Lufta për Njohjen e Diplomave

Në një të premte të qetë e nën rrezet e diellit, në fshatin Koretishtë afër Gjilanit nxënësit po rrjedhin lum nga shkolla Bora Stankoviq, duke u bërë gati për fundjavë.

Kjo shkollë të cilën e vijojnë 95 nxënës ende vazhdon të funksionojë nën sistemin arsimor të Serbisë, me planprogram dhe fonde nga Serbia, edhe pse është qeveria e Kosovës ajo që e paguan faturën e energjisë elektrike.

Vezët e lyera për Pashkët Ortodokse stolisin një tavolinë në katin e dytë, ndërsa muralet e të shenjtit të Kishës Ortodokse Serbe Shën Savës mirëpresin nxënësit në korridorin e shkollës.

Zyra e Drejtorit të Shkollës, Predrag Gjekiqit, është përplot vizatime e piktura të bëra me rastin e 70-vjetorit të shkollës që u festua në muajin mars.

Edhe pse Bora Stankoviq ka gjasa të jetë një nga shkollat më të vjetra të Kosovës, Gjekiqi është i fokusuar drejt së ardhmes: ai përkrah integrimin e komunitetit të tij në shoqërinë kosovare, duke thënë se nxënësit duhet të kenë mundësi të mësojnë gjuhën shqipe.

Sekretari i shkollës, Bozhidar Vasiq, i lindur dhe i rritur në të njëjtin fshat, pajtohet me të. Ai ka punuar këtu pesë vite dhe vërtetë i pëlqen puna e tij, por tani është duke u ndjerë pak parehati.

Vasiqi ka diplomuar në fakultetin juridik në Novi Sad të Serbisë, andaj ambicie e vërtetë e tij është që të bëhet avokat.

“Unë jetoj këtu [në Kosovë], andaj është logjike që të jem pjesë e sistemit juridik të saj,” thotë ai. “Unë jam prej atyre që duan të integrohen.”

Megjithatë, për fat të keq të tij dhe shumë të tjerëve, Serbia dhe Kosova ende nuk njohin diplomat universitare të njëra-tjetrës, përkundër faktit se kanë arritur marrëveshje për këtë.

Kjo përbën problem serioz për pakicat kombëtare të të dyja vendeve, ngase asnjërës nuk i ofrohet arsim i lartë në gjuhë tjera përveç gjuhës së shumicës së popullatës.

Serbët në Kosovë të cilët duan të ndjekin studime të larta në gjuhë amtare duhet të vijojnë Universitetin e Prishtinës i cili është transferuar në Mitrovicë të Veriut, të cilin sistemi arsimor i Kosovës nuk e njeh, apo të vijojnë ndonjë universitet në Serbi. Shumë shqiptarë nga Serbia vendosin që të arsimohen në Kosovë.

Në nëntor të vitit 2011, falë presionit nga BE, ekspertët teknikë nga të dyja vendet u pajtuan për një marrëveshje që lehtëson njohjen e ndërsjellë të diplomave. Por, kjo marrëveshje nuk përfshinte universitetin në Mitrovicën e Veriut.

Ndërmjetësimi i OJQ-së holandeze

Dy palët u pajtuan që SPARK, një OJQ holandeze, do t’i dërgonte aplikacionet për certifikim pranë Asociacionit Evropian të Universiteteve (EUA), një organizatë e vendosur në Bruksel e cila përfaqëson institucione të arsimit të lartë në 47 shtete.

Tri vite e gjysmë më vonë, EUA ka certifikuar mbi 300 diploma nga Kosova dhe 25 nga Serbia.
Por, vetëm pesë diploma janë njohur – të gjitha nga Kosova.

“Asnjë nga dokumentet e lëshuara për kandidatët me tituj të fituar në Serbi nuk janë njohur në Kosovë,” pranon Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit i Kosovës, duke ia lënë fajin për këtë mungesës së një udhëzimi administrativ që do ta rregullonte procedurën në ministri.

Ai thotë se ministria, në bashkëpunim me SPARK, është në fazat e fundit të hartimit të udhëzimit administrativ për procedurat e trajtimit të diplomave të shkollave të mesme dhe fakulteteve të Serbisë.

Ministrja e Kosovës përgjegjëse për dialogun me Serbinë, i cili zhvillohet nën ndërmjetësimin e BE-së, Edita Tahiri, thotë se dështimi i Kosovës për të njohur diplomat serbe ishte edhe kthim borxhi për një procedurë shtesë të cilën Serbia e kishte vënë për pesë studentët nga Kosova diplomat e së cilëve u njohën.

“Ne vetëm duhet të zbatojmë marrëveshjet që i kemi arritur,” tha ajo. “Ne nuk jemi të gatshëm ta hapim asnjë prej marrëveshjeve të arritura. Nëse e hapim këtë, atëherë mund të kërkohet hapja e cilësdo marrëveshje.”

Në maj të vitit 2014, Gjykata Kushtetuese e Serbisë kishte vlerësuar se dekreti qeveritar për njohjen e diplomave të Kosovës ishte jokushtetues. Megjithatë, në nëntorin e të njëjtit vit, Qeveria e Serbisë nxori një dekret të ri që mundësonte njohjen.

Një zëdhënëse e ministrisë së arsimit të Serbisë nuk ishte në gjendje të na tregojë sa diploma nga Kosova i ka njohur Serbia, pasi që sistemi në Serbi është i decentralizuar. Por, drejtori ekzekutiv i SPARK, Yannik DuPont, konfirmoi së paku pesë sish.

Vasiq ndërkohë ka shpenzuar qindra euro për t’i përkthyer diplomën e tij në anglisht, për të udhëtuar në Beograd dhe parashtruar atë pranë SPARK dhe për të përmbushur kriteret e përcaktuara për këtë proces. Por, e tëra ishte pa rezultat.

“Unë dua të rri këtu në Koretishtë me familjen time, por këto marrëveshje politike po e bëjnë këtë të pamundur,” thotë ai.

Punësimi i zorshëm në Medvegjë i të diplomuarve në Kosovë

Në anën tjetër të kufirit, në Medvegjë, Besa Ismajli ndien frustrim të ngjashëm.

Asnjë shqiptar në këtë vendbanim nuk shërben në shërbimin policor, edhe pse shumica e komunitetit është shqiptar. Ismajli ka studiuar në Prishtinë për tu edukuar në gjuhën e saj amtare, dhe ka diplomuar në vitin 2008. Ajo vazhdon studimet në nivelin master në kriminologji, sërish në Prishtinë.

Tani, ajo punon si mësimdhënëse në shkollën fillore dhe ka filluar të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm për njohjen e diplomave: përkthimin, aplikimin përmes SPARK në EUA, dhe hapat tjerë shtesë pranë një universiteti në Serbinë jugore.

“Këtë proces e kam filluar para më se dy vitesh,” shpjegon ajo. “Po më sjellin mes Ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe Universitetit të Nishit, ethe pse ata fare nuk kanë program të kriminologjisë.

“Kur e nënshkruan këtë marrëveshje na thanë se një derë u hap, dhe se nëse do të veproja si kërkohej diploma ime do të njihej; thanë se kjo do ta na lehtësonte jetën.”

“Dy vite më pas nuk mund t’u besoj më. Nuk jam e sigurt nëse ky proces i njohjes së diplomave ishte serioz apo nëse kishte për qëllim vetëm shmangien e vëmendjes nga ky problem,” shtoi ajo.

Pa njohje të diplomës së saj të fituar në Prishtinë nga Serbia ajo nuk është e sigurt se do të jetë në gjendje të mbajë veten dhe familjen e saj.

“Pasi që nuk mund të punoj në polici, jam duke punuar si mësimdhënëse në një shkollë fillore, por çdo ditë frikohem se drejtori do më shpie në shtëpi sepse [pa njohje të diplomës] nuk jam e kualifikuar as për këtë vend pune,” thotë Ismajli.

Problemi i diplomave prek edhe pakicat tjera

Problemet lidhur me diplomat prekin edhe pakicën jo serbe në Kosovë. Edis Jonuzi, boshnjak nga Prizreni, si dhe disa miq të tij, janë përpjekur që të sigurojnë njohjen e diplomave që i kanë fituar në Serbi nga autoritetet kosovare.

Jonuzi nuk do të mund të studionte në Serbi me pasaportë të Kosovës, pasi që kosovarët nuk mund të qëndrojnë në Serbi mbi 15 ditë njëkohësisht, por ai është i pajisur edhe me pasaportë serbe.

Edhe dokumentet e shkollës së mesme duhet të jenë të pranueshme për Serbinë; dokumentet e lëshuara në Kosovë nuk janë të pranueshme, por Jonuzi shkollën e mesme e ka kryer në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.

Teksa pinim kafe në Prizren ai na tregoi grumbullin e kërkesave zyrtare të parashtruara në institucione të cilat do të mund t’i ndihmonin: Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë, Zyrës së Kryeministrit, Avokatit të Popullit, Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Samuel Zhbogar, si dhe ambasadave të ndryshme.

Jonuzi kishte diplomuar në fizioterapi në Universitetin e Beogradit në vitin 2010 dhe ishte kthyer në Kosovë për të kryer praktikën mjekësore. Ai kreu tetë muaj në spitalin publik në Prizren dhe një muaj në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, në spitalin më të madh publik në Kosovë.

Ai thotë se punëdhënësit e tij ishin të gatshëm ta punësonin atë menjëherë pas marrjes së licencës për profesionin e tij. Ai kreu procesin e certifikimit përmes EUA në janar të vitit 2013. Megjithatë, Kosova ende nuk ia ka njohur diplomën, andaj ai është i bllokuar.

“Më është dashur të punoj si shofer, punonjës i ndërtimtarisë dhe përkthyes për tu kujdesur për familjen time,” thotë ai. “Kjo na mban të bllokuar sepse na ndalohet puna në fushën në të cilën kemi studiuar. Ne nuk mund të kryejmë specializim apo studime të mëtejme.”

Miku i Jonuzit Jasmini ka studiuar stomatologjinë në Beograd. As ai nuk është në gjendje të licencohet në Kosovë edhe pse ka qenë me fat që ka gjetur punë në klinikën private të babait të tij. Megjithatë, ai rrezikon të gjobitet 5,000 euro çdo ditë që shkon në punë. 

“Paradoksi është se çdo ditë kemi autobusë që largohen në drejtim të Beogradit për të kërkuar ndihmë mjekësore,” thotë ai. “Ne kemi studiuar atje, kemi fituar njohuritë e duhura, dhe i kemi sjellë ato këtu, por nuk po na lejojnë t’i shfrytëzojmë ato.”

Jonuzi ndihet si qytetar i klasës së dytë. “Unë nuk jam nga Meksiko, nuk kam rënë nga Marsi, unë jam qytetar i Kosovës. Por, shteti nuk na njeh si qytetarë,” thotë ai. “Unë vetëm dua që shteti ku unë i paguaj taksat dhe faturat e rrymës e ujësjellësit të më njohë të drejtat e mia.”

Në Koretishtë, e ardhmja e nxënësve të Bora Stankoviqit mbetet e paqartë. Në portën kryesore të shkollës është i vendosur një poster që inkurajon nxënësit që të aplikojnë në Universitetin e Prishtinës. Në pjesën e poshtme të tij është edhe adresa e këtij universiteti: Mitrovica e Kosovës, siç e quajnë serbisht Mitrovicën.

12 mijë studentët e universitetit paralel të Prishtinës

Fakulteti serb i Universitetit të Prishtinës u themelua pas luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë dhe mban mësimin vetëm në serbisht. Shumica e serbëve të Kosovës që duan të ndjekin arsimin e lartë vijojnë mësimet në këtë universitet, i cili tani numëron rreth 12,000 studentë. Megjithatë, diplomat e fituara nuk vlejnë gjë në Kosovë apo në shumë shtete tjera.

Ky universitet as që përmendet në marrëveshjen e vitit 2011, pasi që atëbotë problemi i tij ishte tejet kontestues, siç na thonë kryenegociatori serb Borko Stefanoviq dhe negociatorët nga pala e Kosovës.

Shumica e studentëve të këtij universiteti mund të mos duan të gjejnë vend pune në Kosovë, por disa prej tyre kërkojnë. “Diploma ime njihet vetëm në shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën,” ankohet Dragiq Brdar, student i mjekësisë nga Kroacia. “Prindërit e mi kanë investuar shumë në mua. Unë kam bërë shumë mund për arsimimin tim. Vite e vite mësimi… e për çka? Për asgjë.”

Në mes të muajit prill, qeveria e Kosovës paraqiti një plan për të gjetur zgjidhje për statusin e pazgjidhur të këtij universiteti, sipas së cilit të diplomuarve atje do tu mundësonin punësimin në vende pune në sektorin publik në të cilin kërkohen diploma universitare. Kjo gjë është shumë e nevojshme, duke qenë se serbët e Kosovës janë shumë dobët të përfaqësuar në institucionet e Kosovës.

Sipas këtij plani, të cilin duhet ta miratojë Kuvendi i Kosovës, qeveria do të krijojë një komision të përkohshëm me mandat dyvjeçar për të nxjerrë “certifikata për të diplomuarit individualë, të cilat do të shfrytëzohen në procesin e aplikimit për vende pune.”

Ky plan i shërben premtimit për integrimin e serbëve në sistemin e Kosovës. Por, njohja e dyanshme e diplomave nga Kosova dhe Serbia mbetet gjë e largët.

Vasiqi thotë se nuk ka gjyqtarë apo prokurorë serbë në gjykatën e Kamenicës, që është qyteti më i afërt i fshatit të tij që ka gjykatë. Ai e ka ëndërr shërbimin si gjyqtar apo prokuror një ditë, por ai është i frustruar me faktin se pesë vitet e fundit ai nuk ka pasur mundësi të kryerjes së stazhit aq shumë të nevojshëm.

Ai thotë se mosnjohja dhe mosavancimi në këtë aspekt është duke e mbytur motivimin tek njerëzit të cilët duan t’i kontribuojnë pozitivisht shoqërisë së Kosovës.

“Kur nuk mund të përparoni në fushën të cilën keni studiuar dhe të cilën e doni, kjo ua humb nervat dhe ua mbytë ambicien,” thotë Vasiqi.

Jonuzi thotë se ai tani do dëshironte t’i ndërronte vendet me vëllain e tij i cili gjatë dimrit iu bashkëngjit eksodit masiv të azilkërkuesve drejt Evropës Perëndimore. Së paku ka mundur të kërkonte punësim në Beograd, por ai u kthye në shtëpi për tu kujdesur për nënën e tij plakë. “Gjëja më e keqe që kam bërë në jetën time është kthimi në Kosovë. Azilkërkuesit në Francë jetojnë më mirë se ne,” thotë Jonuzi.


Kjo storie është shkruar si pjesë e projektit BIG DEAL, projektit të mbikëqyrjes civile që ekzaminon zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë. Projekti është duke u implementuar nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA, me përkrahje nga Zyra Britanike për Punë të Jashtme dhe të Komonueltit dhe Rockfeller Brothers Fund.