E kaluara Politike e Dy Kandidatëve për Kushtetuese

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten pritet të votojnë për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për këtë pozitë aktualisht janë në kandidim gjashtë persona të cilët synojnë dy pozita për gjyqtar të gjykatës më të lartë në vend.  Nga 15 sa ishin në konkurrim, Komisioni për Legjislacion ka vlerësuar me më së shumti pikë gjashtë kandidatë. Parlamentarët do të votojnë për gjyqtarë në Kushtetuese dy prej këtyre gjashtë kandidatëve. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga Sekretariati i Kuvendit që të ketë qasje në vlerësimin që ka bërë Komisioni për Legjislacion për gjashtë kandidatët. Kuvendi i Kosovës ende nuk ka lejuar qasje në këto dokumente. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga kandidatët biografitë e tyre. Pesë prej tyre i kanë dërguar ato, përveç kandidatit Hashim Çollaku.

Por çfarë kanë punuar në të kaluarën dhe cila është përgatitja profesionale e kandidatëve për gjyqtarë në Gykatën Kushtetuese?

Safet Hoxha 

Safet Hoxha aktualisht mban pozitën e kryetarit të Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), një trupë e pavarur nga ekzekutivi, por që i raporton Kuvendit të Kosovës dhe që është, ndër të tjera, përgjegjëse “për të vëzhguar dhe mbikëqyrur zbatimin e dispozitave të ligjit dhe të rregullave të prokurimit publik”.

Gazeta Jeta në Kosovë me 10 dhjetor 2012  pati raportuar se si zyrtari kryesor i tenderëve kishte qenë i pranishëm në tubimin e PDK-së në Suharekë ku u rizgjodh për kryetar dege deputeti Ramë Vataj.  Hoxha asokohe pati pranuar se mori pjesë në tubim, por pati deklaruar se ishte aty vetëm si mysafir.

Gazeta Jeta në Kosovë po ashtu më 28 janar 2013 pati raportuar se si kreu i KRPP-së kishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të PDK-së. Ai u  kandidua në mesin 275 delegatëve, si delegat nga Suhareka, për të zënë një vend në Këshillin Drejtues të përgjithshëm të PDK-së, që do t’i ketë 151 anëtarë.

Asokohe Hoxha pati thënë për Gazetës Jeta në Kosovë se ligjërisht nuk e ka të ndaluar që të jetë pjesë e strukturës së një subjekti politik. 

“Nuk jam i interesuar për të punuar në kundërshtim me ligjin dhe në rast se ligji më ndalon një gjë të tillë, unë jam i gatshëm të heq dorë nga strukturat partiake”, i tha Hoxha Gazetës Jeta në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga Hoxha që të dërgojë një biografi të tij. Ai tregoi se më herët ka qenë asamblist i PDK-së në Suharekë.

Ka lindur më 19 janar të vitit 1968. Ka kryer shkollën fillore në Bllacë të Suharekës. Të mesmen në Suharekë dhe studimet në Prishtinë në Fakultetin Juridik. 

Ka qenë më herët profesor në Shkollën Teknike “Skënder Luarasi”, dhe aktualisht është profesor në Fakultetin Juridik në Prizren.

Hoxha komentoi edhe pyetjet lidhur me aktivitetin e tij në Partinë Demokratike të Kosovës.

“Kandidimi im nuk përbën shkelje ligjore. Kam qenë asamblist dhe e kam përfunduar moti këtë punë. Të qenit asamblist nuk është e sanksionuar me ligj”, tha Hoxha. 

Ai tha se do të kryej punën e tij duke u bazuar në ligj e kushtetutë dhe në rregulloren e punës dhe në vendimet e tij nuk do të ketë qëndrime politike. 

Selvete Gërxhaliu- Krasniqi 

Ka konkurruar në zgjedhjet e vitit 2014 për deputete të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk ka arritur të mbledhë vota për të qenë ligjvënëse e legjislaturës së pestë në Kosovë.

Gërxhaliu-Krasniqi komentoi të kaluarën e saj.

Sipas saj nuk përbën problem fakti që ka konkurruar për deputete në listën e një partie politike.

“Sa i përket aspektit të ndikimit politik, në votimin në Parlament kërkohen 2/3 e votave të deputetëve,  dhe nëse spektri i gjerë politik  i cili është mjaft heterogjen të voton , automatikisht je jashtë çdo ndikimi politik”, tha ajo.  

Gërxhaliu-Krasniqi tha se nuk është dhe se nuk ka qenë anëtare e asnjë partie politike por garimi në zgjedhje, sipas saj, është e drejtë kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur.
Ajo  i dërgoi Gazetës Jeta në Kosovë biografinë e saj. 

Gërxhaliu-Krasniqi, bazuar në CV-në e saj është juriste me profesion dhe ka studiuar për doktoraturë në Institutin për të Drejtën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Karl Franzens Universitat në Austri.

Prej vitit 1999 ka punuar në tri fusha: eksperte ligjore në hartimin dhe komentimin e ligjeve; në fushën e të drejtave të njeriut si dhe barazi gjinore. Në të gjitha pozitat profesionale është sponzorizuar nga organizatat ndërkombëtare si: OSCE, UN WOMEN,UNDP,UNICEF, si këshilltare e Qeverisë dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës. 

Ligjëron lëndët : E Drejta Kushtetuese, Të Drejtat e Njeriut, Sistemi Qeverisës në Kosovë dhe Integrime Evropiane.  

Ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Filozofik , Departamentin e Pedagogjisë Sociale si dhe në Kolegjin FAMA – në lëndën Krimi i Organizuar. 

Hashim Çollaku 

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” më 7 korrik 2013 kishte raportuar për aksidentin e vogëlushit Endrit Suka nga fshati Bllacë i Suharekës.

 Në këtë rast ishte i përfshirë edhe Hashim Çollaku si prokuror i rastit. Ai në cilësinë e prokurorit asokohe kishte liruar të dyshuarin Dritan Durguti  dhe kishte mbyllur rastin e aksidentit, i cili çoi deri te vdekja e fëmijët Endrit Suka. Familjarët e vogëlushit tetëvjeçar asokohe kishin deklaruar se prokurori Çollaku nuk i kishte njoftuar për pushim të hetimeve.

Ai nuk kishte dashur të komentonte punën e tij në të kaluarën, kur ishte kontaktuar nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”.

Çollaku nuk dërgoi biografinë e tij siç bënë kandidatët tjerë. 

Megjithatë, bazuar në biografinë e Çollakut, e shfaqur në një libër të tij të botuar në vitin 2013, ai është ligjërues në kolegjin AAB, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Prizren si dhe është trajnues në Institutin Gjyqësor të Kosovës. 

 Prej vitit 2000 deri më 2004 ishte gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prizren, ndërsa gjatë viteve ‘90 ka punuar si avokat. Ndërkaq në vitet e ‘80 ka punuar si gjyqtar komunal në Prizren. 

Ka kryer studimet në vitin 1984 në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Është i lindur më 1961 në fshatin Zym të Hasit në Komunën e Prizrenit. 

Gresa Caka

Gresa Caka është kandidatja më e re për gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. 

Ka lindur më 20 gusht të vitit 1981 në Prishtinë. 

Në vitin 2004, Caka ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në 2007-ën ka përfunduar studimet për master në drejtimin -Integrime Evropiane dhe Regjionalizim në Universitetin e Graz-it në Austri. 

Aktualisht është kandidate për doktoraturë në Universitetin e Graz-it në Austri. 

Bazuar në biografinë që  Caka i ka dërguar Gazetës Jeta në Kosovë del se ajo ka 16 vjet përvojë pune në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë.

Caka  është bartëse e disa çmimeve dhe mirënjohjeve, përfshirë pesë “Çmime të Merituara Nderi” nga Departamenti Amerikan i Shtetit për kontribut në fushën e sundimit të ligjit dhe çmimin “Michael K. White Memorial Award” për kontribut në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës etj.

Kandidatja Caka ka mbaruar trajnime të ndryshme duke filluar në Institutin Federal Amerikan, Programi për Liderë – Udhëheqja me Ekipe si dhe për Programin për Liderët në Ngritje. 

Po ashtu Caka ka marrë pjesë edhe në trajnimet e Komisionit Evropian për të Drejtat e Bashkimit Evropian. 

Caka ka qenë pjesë e trajnimeve edhe në Qendrën Gjyqësore Federale në Washington si dhe pjesëmarrëse në trajnime e organizuara nga USAID-i. 

Caka është bartëse e Provimit të Jurisprudencës dhe atë për Përmbarim Privat;

Remzije Istrefi-Peci 

Një  emër tjetër që do të dalë në votim të enjten është Remzije Istrefi-Peci. 

Bazuar në biografinë që ajo ka dërguar, figuron se Istrefi-Peci është prodekane për çështje mësimore në Universitetin e Prishtinës- Fakulteti Juridik. Është profesoreshë-asistente në Fakultetin Juridik që nga viti 2012 si dhe asistente-ligjëruese në Departamentin e Shkencave Politike të UP-së. Istrefi bart edhe shumë çmime për karrierën e saj profesionale.

Remzije Istrefi –Peci ka lindur më 28 gusht 1972. Istrefi është doktorante në Fushën e Drejtësisë Tranzicionale në Graz të Austrisë. 

Në vitin 2009 ajo kreu studimet e doktoraturës në Universitetin e Prishtinës- Departamenti i Shkencave Politike me temën “ Përgjegjësia e Organizatave Ndërkombëtare në Situatat pas Konfliktit: Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)”.

Ndërsa në maj të vitit 200, Istrefi mori titullin L.L.M (Legium Magister) në fushën e Ligjit për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut në Universitetin “Notre Dame”, në Indiana të SHBA-ve. 

Ajo për dhjetë vjet punoi si Këshilltare për të Drejtat e Njeriut në Misionin e OSBE-së në Kosovë, dhe ka shërbyer si këshilltare në institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare duke përfshirë UNDP-në, ECMI-n, KJI-në dhe KIPA-n.  

Istrefi ka publikuar disa artikuj shkencorë në fushën e të drejtave të njeriut dhe ka kontribuar në libra të shumtë që janë publikuar në Evropë. 

Që nga viti 2010 ajo është Menaxhere Ekzekutive e projektit “Tejkalimi i Ndarjes” financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës – projekti më i madh multietnik i zbatuar ndonjëherë në qytetin e ndarë të Mitrovicës.  Që nga viti 2011  Istrefi është arbitre pranë Odës Amerikane të Tregtisë.

Zef Prendrecaj 

Në mesin e gjashtë kandidatëve që do të dalin në votim është edhe Zef Prendrecaj, udhëheqësi aktual i Zyrës së Prokurorit Disiplinor ZPD.

Prendrecaj ka dërguar biografinë e tij në të cilin figuron se këtë post e mban që nga viti 2012. Më herët ishte inspektor gjyqësor në UNMIK. 

Prendrecaj ka lindur më 7 gusht 1976. 

Studimet i filloi në vitin 2001 për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. 

Tre vjet më pas, Prendrecaj fillon studimet në Universitet të Prishtinës në një drejtim tjetër, atë të juridikut dhe e përfundon duke u bërë kështu jurist i diplomuar.

Në vitin 2007, Prendrecaj filloi studimet post-diplomike duke synuar titullin e magjistrit në drejtim penal në Fakultetin Juridik të Universiteti të Prishtinës.

Prendrecaj gjatë karrierës së tij studimore ka mbajtur edhe shumë trajnime që janë organizuar nga UNHCR-ja, USAID-i për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, auditim gjyqësor, inspektor gjyqësor, etikën e gjyqtarëve dhe prokurorëve etj.

Në vitin 2010, Prendrecaj ka dhënë provimin e Jurisprudencës. Në 2012 ka dhënë provimin për gjyqtar dhe prokuror në Institutin Gjyqësor të Kosovës. 

Në vitin 2013 ka dhënë provimin për administrator falimentues në Ministrinë e Drejtësisë. Në 2014-ën është trajnuar për Metodologjinë e Zbatimit të Trajnimeve Gjyqësore në Institutin Gjyqësor të Kosovës.