Eksodi biblik i shteron jetën Kosovës

Pasi paketuan gjërat e tyre në qytetin Podujevë në Kosovë, Albena 22-vjeçare dhe bashkëshorti i saj 23-vjeçar, Bajrami, u përgatitën për  udhëtimin e gjatë për në Gjermani.

Albena dhe Bajrami nuk po planifikonin pushime. Ata janë paraqitur tani në një qendër azili pranë Shtutgartit, në pritje të një përgjigje për kërkesën e tyre për statusin e azilantit, që ekspertët dhe zyrtarët e BE-së  bien dakord që nuk ka gjasa ta marrin.

Çifti i ri është mes dhjetëra mijëra shqiptarëve të Kosovës që janë larguar nga Kosova dhe kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në BE në muajt e fundit.

Raportimet, fotot dhe videot e emigrantëve me plaçka në autobusët e populluar në stacionin e autobusëve në Prishtinë  dhe më pas ecjet në pyje në Serbinë veriore drejt anëtarit të BE-së Hungari, filluan të shfaqeshin në fund të vitit të shkuar.

Për shumë, Toka e Premtuar është Gjermania e mirëqenies dhe bujarisë. Shqiptarët e Kosovës janë grupi i dytë më i madh i azilkërkuesve në vendin e BE-së, pas sirianëve që u larguan prej luftës sektare në atdheun e tyre.

Albena dhe Bajrami janë mes 1956 kosovarëve që kërkuan azil në Gjermani vetëm për dhjetorin 2014. Shumica kaluan përmes Hungarisë.

Grusa Matevzic, nga Komuniteti i Helsinkit në Hungari, tha se numrat e azilkërkuesve nga Kosova në Hungari janë rritur dramatikisht nga  vetëm 6212 në 2013 në 21,453 në 2014.

Shifrat vazhdojnë të rriten që atëherë. Rreth 18,275 kërkesa janë raportuar vetëm në muajin e parë të 2015. Numri është pothuajse i barabartë me numrin total të gjithë 2014.

Rruga që Albena dhe Bajrami morën, që kanë ndjekur që atëherë dhjetëra mijëra të tjerë, filloi me një udhëtim autobusi nga Prishtina në Kosovë për në Beograd, Serbi.

Asnjë prej tyre nuk kishte qenë në Serbi më parë. Megjithatë, ata nuk kishin si qëllim të qëndronin në kryeqytetin serb; ishte vetëm një ndalesë në rrugën e tyre.

Plani i tyre ishte të drejtoheshin në Subotica, qyteti më verior në Serbi, pranë kufirit me Hungarinë. Nga Subotica, BE-ja nuk ishte larg.

Në autobusin për në Beograd ata ishin në humor të mirë, të gëzuar dhe entuziast. Bagazhet nuk ishin gjë tjetër veç dy çantave të vogla shpine, pak ujë dhe  disa ëmbëlsira me mjaltë.

Albena mbaroi gjimnazin dhe babai i saj punon si shofer autobusi. Por, pavarësisht specializimit të saj në shkollë në trajnimin e ndërtuesve dhe pavarësisht se ndërtesat kanë lulëzuar në Kosovë si kërpudhat, ajo nuk mundi të gjente një punë.

Shpresa për kohë më të mira është zhdukur

Jeta në Kosovën e rrënuar nuk ka qenë kurrë e lehtë. Ende, shumë njerëz prisnin ditë më të mira pasi hoqën qafe regjimin e urryer serb.

Kosovarët e mirëpritën me entuziasëm fundin e sundimit serb pas luftës ajrore të NATO-s me Serbinë. Njerëzit ishin plot shpresë për një fillim të ri. Ata besonin se pavarësia do të zgjidhte shumë nga problemet e tyre.

Gjashtëmbëdhjetë vite pasi lufta në Kosovë mori fund, shumica e njerëzve ende luftojnë me varfërinë dhe një shkallë veçanërisht të lartë të papunësisë mbi 50 për qind te të rinjtë e moshës 25-35 vjeç. Korrupsioni është endemik.

Pavarësisht se lufta është një kujtim i largët sot dhe nuk ka bomba që i bien mbi kokë, shumë njerëz kanë humbur besimin në idenë se jeta do të bëhet më e mirë.

Si rezultat, ata janë të gatshëm të ndërmarrin rrezikun e emigrimit në një nga vendet më të pasura të BE-së, edhe pse shanset e tyre për të fituar statusin e azilantit janë pak ose aspak.

“Më parë, njerëzit blinin prona në Kosovë dhe të gjithë brezat fitonin dhe ruanin vetëm për këtë qëllim,” vërejti Albini, një shofer autobusi i rrugës Prishtinë-Beograd.

“Sot ata po i japin falas, vetëm për të pasur mundësinë për t’u larguar nga ky vend.” Nëse eksodi vazhdon, ‘e gjithë Kosova do të boshatiset’, shtoi ai.

Kur Albena dhe Bajrami më së fundi mbërritën në Gjermani, ata thanë se pasi kaluan kufirin në Mërdarë mes Serbisë dhe Kosovës, kishte qenë e lehtë të hipje në autobus nga Serbia jugore për në kufirin me Hungarinë.

Në Suboticë ata kishin pushuar pak dhe natën kishin marrë një taksi për në kufi. Sapo e kishin kaluar, ata mbërritën në Szeged në Hungarinë jugore dhe nga atje morën një taksi për në Budapest. Nga Budapesti shkuan me autobus në Gjermani.

Ata nuk kishin hasur me policinë, nuk iu bënë pyetje dhe nuk pati dëshmitarë për lëvizjet e tyre gjatë rrugës.

Të pyetur se çfarë planifikojnë të bëjnë nëse nuk marrin azil në Gjermani, Albena u përgjigj shkurt: “Ne nuk do kthehemi në Kosovë. Kurrë.”

Policia Gjermane do ndihmojë në kufirin Serbi-Hungari

Ministri i brendshëm gjerman tha më 12 shkurt se po dërgonte 20 oficerë policie në kufirin Serbi-Hungari për të ndihmuar këto vende të ulnin numrin e azilkërkuesve që i drejtohen BE-së dhe Gjermanisë.

“Për të siguruar stabilitetin afatgjatë të Kosovës dhe të gjithë rajonit dhe për të garantuar mbrojtje dhe pranim në popullatë për ata që janë persekutuar politikisht ne kemi marrë disa masa,” tha ministri i brendshëm gjerman në një deklaratë.

Gjermania tha se gjithashtu planifikon t’i bashkohet zyrtarëve austriakë dhe hungarezë në kontrollin e trenave Budapest-Mynih- Vjenë, si dhe të mbështesë policinë kufitare serbe me pajisje dhe trajnim.

Sipas ministrisë gjermane, numri i azilkërkuesve në Gjermani nga Kosova u rrit në 85 për qind nga dhjetori 2014 në janar 2015, në 3330. Autoritetet refuzuan 99 për qind të aplikimeve për azil nga Kosova.

Policia hungareze ndërkohë rriti numrin e oficerëve në kufirin serb në 136, ndërsa 30 oficerë shtesë janë dërguar në fshatra dhe qytetet pranë kufirit për të garantuar sigurinë e vendasve.

Të rinj dhe të moshuar i bashkohen largimit

Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se rreth 50,000 njerëz kanë lënë Kosovën që nga viti i shkuar. Ky numër përfshin më shumë se 5000 nxënës që kanë lënë shkollën në mes të vitit akademik.

Policia hungareze thotë se struktura sociale e imigrantëve ka ndryshuar në mënyrë drastike. Në 2013, shumica e imigrantëve të paligjshëm nga Kosova ishin meshkuj beqarë nga 18 në 35 vjeç. Tani po largohen familje.

Duke treguar për situatat e përjetuara gjatë punës në kufi, disa policë kanë raportuar se kanë gjetur në pyje gra duke lindur fëmijë, kanë gjetur njerëz pranë vdekjes dhe kanë parë dhjetëra të lodhur dhe të rraskapitur me bagazhe të vogla, shpesh duke mbajtur fëmijë ose të porsalindur.

Në autobus nga Prishtina në Beograd mund të gjesh njerëz të çdo moshe dhe gjendje: nëna me fëmijë, të rinj dhe të reja, nxënës, të rritur, çifte, madje edhe pensionistë. Të gjithë me të njëjtin qëllim, të braktisin Kosovën me çdo kusht.

Hungaria do t’i kthejë imigrantët e paligjshëm

Hungaria ka lajmëruar qëllimet për të ndryshuar ligjin për të lejuar paraburgimin e zgjatur ose kthimin e shpejtë të imigrantëve të paligjshëm. Viktor Orban, kryeministër, deklaroi më 13 shkurt se Hungaria nuk do t’ia lejonte vetes të bëhej një kamp për imigrantët ekonomikë.

Sipas legjislacionit aktual, imigrantët e paligjshëm që kanë aplikuar për azil në Hungari nuk mund të kthehen menjëherë ose të paraburgosen. Ndërsa autoritetet po merren me aplikimet e tyre për azil, shumica largohen nga vendi dhe vazhdojnë rrugën për në vendet e tjera të BE-së. Orban tha se Hungaria, Austria dhe Gjermania kanë planifikuar të miratojnë ligje më të ashpra brenda muajve.

Duke ofruar disa nga ëmbëlsirat e tyre me mjalt në autobus, ata thanë se prindërit etyre ishin të shqetësuar për ‘arratisjen’ e tyre nga Kosova. “Ata qëndrojnë në shtëpi dhe qajnë,” tha Bajrami.