Kosova dhe Serbia, ‘Parajsë’ për Kriminelët

Lemja Xhema u prit si heroinë kur mbërriti në qytetin e Fushë Kosovës pranë Prishtinës në fillim të këtij muaji, duke bërë fushatë për vota për zgjedhjet komunale.

Megjithatë, në disa vende të tjera, Xhema do të kishte qenë në burg e jo të kandidonte për zgjedhje.

Ish-drejtoresha e Postës dhe Telekomit të Kosovës u shpall fajtore për korrupsion në vitin 2008 dhe u dënua me tre vjet burg.

Por para se Gjykata e Lartë të konfirmonte dënimin në vitin 2011, ajo u arratis, sipas raporteve në qytetin e saj të lindjes Medvegjë në Serbi.

Një urdhër arresti Interpolit është lëshuar nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK-u, në emër të autoriteteve të Prishtinës për shkak se Kosova nuk është anëtare në organizatat ndërkombëtare policore.

Por pasi statuti i kufizimeve në çështjen e saj skadoi në maj të vitit 2014, emri i Xhemës u hoq nga lista e të kërkuarve nga Interpoli dhe autoritetet e Kosovës nuk vazhduan ta ndiqnin më atë.

Kriminelët si Xhema kanë qenë vazhdimisht në gjendje t’i shmangen drejtësisë në Kosovë duke u larguar në vende të tjera dhe në këtë mënyrë kanë shmangur kohën që duhet të kalonin në burg.

Të arratisurit mund të rikthehen pa frikën e arrestimit nëse ata nuk ekstradohen në kohë për shkak të statutit të kufizimeve në Kodin Penal të Kosovës.

Ekspertët ligjorë në Kosovë pohojnë se kriminelët mund të jetojnë lirshëm si të arratisur, sepse Prishtina nuk është ende anëtare e institucioneve policore të Interpolit dhe Europolit që do të ndihmonin me ekstradimet.

Çështja e pavarësisë së Kosovës

Edhe të arratisurit nga Serbia mund t’i shpëtojnë burgut duke ikur në zonën veriore të Kosovës, zonë me shumicë popullsie serbe, sepse Beogradi nuk kërkon ekstradimin e kriminelëve të tij kur ata arrestohen nga policia e Prishtinës.

Kjo për shkak se qeveria serbe nuk pranon asnjë dokument nga gjykatat e Kosovës, sepse ajo nuk i njeh pretendimet autoriteteve të Prishtinës për pavarësi.

Serbia refuzon gjithashtu të bashkëpunojë kur kriminelët kosovarë të kërkuar nga Interpoli fshihen në Serbi.

Ministria e drejtësisë në Prishtinë tha se ajo ka një marrëveshje teknike misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, për të lehtësuar çështjet e ekstradimit me vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Ne kemi këtë linjë komunikimi me Serbinë,” tha për BIRN zyra e shtypit e ministrisë.

Ministria e drejtësisë nuk pranoi megjithatë të thotë se sa marrëveshje bilaterale për ekstradim ka me vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Por problemet e ekstradimit nënkuptojnë se disa kriminelë të dënuar ia hedhin paq.

Një shembull i profilit të lartë është ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili në vitin 2011 u dënua me tre vjet burg për grabitje dhe për armëmbajtje të paligjshme.

Gjykata e Lartë konfirmoi dënimin në vitin 2012, por Zharku u arratis në Suedi dhe nuk mund të ekstradohet në Kosovë, sepse ai ka nënshtetësi suedeze.

Kur u pyetën nëse EULEX-i mund të ofrojë ndihmë në raste të tilla ekstradimi, zëdhënësja Besa Domi u përgjigj: “Nëse ka një urdhër të vlefshëm për arrestimin e këtyre personave, është në dorë të Policisë së Kosovës të ekzekutojë urdhrin.”

Frikë nga ndjekjet penale për krime lufte

Problemet kryesore të Kosovës rrjedhin nga fakti se ajo nuk është anëtare e organizatave policore ndërkombëtare si Interpol dhe Europol, tha Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Korenica tha se qeveria serbe ka problemet e veta kur bëhet fjalë për kërkesat për ekstradim për të arratisurit që fshihen në Kosovë.

“Serbia nuk ka qenë kurrë e interesuar të ketë një marrëveshje dypalëshe me Kosovën për çështjen e ekstradimit, sepse ne, Kosova, do të kërkonim që të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer krime lufte në Kosovë të kthehen mbrapsht këtu,” tha Korenica.

Një incident më herët këtë vit vuri në dukje pikëpamjen e Korenicës.

Në shkurt, në bazë të një kërkese nga UNMIK-u, Interpoli lëshoi ‘njoftime të kuqe’ për 17 ish-anëtarë të forcave serbe, përfshirë një deputet të partisë qeverisëse, për akuza se kanë kryer krime lufte në Kosovë në prill të vitit 1999.

Njoftimet, gjëja më e afërt me një urdhër arresti ndërkombëtar, u lëshuan si rezultat i një hetimi nga ana e EULEX-it për krime të kryera në fshatrat Mejë, Korenicë, Orizë dhe të tjerë në zonën e Reka e Keqe gjatë konfliktit në Kosovë.

Pjesa më e madhe e tyre jetojnë në Seri, por Beogradi refuzon t’i arrestojë ata për dy arsye – sepse Serbia nuk i ekstradon qytetarët e saj për krime lufte për aq kohë sa ata janë të mbrojtur nga kushtetuta dhe për shkak se ajo nuk i njeh autoritetet në Kosovë.

Sipas Korenicëc, qeveria e Kosovës ka refuzuar një rekomandim nga grupe të shoqërisë civile në Prishtinë për të përfshirë një marrëveshje ekstradimi si kusht në dialogun e ndërmjetësuar në Bruksel me Serbinë me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Marrëveshja e fundit midis Kosovës dhe Serbisë për të sjellë gjykata në veriun e mbizotëruar nga serbët, i cili është nën kontrollin legjislativ të Prishtinës, nuk është e mjaftueshme, u shpreh Korenica.

“Kosova është shndërruar në një territori me njerëz që kërkohen nga ligji. Këta njerëz mund të kryejnë krime këtu dhe më pas mund të shkojnë kudo në boitë, duke ndenjur të lirë dhe duke mos u ndjekur nga forcat e drejtësisë,” tha ai.

Veriu i Kosovës ‘parajsa e sigurt’

Predrag Vulicevic, një qytetar serb i njohur si “Pedja”, u arrestua në mars të vitit 2015 nga policia e Kosovës në veri të qytetit të ndarë të Mitrovicës me një urdhër arrest të Interpolit i cili ishte lëshuar nga autoritetet serbe.

Ai u arratis nga Serbia për të shmangur një dënim me tre vjet burg për trafik droge dhe vepra të tjera penale.

Vulicevic ishte në paraburgim në Kosovë, por u lirua më pas, tha avokati i tij për BIRN.

“Tani ai është i lirë. Ai u lirua nga paraburgimi, sepse Serbia nuk paraqiti kërkesë ekstradimi,” tha avokati Kapllan Baruti.

Në shkurt 2015, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje mbi integrimin e gjykatave në kontrollin e kontrolluar nga serbët në veri të Kosovës në sistemin gjyqësor të Kosovës – një përpjekje kjo për të mbushur boshllëkun e drejtësisë në veri të vendit.

Por Naim Rashiti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizaës tha se nuk mjafton vetëm integrimi i gjykatësve dhe prokurorëve serbë në sistemin e Kosovës.

“Edhe pas integrimit të gjykatësve dhe prokurorëve në veri, realisht do të ketë shumë pak ndikim për shkak se Serbia nuk e njeh autoritetin e Prishtinës, ajo nuk i njeh vendimet e gjykatave të Kosovës dhe anasjelltas,” tha Rashiti për BIRN.

“Serbisë i mungon ende vullneti për të komunikuar me Prishtinën. Është e ndaluar me ligj për ta,” tha ai, duke iu referuar refuzimit të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Rashiti tha se vakumi institucional dhe mungesa e bashkëpunimit e shndërroi pjesën veriore të Kosovës një strehë të sigurt për kriminelët serbë.

“Është politika ajo që bëri të ndodhte kjo gjë. Kriminelët janë lejuar të fshihen në veri dhe ata shkaktojnë shumë probleme,” tha Rashiti.

Ndërkohë Kreshnik Gashi nga emisionin javor i BIRN-it “Drejtësia në Kosovë” kritikoi gjykatësit vendas të cilët nuk ndërmarrin hapa urgjente për të parandaluar arratisjen e kriminelëve, sidomos kur ata kanë gjithashtu edhe nënshtetësi nga një vend tjetër në të cilin ata mund të strehohen lirshëm pa frikën e ekstradimit.

“Në raste të tilla, gjykatat duhet të vendosin t’u konfiskojnë pasaportat dhe dokumentet e udhëtimit personave të akuzuar,” tha Gashi.

Ai paralajmëroi se për aq kohë sa Serbia refuzon të arrestojë njerëzit e kërkuar nga Kosova dhe anasjelltas, kriminelët do të vazhdojë të shfrytëzojnë këto mundësi për t’i shpëtuar drejtësisë.