Shtatë Vjet Pas, Kosova në Pasqyrë

Për analistin politik, Artan Muhaxhiri, shtatë vjet pavarësi Republika e Kosovës gjendet në pozitë të vështirë.

“Shteti i Kosovës është në pozitë të vështirë. Më nuk e ka mundësinë që të konsiderohet si shtet ‘fillestar absolut’, sepse shtatë vjet është një periudhë e konsiderueshme. Mirëpo tash është i obliguar të dëshmojë përgjegjësi dhe plane për zgjidhjen e problemeve të shumta”, vlerëson Muhaxhiri.

Ai thotë se qytetarët kosovarë e kanë humbur besimin se shteti do t’ua zgjidh telashet e tyre.

“Përgjithësisht vërehet një stagnim politik dhe social, për shkak se institucionet përgjegjëse dhe spektri politik nuk ofrojnë ide për adresimin e çështjeve më fundamentale: varfërisë, papunësisë dhe sundimit të ligjit”, shton analisti Muhaxhiri.

Sipas tij, në mungesë të planeve politikanët mjaftohen me bollëk të retorikës boshe, derisa problemet shtohen çdo ditë.

Fuqia politike e Republikës së Kosovës karshi BE-së

Analisti Muhaxhiri thotë se Kosova është e dëgjueshme sa i përket zbatimit të kërkesave të BE-së, por nuk ka fuqi të kërkojë diçka nga BE-ja.

“Shteti ynë vazhdimisht i zbaton të gjitha kërkesat e BE-së, por nuk ka fuqi të kërkojë realizim apo lehtësim të proceseve që shkojnë në favor të  interesave të veta. Shembulli më i mirë është liberalizimi i vizave, i cili është problematizuar dhe dramatizuar aq shumë, saqë krijohet përshtypja se lëvizja e lirë në Evropë do të jetë një dhuratë hyjnore që BE-ja do t’ua bëjë kosovarëve, e jo një akt që është dashur të bëhet vite më parë”, thotë ai.

Sipas tij, problemi më i madh i politikës kosovare është mungesa e funksionimit normal të partive, nga të cilat varet i tërë sistemi politik.

Partitë kosovare, thotë ai, janë lideriste dhe udhëhiqen nga klane të vogla të afërta me liderët.

Nga këtu, Muhaxhiri thotë se buron kualiteti tejet i ulët i përfaqësimit politik në Kuvend dhe në Qeveri, gjë që ndërlidhet me problemet e pashtershme në sferat jetike të përditshmërisë, si mirëqenia, arsimi, shëndetësia, etj.

“Pa demokratizim të partive dhe pa vendosje të kritereve normale të vlerësimit të punës, që nënkuptojnë shpërblimin e suksesit dhe ndëshkimin e dështimit – politika kosovare, e me të edhe jeta institucionale, kanë të ardhme të zymtë”, vlerëson ai.

Gjendja sociale në Republikën e Kosovës

Mungesa e vullnetit politik ka bërë që gjendja sociale në vend të jetë e rëndë.

“Gjendja sociale në Kosovë është e rëndë si rezultat i mungesës së vullnetit politik dhe paaftësisë profesionale nëpër institucione për të krijuar mundësi elementare për zhvillim normal”, vlerëson sociologu Artan Muhaxhiri.

Mllefi social, sipas tij, është akumuluar për një kohë të gjatë, prandaj tash është shumë vështirë që ai të adresohet në mënyrën e përshtatshme pasi presionet janë tejet të mëdha dhe vijnë nga të gjitha anët.

“Kosova është një vend i varfër, që – paradoksalisht – nuk merret as me varfërinë, as me papunësinë”, shton Muhaxhiri.

Shteti i varfër

“Ngritja e standardit dhe e mirëqenies së tyre dëshmon edhe për shtetin efikas dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”. Kështu vlerëson analisti ekonomik, Ibrahim Rexhepi.

Fatkeqësisht, sipas tij, të gjithë parametrat tregojnë për rënie, e cila reflekton në rritjen e papunësisë dhe të varfërisë.

“Përderisa në vitin 2008 rritja ekonomi (BPV-ja) kishte normën 7,2 për qind, në vitin 2014 ra në 3,0 për qind”, shton ai. “Norma e tashme e rritjes nuk mjafton për tejkalimin e problemeve të mëdha ekonomike e sociale, të cilat vazhdojnë të grumbullohen”, thotë Rexhepi.

Për Rexhepin, struktura e investimeve nuk ishte e mirë, meqenëse ato nuk garantonin zhvillim afatgjatë, kryesisht për shkak të fokusimit në infrastrukturë- autostrada.

“Sikur ishin harruar sektorë të rëndësishëm, të cilët mund të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së jetës, standardit dhe të punësimit – si arsimi, shëndetësia, bujqësia. Po ashtu, deficit tregtar nga 1,7 miliardë euro, u ngrit në 2,2 miliardë euro”, thotë analisti Rexhepi. “Investimet  e huaja u përgjysmuan nga afër 450 milionë euro sa ishin në vitin 2008. Madje,  për gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar ato ishin 38,9 milionë euro, ose 110,1 milionë euro  më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2013”, shton ai.

Si investim të rëndësishëm ai e përmend rrugën e kombit, ndonëse për të cilën thotë se tenderi i saj u përshkua me parregullsi dhe dyshime. Edhe pse kishte kosto shumë të lartë, ai thotë se megjithatë ishte faktor i rëndësishëm për shpejtimin e të gjitha formave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Si problem të theksuar analisti Rexhepi e përmend edhe gjendjen e rëndë energjetike në vend.

“Vendi është lënë në terr energjetik meqenëse, pa marrë parasysh synimet dhe tenderët, ende nuk nisi ndërtimi i termocentraleve të reja. Për shkak të ngecjes së investimeve në këtë sektor, vendi ka rrezik të futet edhe më thellë në krizë energjetike, e cila do të limitojë zhvillim ekonomik”, thotë ai.

“Krejt këto zhvillime janë rezultat i politikave të dobëta, shpenzimit të pakontrolluar të parasë publike, shkallës së lartë të korrupsionit dhe  të krimit të organizuar. Madje, vetëm mënyra e shpenzimeve të parasë nga buxheti ka krijuar favore për biznese të caktuara, të cilat tash kanë pozitë monopoliste në treg dhe janë pengesë serioze e zhvillimit”, vlerëson analisti ekonomik, Ibrahim Rexhepi.

Shteti i “sëmurë”

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Blerim Syla, thotë se shëndetësia është më keq sesa para shtatë vjetësh.

“Shëndetësisë kosovare është në gjendje më të rëndë se para 7 viteve, dhe kjo më së miri

mund të shihet se ende nuk kemi mundur të përcaktojmë një sistem shëndetësor që i përshtatet kushteve dhe rrethanave ekonomike të Republikës së Kosovës”, vlerëson Syla.

Ai thotë se në Kosovë nuk ka sistem të mirëfilltë informativ të shëndetësisë, nuk ka planifikim të mirëfilltë për shpenzimin e mjeteve, nuk ka infrastrukturë dhe investim në aparaturë dhe nuk ka planifikim të mirë të kuadrove dhe sistemimin e tyre.

Syla kërkon që urgjentisht të rishikohen të gjitha ligjet që i përkasin shëndetësisë dhe të përshtaten me mundësitë reale. Ai po ashtu kërkon urgjentisht që të vendoset sistemi informative shëndetësor në nivel Republike, të decentralizohet sistemi shëndetësor dhe të gjinden mekanizma që politika të heq duart nga shëndetësia.

“Të gjithë faktorët relevantë vendorë duhet të ulen dhe të vendosin prioritetet e mirëfillta për shëndetësinë kosovare, t’i jepet prioritet shërbimeve publike, ngase në një shtet ku 45 për qind e popullatës janë të papunë, nuk mund të flasim për një sistem tjetër përveç atij publik”, thotë Syla.

Kosova prodhon arsim jocilësor

Republika e Kosovës qëndron mjaft mirë sa i përket përfshirjes në arsim në të gjitha nivelet. Me këtë ajo ka plotësuar shumë standarde të larta evropiane. Por problemi kryesor, sipas analistit të arsimit, Dukagjin Pupovci, është se arsimi në Kosovë nuk prodhon cilësi.

“Ajo çfarë nuk prodhon arsimi ynë është cilësia. Ky është edhe problemi më i madh i shtetit tonë, sepse, pa arsim cilësor nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka stabilitet politik dhe nuk ka integrim në Evropë. Prandaj, edhe na nevojiten njerëz me arsimim cilësor që mund të kryejnë punë komplekse, bile edhe të hapin vende pune për të tjerët”, thotë Pupovci.

Përderisa në të kaluarën arsyetoheshim se infrastruktura nuk po lejon të kemi cilësi në arsim, me këtë fakt nuk pajtohet Pupovci.

“Derisa në të kaluarën jo të largët jemi arsyetuar me ndërtesa të vjetra dhe me punë në shumë ndërrime, tani shumë shkolla kanë godina që tejkalojnë standardet e rajonit dhe punojnë në një ndërrim, por puna që bëhet brenda në to nuk rezulton me gjenerata të arsimuara mirë”, vlerëson ai. “Ndërkaq, tek  institucionet e arsimit të lartë problemi është akoma më kompleks. Ky segment i arsimit është politizuar tej mase dhe është shfrytëzuar me të madhe për qëllime fushate. Kështu, janë themeluar pesë universitete të reja publike pa asnjë përgatitje dhe analizë serioze, duke injoruar faktin se në Kosovë nuk  kemi kuadër të kualifikuar akademik as për gjysmën e numrit të studentëve që ka tani Kosova”, shton ai.

Sa i përket UP-së, ai thotë se aty janë instaluar klane të përbëra nga profesorë dhe studentë që kanë arritur ta degradojnë këtë institucion deri në atë masë sa çdo normalizim i situatës të duket si një e arritur.

“Nuk është aspak e rastit që të gjitha këto klane i sulen një rektori jopolitik, i cili nuk punon për interesin e tyre, por përpiqet të shpëtojë atë çfarë mund të shpëtohet”, deklaron Pupovci.

Ai rekomandon qeverisë se tani e tutje përqendrimi duhet të jetë te cilësia e arsimit.

Pupovci thotë se duhet të kihet kujdes që kur investohet në arsim, duhet të kërkohen edhe rezultatet e atij investimi. Sipas tij, Kosova nuk është në gjendje ekonomike që të bëjë investime edhe atëherë kur nuk ka rezultate.

“Për këtë qëllim duhet të ndihmohen më shumë shkollat që të organizojnë mësimdhënie cilësore, por edhe të kërkohet më shumë përgjegjësi prej tyre. Pastaj, duhet synuar që çdo investim të jep rezultat konkret. Për shembull, rritja e pagave duhet të rezultojë me mësimdhënie më cilësore dhe me përgjegjësi më të madhe në punë, dhënia e teksteve falas duhet të rezultojë me një përgjegjësi më të madhe të nxënësve ndaj obligimeve të tyre. Ne nuk jemi shtet aq i pasur sa vazhdimisht të investojmë pa pasur rezultate konkrete”, tërheq vërejtjen analisti Pupovci.