Posti i Sekretarit Synohet nga Anëtarët e Lëvizjes për Bashkim

Ministria e Administratës Publike në muajin shkurt të këtij viti ka shpallur konkurs për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Diasporës dhe aktualisht ky proces është në procedurë.

Por ajo që bie në sy është konkurrimi i Valdet Gjonbalajt dhe Osman Shahinit, të cilët janë anëtarë të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim prej nga vjen edhe ministri i Diasporës, Valon Murati.

Aktualisht postin e sekretarit në MD e ushtron sipas detyrës zyrtare drejtori i Departamentit Ligjor në MD, Mentor Borovci i cili njëherësh është edhe kandidat për pozitën e sekretarit.

Ndërsa në kohën kur MD-ja është udhëhequr nga ish ministri Ibrahim Makolli, kjo ministri ka pasur vetëm ushtrues detyre të sekretarit. Fillimisht u.d i sekretarit ka qenë Shyhrete Basalci dhe më pas Hamdi Berbatovci.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar emrat e kandidatëve për pozitën e sekretarit të Ministrisë së Diasporës përfshirë këtu edhe të Valdet Gjonbalajt dhe Osman Shahinit.

Valdet Gjonbalaj ka qenë kandidat i LB-së për Asamblenë Komunale të Prishtinës, ndërsa Osman Shahini në vitin 2013 ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Shtimes nga kjo lëvizje.

Për postin e sekretarit në MD ka konkurruar edhe ish kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, aktualisht avokat.

Kandidatët e tjerë janë Arsim Mehmeti, Flakron Mjekiqi, Arbnor Cana, Albulena Binaku, Heset Loku, Mentor Borovci, Besa Këkuska, Gazmend Ismajli, Shefqet Krasniqi, Adelina Avdullahu, Merita Raskova, Behram Abazi, Mervan Ahmetaj, Kujtim Buzhala, Sami Behrami, Driton Blakçori dhe Mirsad Aliti.

Zgjedhja e njërit prej tyre, Valdet Gjonbalajt dhe Osman Shahinit, në pozitën e sekretarit të MD-së, pozitë kjo e cila konsiderohet si shërbyes civil, ndalohet me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës 03/L-149, ngaqë një shërbyes civil nuk mund të jetë edhe në pozita drejtuese të një subjekti politik.

“Nëpunësit civilë nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktivë politikisht”, thuhet në Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës 03/L-149 decidivisht në nenin 17, paragrafin 3.

Përfaqësues të Ministrisë së Diasporës për Gazetën jeta në Kosovë kanë thënë se pjesëmarrja në politikë nuk e ndalon konkurrimin, por e ndalon ushtrimin e funksionit të sekretarit.

“Të drejtë për të konkurruar kanë të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët i përmbushin kushtet. Konkurrimin nuk e ndalon aktiviteti politik. Përfundimisht më duhet që t’ua kujtoj se në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kovës 03/L-149, neni 17, par. 3 nëpunësit civilë nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktivë politikisht” , tha zyrtari për komunikim në MD Lorik Pustina.

Të njëjtë gjë e ka pohuar edhe vetë kryetari i Lëvizjes për Bashkim Avni Klinaku, ndërsa pranoi se dy anëtarët e këtij subjekti politik kanë konkurruar për pozitën e sekretarit të MD-së.

“Po ata janë në Lëvizjen për Bashkim vetëm anëtarë. Ata kanë të drejtë të konkurrojnë dhe këtë nuk ua ndalon ligji. Nëse ata zgjidhen, atëherë ata nuk mund të jenë në struktura të larta të partisë”, tha Klinaku.

Kandidati për pozitën e sekretarit të MD-së, Valdet Gjonbalaj pranoi se është anëtar i Këshillit në Lëvizjen për Bashkim, ndërsa tha se  ligji nuk ia  ndalon të konkurrojë për pozitën e sekretarit në MD.

“ Sipas ligjit unë kam të drejtë të konkurroj dhe absolutisht nuk e shkeli Ligjin për Shërbyes Civil. Nëse zgjidhem më pas sekretar, atëherë unë vendosi nëse do largohem nga Lëvizja për Bashkim”, tha Gjonbalaj.

Gjonbalaj tha se nuk ka biseduar asnjëherë për pozitën e sekretarit me ministrin e Diasporës Valon Murati, i cili është nga i njëjti subjekt politik.

“As që e kemi diskutuar këtë punë, sepse ne me pas qenë aso subjekti ne tjetërkund i kishim punët, ndryshe ishim. As që kemi diskutuar të jesh e bindur me jetë. Ndash beso, ndash jo, pesë pare nuk po i jep për atë punë”, pohoi Gjonbalaj.

Kryetari demanton konkurrentin për sekretarë

E kandidati tjetër Osman Shahini tha që ka ofruar dorëheqjen e tij  nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Bashkim para se të kandidojë për sekretar të MD-së, por që akoma nuk i është miratuar nga Këshilli.

 “Unë kam ofruar dorëheqjen dhe kur mblidhet kryesia për shqyrtim dhe miratim kjo punë do të jetë shpejt sigurisht. Por, për sa kohë që ende nuk e ka marrë kryesia qëndrimin ta shqyrtoj dorëheqjen, atëherë nuk ka mundur të mblidhet menjëherë”, tha Shahini.

Por udhëheqësi i tij, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku ka mohuar se Osman Shahini ka dorëzuar më herët kërkesën për dorëheqjen e tij.

“Osman Shahini ishte sot në zyrë dhe më tha për dorëheqje. Po ashtu në zyrë ishte edhe Valdet Gjonbalaj dhe unë u thash që nuk kanë nevojë të japin dorëheqje, sepse nuk është shkelje e ligjit. Ndërsa më herët nuk kanë ofruar kurrfarë dorëheqje”, tha Klinaku.

Nga përgjigja e Klinakut del që dy kandidatët, Gjonbalaj dhe Shahini janë interesuar për dorëheqjen e tyre nga Lëvizja për Bashkim pas interesimit të Gazetës Jeta në Kosovë.

I pari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku tha se kandidatët për sekretar mund të mos dinë për ligjin, por sipas tij ata që i pranojnë kandidatët për këtë pozitë duhet të mos bëjnë gabime.

“ Këta që kandidojnë mund të mos e dinë ligjin, por ai që i pranon duhet ta dijë që të mos bëjë gabim”, tha Klinaku.