të përfshihen në regjistrimin kombëtar të popullsisë dhe ata duhet të regjistrohen në ato vende ku jetojnë tani.  

Në të njëjtën kohë, shqiptarët bënë presion për shtyrjen e regjistrimit edhe për 15 ditë tjera, duke thënë që afati prej 15 ditëve nuk është i mjaftueshëm.

Stevo Pendarovski, analist politik dhe ish këshilltar i presidentëve Boris Trajkovski dhe Branko Crvenkovski, thotë që “hapësira e manovrimit për partitë në pushtet në lidhje me një regjistrim të ri popullsisë është shumë e vogël”.  

Ai thotë që dështimi i regjistrimit të popullsisë është një hap i madh prapa, për shkak se rezultatet nevojiten për të përcaktuar ndarjen e ardhshme të burimeve për infrastrukturë, si spitalet ose shkollat.

“Çelësi është numri i shqiptarëve” shton ai, duke theksuar se kjo ndikon në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 dhe në dispozitat kushtetuese që drejtpërdrejt përcaktojnë statusin e tyre.

Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit jetëshkurtër të armatosur në vitin 2001, ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave maqedonase të sigurisë duke i garantuar më shumë të drejta komunitetit shqiptar. 

Dispozitat e saj më vonë u mishëruan në kushtetutën që iu jep status special dhe të drejta pakicave të cilat kalojnë 20% të popullsisë së përgjithshme.  

Kjo do të thotë, ndër të tjera, që gjuha shqipe njihet si gjuhë zyrtare përkrah gjuhës maqedonase në komunat ku shqiptarët përbëjnë së paku 20% të popullsisë.

Regjistrimi i mëparshëm i popullsisë, që u organizua në vitin 2002, zbuloi se shqiptarët përbëjnë 25% të popullsisë; shumë më shumë se sa shifrat e mëhershme të shënuara në vitet 1990.

Por, që nga ajo kohë partia, në pushtet VMRO DPMNE ka pretenduar që regjistrimi i popullsisë, që u organizua nën qeverisjen e social-demokratëve, i ka “shtuar” rreth 120 000 shqiptarë të cilët në vërtetë jetonin jashtë vendit. Ata pohojnë që kjo gjë në mënyrë “artificiale” ka rritur përqindjen e shqiptarëve nga 18 në 25 % të popullsisë.   

“Ky pretendim ka një mangësi” thotë Pendarovski. “E njëjta metodologji që u lejua [gjatë regjistrimit të vitit 2002) për regjistrimin e shqiptarëve  të cilët jetonin dhe punonin jashtë është zbatuar edhe për maqedonasit”. 

Megjithatë VMRO DPMNE mbetet e vendosur në pretendimin e saj që përqindja e shqiptarëve në vend është më e vogël se 25%. 

Në një reagim për shtypin ndaj sulmeve të social-demokratëve për regjistrimin e dështuar të popullsisë, partia deklaroi: “Ne nuk do të lejojmë falsifikimin e regjistrimit të popullsisë, si shtimi i 120 000 shqiptarëve nga Social-demokratët në vitin 2002.” 

Maqedonia veç e ka shtyrë regjistrimin e popullsisë një herë më herët gjatë këtij viti. Fillimisht, ai ishte planifikuar që të mbahej në prill. Por shqiptarët këmbëngulën që regjistrimi të shtyhej për në verë, në kohën kur shumë shqiptarë të cilët jetojnë jashtë kthehen në shtëpi për pushime. 

Arsyetimi zyrtar për shtyrjen e datës së regjistrimit për në tetor ishte mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në qershor.

Ordanoski thotë që partitë në pushtet duket se dështuan të bien dakord që më parë në lidhje me rezultatet e regjistrimit të popullsisë dhe kështu të shmangin problemet e mëpasshme politike.   

Kjo çoi në interpretime të ndryshme të ligjit për regjistrim të popullsisë nga anëtarët e komisionit, një ngatërresë që më pas u ndërlikua aq shumë sa që regjistruesit nuk dinin se çfarë udhëzimesh të zbatonin.

Ordanoski thotë që regjistrimi i popullsisë u prish atëherë kur qeveria kuptoi se po shkonte drejt një përplasjeje politike, nga e cila asnjëri nuk do të kishte ndonjë dobi.   

“Çfarëdo rezultati i regjistrimit të popullsisë që do të dallonte në mënyrë drastike nga ai i kaluari (i vitit 2002) do të shkaktonte një tërmet politik” thotë Ordanoski. 

“Nëse regjistrimi i ri i popullsisë do të tregonte se shqiptarët janë më pak se 20%, atëherë do të vihej në pikëpyetje marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimi i kushtetutës dhe këto janë themeli i shoqërisë shumetnike të Maqedonisë” thotë Pendarovski. 

“Në këtë mënyrë,  VMRO DPMNE mund ta arsyetojë pikëpamjen e vet [që numri i shqiptarëve është rritur artificialisht] përpara votuesve të saj” shton  Ordanoski. 

Ndërkohë, shqiptarët mund të pretendojnë që autoritetet janë të frikësuara nga gjendja e vërtetë demografike të vendit. 

Koalicioni qeveritar varet nga mbështetja parlamentare e BDI-së.

Vëzhguesit thonë BDI-ja me gjasë do të dilte nga qeveria po që se regjistrimi i popullsisë do të tregonte se shqiptarët përbënin më pak se 25% të popullsisë, duke qenë se votuesit shqiptarë për këtë fakt do ta fajësonin këtë parti.

Por nëse rezultatet do të tregonin se shqiptarët përbënin më shumë se 25% të popullsisë, kjo do të ishte një gjë shkatërruese për nacionalistët maqedonas të Gruevskit.

“Gruevski nuk do të ishte në gjendje që të paraqiste një rezultat të tillë para anëtarëve të partisë së tij” thotë Pendarovski. 

Analisti politik Jovan Donev, drejtor i institutit Euro-Ballkanik në Shkup, i sheh gjërat me një sy tjetër. Ai thotë që shqiptarët minuan regjistrimin e popullsisë duke u përpjekur që ta fryjnë numrin e tyre dhe duke mos respektuar ligjin.  

“Ata nuk kanë pritur që Kryeministri do ta ndalte regjistrimin e popullsisë” thotë ai. Donev thotë që ndonëse “askush nuk kishte besuar që regjistrimi i popullsisë i vitit 2002 ishte i vërtetë”, “kjo nuk kishte më rëndësi” për shkak se shqiptarët tashmë kishin fituar të drejtat e tyre dhe unë nuk besoj se ndonjë politikan me mendje të shëndoshë do të guxonte që t’i kthente gjërat mbrapsht”.

Ai konsideron se nuk do të organizohet një regjistrim i ri i popullsisë shumë shpejt. “Ne do të mund të organizojmë një regjistrim të ri të popullsisë vetëm atëherë kur shqiptarët e kuptojnë që ky është një operacion statistikor e jo politik” thotë Donev, duke pohuar “se na duhet pak kohë që të qetësohen gjakrat”.