‘Kuadri i Veçantë’ Pezullohet nga Ministria e Mjedisit

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka suspenduar me pagesë zyrtarin e saj të lartë, Besnik Dërmakun i cili katër muaj më parë kishte filluar punën si udhëheqës i Divizionit të Prokurimit, një prej punëve më të ndjeshme qeveritare.

Gazeta Jeta në Kosovë më 31 mars 2015 kishte shkruar se si MMPH-ja kishte punësuar Dërmakun i cili kishte aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Aso kohe, MMPH-ja e vlerësonte Dërmakun si një kuadër të mirë.

Lajmin për suspendimin e Dërmakut e ka bërë të ditur për Gazetën Jeta në Kosovë, zyrtari i lartë për Informim në MMPH, Fadil Maxhuni. Dërmaku u pezullua në të njëjtën kohë me Naser Bajraktarin që udhëhoqi departamantin e ujërave në këtë ministri.

“Në rastin konkret, pezullimi i zyrtarëve nga MMPH-ja (Dërmaku dhe Bajraktari) është bërë në përputhje me Ligjin për Shërbimin Civil me pagesë prej 50% të pagës, ky pezullim është një masë e përkohshme me karakter parandalues e cila aplikohet për të mundësuar përfundimin sa më të shpejtë të procedurave të cilat janë në proces”, ka thënë Maxhuni.

Besnik Dërmakut, i është kërkuar nëpërmjet telefonit dhe postës elektronike për ta komentuar suspendimin e tij, por ende nuk ka kthyer përgjigje.

Hulumtimi i Gazetës Jeta në Kosovë kishte nxjerrë në pah se Besnik Dërmaku sa ishte udhëheqës prokurimi në Ministrinë e Drejtësisë akuzohej se kishte keqpërdorur pozitën e tij. http://gazetajnk.com/index.php?cid=1,979,9715

Për këto akuza, përfaqësues të MMPH-së deklaronin se nuk kishin qenë në dijeni përderisa kishin punësuar Dërmakun në të njëjtën pozitë në fillim të vitit 2015.

“Jo, MMPH-ja nuk ka dijeni për këtë aktakuzë që ju e theksoni dhe nuk është e obliguar të ketë kësi lloj informacioni, përderisa sistemi i gjyqësisë nuk e thotë fjalën e vet të fundit me ndonjë vendim të formës se prerë”, pati thënë sekretari i MMPH-së, Arben Çitaku për rastin e Besnik Dërmakut.

Çitaku, sekretar në MMPH-së,  përmes Zyrës për Informim të kësaj ministrie, pati deklaruar se Dërmaku ishte tranferuar në këtë ministri nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ku kishte punuar pas largimit nga Ministria e Drejtësisë.

Konkurs publik për angazhimin e Dërmakut nuk kishte pasur. Por Çitaku pati vlerësuar se transferimi është kryer konform ligjit dhe se kuadro si Dërmaku vështirë mund të gjenden.

Çitaku nuk pati dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë kur u pyet se cilat janë cilësitë e Dërmakut që e bëjnë atë të vlerësohet si kuadër

Por pas katër muajsh të punësimit në MMPH, kjo ministri nëpërmjet Zyrës për Informim tha se arsyeja e suspendimit të Dërmakut lidhet me punën e tij në Ministrinë e Drejtësisë.

“Rastet aktuale të pezullimit nuk ndërlidhen me punën brenda MMPH-së, veçanërisht rasti i udhëheqësit të Prokurimit z.Besnik Dërmaku i cili ndërlidhet me Ministrinë e Drejtësisë e që MMPH-ja deri më tani nuk ka qenë në dijeni”, tha Maxhuni duke iu referuar pezullimit të Dërmakut dhe të Naser Bajraktarit që udhëhoqi departamentin e ujërave në Ministrinë e Mjedisit.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi para disa ditësh lidhur me arsyet e pezullimit të Bajraktarit nga pozita e tij.
http://gazetajnk.com/?cid=1,1018,9772

Ndërsa Besnik Dërmaku për Gazetën Jeta në Kosovë pati pranuar që ka aktakuzë të ngritur ndaj tij, por tha se kjo nuk e penalizon për shkak se nuk ekziston një vendim i prerë.

“Jo. Për faktin se derisa nuk ekziston vendimi i formës së prerë dhe derisa aktakuza ka të bëjë me një institucion tjetër ku me vetëdëshirë kam dhënë dorëheqje”, tha Dërmaku.