Gjykata Speciale-Ja si do të Funksionojë

Ligji prej 50 faqesh mbi Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar, i cili u negociua midis BE-së dhe Kosovës, më në fund u miratua këtë javë nga parlamenti i Kosovës, pas muajsh të tërë debatesh të hidhura, protestash në rrugë, spekulime nëpër media dhhe vonesa të shkaktuara nga opozita politike mbi legjislacionin që do të shohë ish-luftëtarëve të UÇK-së – të cilët shihen si heronj të luftës çlirimtare në Kosovë – të dalin para gjyqit.

Krijimi i të ashtuquajturave ‘dhoma të specializuara’ vjen pasi Task Forca Hulumtuese Speciale e BE-së në korrik të vitit të kaluar publikoi rezultatet e hetimit të saj trevjeçar mbi akuzat e bëra fillimisht nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili pretendoi se krime kundër civilëve si për shembull rrëmbim, torturim dhe trafikim organesh janë kryer nga pjesëtarët e UÇK-së gjatë konfliktit të Kosovës.

Task Forca e BE-së tha se kishte kryer hetimin më të plotë deri tani për krime të kryera nga UÇK-ja, duke shpjeguar se si rezultat i kësaj, ajo do të jetë në gjendje të paditë autorë të nivelit të lartë, kur gjykatat e reja të fillojnë punën e tyre.

Që atëherë BE-ja dhe SHBA-ja e kanë nxitur qeverinë e Kosovës të sigurohet që ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjet futen në librat e dekreteve. Ata besojnë se gjykata është e nevojshme për shkak se sistemi gjyqësor i Kosovës nuk do të jetë në gjendje apo i gatshëm të ndjekë penalisht siç duhet ish-personalitete të larta të UÇK-së dhe EULEX-i nuk ka kapacitet për ta bërë këtë.

Votimi i parë në parlamentin e Kosovës muajin e kaluar dështoi për shkak të mungesës së mbështetjes nga deputetët, por pas presioneve të mëtejshme, duke përfshirë edhe kërcënimin që Këshilli i Sigurimit të OKB-së mund të ngrejë gjykatën e tij për të gjykuar ish-luftëtarët e UÇK-së, ata më në fund e miratuan atë ditën e hënë.

Gjykata, e cila pritet të jetë plotësisht funksionale në rrjedhën e gjashtë muajve deri brenda një viti, do të adresojë akuzat se luftëtarët e UÇK-së janë përfshirë në vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe persekutim të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besoheshin se ishin bashkëpunëtorë me regjimi serb apo kundërshtarët politikë të udhëheqjes së UÇK-së gjatë dhe pas konfliktit të viteve 1998-1999.

Ndalimet dhe trafikimi i organeve

Ligji i ri për Zyrat Speciale dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar përcakton dhe rregullon organizimin, funksionet dhe juridiksionin e gjykatës së re.

Sipas legjislacionit, të cilin BIRN e ka parë, “dhomat e specializuara” do të jenë të pavarura nga sistemi gjyqësor i Kosovës, por do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ligji thotë se “dhomat e specializuara do t’i bashkëngjiten çdo niveli të sistemit të gjykatave në Kosovë: Gjykatës Të shkallës së parë të Prishtinës, Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese”. Dhomat do të kenë përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera në Kosovë.

Gjykata do të ndodhet në Kosovë, por edhe në një të ashtuquajtur ‘shtet pritës’. BE-ja i ka kërkuar tashmë Holandës të jetë shteti mikpritës për gjykatën dhe pritet që Kosova dhe Holanda të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje, e cila do të rregullojë funksionimin e gjykatës. Sipas ligjit “gjykata mund të ngrihet diku tjetër në kushte të jashtëzakonshme nëse është e nevojshme”.

Dhomat specializuara do të kenë juridiksion mbi krimet që kanë ndodhur midis të 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, dhe që ose janë kryer ose janë filluar në Kosovë, që do të thotë se ajo mund të ndjek gjithashtu penalisht krimet e kryera në Shqipëri, duke qenë se shumë nga të burgosurit që u morën nga UÇK-ja më vonë u ndaluan në kampet në veri të Shqipërisë.

Dhomat do të jenë në gjendje të ndjekin penalisht krimet kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, shfarosje, skllavërim, dëbim, burgosje, torturë, përdhunimit, zhdukje dhe persekutime të tjera mbi baza politike, racore, etnike ose fetare. Ajo gjithashtu do të ndjekë penalisht krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të ligjit – përfshirë shkatërrimin e pronës së civilëve, qytete, fshatra dhe ndërtesa fetare.

Në nenin 14 të legjislacionit, në mënyrë specifike thuhet se ajo mund të ndjekë penalisht edhe një krim ai e përshkruan si “nënshtrim i personave që janë në fuqinë e një pale kundërshtare, deri te gjymtime fizike ose eksperimente mjekësore apo shkencore të çdo lloji, të cilat nuk arsyetohen në bazë të asnjë trajtimi mjekësor , dentar apo spitalor “.

Kjo dispozitë është shtuar posaçërisht për të trajtuar rastet e mundshme të pretenduar të trafikut të organeve, pasi Task Forca e BE-së arriti në përfundimin se kishte prova se kjo gjë kishte ndodhur, por vetëm në një shkallë shumë të kufizuar. “Një numër i vogël individësh u vranë me qëllim marrjen dhe trafikimin e organeve të tyre,” thuhej në raportin e Task Forcës.

Ai megjithatë paralajmëroi gjithashtu se hetuesit “hasën sfida të mëdha për sigurimin e provave të tilla” dhe sugjeroi se do të ishte e vështirë të ngrije padi për dyshime për trafikim organesh.

Gjykata e re në Kosovë shihet gjerësisht si një fyerje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndaj të luftës së saj për liri nga sundimi shtypës serb, por ligji thotë se gjykata do të merret vetëm me përgjegjësi penale individuale.

Shumë besojnë se politikanët e lartë të Kosovës do të përfundojnë në bankën e të akuzuarve, përfshirë Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi, i cili është ish-shefi politik i UÇK-së. Raporti i Këshillit të Evropës ngriti akuzat serioze kundër Thaçit, të cilat ai i mohoi me vendosmëri.

Por ligji e bën të qartë se asnjë zyrtar nuk do të mbetet jashtë ndjekjes penale nga gjykata e re. “Qëndrimi zyrtar i çdo personi të akuzuar, duke përfshirë kreun e shtetit ose qeverisë apo ndonjë zyrtar përgjegjës të qeverisë, nuk e liron një person të tillë nga përgjegjësitë penale dhe as e zbut dënimin,” tha ajo.

Gjykatës ndërkombëtarë, financim i BE-së

Dhomat e specializuara do të përbëhet nga dy institucione kryesore – dhoma dhe regjistri. Dhoma do të përfshijë një dhomë të gjykatës së shkallës së parë, dhomën e gjykatës së apelit, atë të shkallës së lartë dhe dhomën e gjykatës kushtetuese. Të gjithë panelet gjykues në të gjitha nivelet e gjykatave do të përbëhet nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë.

Regjistri do të përfshijë një zyrë mbrojtjeje, zyrën e pjesëmarrjes së viktimave (e cila do të përfaqësojë interesat e viktimave), mbrojtjen e dëshmitarëve dhe zyrë mbështetjeje, njësinë e menaxhimit të njësisë dhe zyrën e avokatit të popullit. Gjuhët zyrtare të gjykatës do të jenë shqip, serbisht dhe anglisht.

Zyra e prokurorisë do të jetë e pavarur dhe pritet që kryeprokurori i Task Forcës Hulumtuese Speciale e BE-së, David Schwendiman, të fillojë punë menjëherë pasi zyra të themelohet. Ai do të ketë një mandat katër vjeçar me një shtyrje të mundshme. Prokuroria do të ketë gjithashtu polici me autoritetin dhe përgjegjësinë për të ushtruar çdo kompetencë të dhënë nga policia e Kosovës.

Prokuroria mundet, në raste të veçanta, të përdorë prova të sjella nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe gjykatat e Kosovës. Statusi, privilegjet dhe imunitetet e atyre që punojnë për gjykatën e re do të jenë të njëjtë me ato që gëzon misioni i sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX-i.

Shpenzimet e gjykatës nuk do të paguhen nga Kosova, dhe priten të financohen nga BE-ja. Buxheti vjetor nuk përmendet në legjislacion. Arkiva dhe dokumentet e gjykatës do të mbahen në një vend të posaçëm për këtë jashtë Kosovës.

Kur vjen fjala të ndalimi, policia do të ketë 48 orë kohë nga arrestimi për ta sjellë të dyshuarin para gjykatësit, i cili do të vendosë për ndalimin. Ndërtesa e burgut të kësaj gjykate do të jenë në ‘shtetin pritës ” – në Holandë. Do të ekzistojë gjithashtu mundësia e lirisë me kusht dhe arrestit shtëpiak, si edhe ndalimi i afrimit në vende specifike.

Dënimi maksimal që dhomat do të jenë në gjendje të imponojnë është burgimi i përjetshëm. Të pandehurit mund të apelojnë kundër vendimit fillestar, por nuk do të ketë një gjykim të ri. Sipas ligjit, e ashtuquajtura gjykata e apelit “mund të pohojë, ndryshojë ose rishikojë gjykimin” e trupit gjykues. Ligji gjithashtu parasheh procedura apeli prej tri shkallësh.

Të pandehurit që shpallen fajtorë do ta kryejnë dënimin e tyre në burgjet në shtetet e gatshëm për t’i pranuar ata. I njëjti model është përdorur tashmë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, por gjykata e re nuk ka nënshkruar ende marrëveshje me vendet që mund të jenë të interesuara, edhe pse pritet që këto vende do të jenë brenda BE-së.