Heshtja e Ministrit Hyseni për Dell e Nokia

Skënder Hyseni tashmë është ulur në karrigen e të parit të Ministrisë së Punëve të Brendshme por atë po e ndjek një problem i krijuar gjatë kohës sa drejtonte një dikaster qeveritar krejtësisht të ndryshëm nga ky që e menaxhon tash.

Ai ishte ministër i Punëve të Jashtme gjatë qeverisë Thaçi 1. Ai e ushtroi këtë detyrë prej 3 prillit të 2008-ës deri më 18 tetor të vitit 2010.

Por kur Zyra e Auditorit të Përgjithshëm gjatë vitit 2011 zbarkoi në këtë ministri, gjeti se kabineti i ish-ministrit Hyseni nuk i kishte kthyer pajisjet e blera me buxhet të shtetit dhe që i kishin përdorur gjatë kohës sa e drejtonin këtë ministri.

ZAP-i vlerësoi se për blerjen e tyre ishin shpenzuar 5 mijë e 917 euro.

 “ Stafi i Kabinetit të Ministrit nuk ka dorëzuar dy radiolidhje dhe dëgjuese në vlerë prej 586 euro, tre llap-topa “ Dell” në vlerë prej 3 mijë e 931 euro dhe katër telefona ‘Nokia’ në vlerë prej 1 mijë e 400 eurove”, thuhet në Raportin e Auditimit për MPJ-në.

Auditorët vlerësuan se moskthimi i tyre përben rrezik për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 “ Moskthimi i pasurisë e vë MPJ-në para rrezikut të humbjes apo keqpërdorimit të pasurisë publike”, thuhet në raportin e auditorëve në të cilin ceket se stafi i kabinetit të ministrit është i obliguar t’i kthejë apo kompensojë pajisjet në vlerë prej 5 mijë e 917 euro.

Rekomandimi i auditorëve nuk ishte zbatuar dhe kjo ishte vërejtur një vit më pas kur ZAP-i u rikthye sërish në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

ZAP-i konkludoi se pajisjet nuk ishin kthyer as në vitin 2012.

 “Stafi i kabinetit të ish-ministrit nuk ka kthyer pasuritë që kishte në shfrytëzim”, thuhet në raportin e auditimit të publikuar në vitin 2012 e që ka për periudhë auditimi periudhën prej 1 janarit deri më 31 dhjetor 2011.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi që të marrë përgjigje nga ministri Hyseni nëse pajisjet e përmendura në raporte të auditimit janë kthyer deri më tash në MPJ.

Por MPB-ja që drejtohet nga Hyseni nuk dha përgjigje lidhur me këtë çështje.

“ Ju lutemi që pyetjen tuaj t’ia drejtoni administratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme”,  thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Përgjigje nuk dha as Ministria e Punëve të Jashtme e udhëhequr tash nga Hashim Thaçi i PDK-së, parti në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Zyra për Informim e MPJ-së nuk ktheu përgjigje edhe tetëmbëdhjetë ditë pas dërgimit të pyetjeve ngaGazeta Jeta në Kosovë.

Edhe ministritë tjera të mbyllura për publikun

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar kërkesa për qasje në dokumente publike në 19 ministri të Qeverisë së Kosovës.

Vetëm tri prej tyre janë përgjigjur, ndërsa 16 tjera nuk kanë dhënë përgjigje përkundër kalimit të afatit ligjor për të dhënë përgjigje.

Ligji për Qasje në Dokumente Zyrtare, sipas nenit 1 garanton të drejtën e secilit person fizik dhe juridik pa diskriminim mbi çfarëdo baze për të pasur qasje pas kërkesës në dokumentet e mbajtura, hartuara apo të pranuara nga institucionet publike.

Ky ligj sipas nenit 7, paragrafit 8, parasheh që institucionet publike duhet të kthejnë përgjigje brenda 7 ditësh nga koha kur pranon kërkesën.

Por ky ligj është shkelur nga 15 ministri pasi që ka kaluar 18 ditë nga koha kur Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar kërkesë në këto institucione.

Ministritë në të cilat janë dërguar kërkesat dhe të cilat nuk kanë dhënë përgjigje për ish- ministrat e tyre janë :  Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Kulturës, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Diasporës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka paralajmëruar se do të kemi përgjigje deri më 2 shkurt për ish-ministrin Bajram Rexhepi por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ndërkohë transparente është treguar Ministria e Zhvillimit Ekonomik që udhëhiqet nga Blerand Stavileci i PDK-së.

MZhE-ja ka dërguar dokumentacionin që tregon kërkesat e ish-ministrave dhe kabinetit të tyre për furnizim me pajisje si dhe nënshkrimet e tyre kur janë kthyer ato.

Ish-ministri Beqaj derisa drejtonte MZhE-në ka kërkuar 32 pajisje duke përfshirë këtu, monitor, shtëpizë, tastierë, tavolinë takimesh, llap-top, ulëse lëkure, hard driver, printer, telefon fikës, printer, UPS, tavolinë këndore, komodinë, televizor “Samsung” flat , klimë, karrige lëvizëse, dollap librash, dollap muri , orman, orman me xhama , radiator të vogël, tavolinë pritjeje, llambë, karrige statike, tavolinë të vogël pritjeje, tepih , role perde , shroder letre etj.

Ndërsa pasardhësi i tij, ish ministri Fadil Ismajli sipas dokumentit shihet që ka kërkuar vetëm një telefon “ Iphone 5s” ndërsa pjesën tjetër e ka trashëguar nga ish-ministri Beqaj.

Po ashtu në dokument vërehet edhe nënshkrimi i ministrit Ismajli pasi që ka kthyer këto pajisje në MZhE.
Ndërkaq Ministria e Integrimeve Evropiane që drejtohet nga Bekim Çollaku i Partisë Demokratike të Kosovës ka dhënë përgjigje të përgjithësuar për ish-parardhësit e tij, Vlora Çitakun dhe Gëzim Kasapollin.

Kjo ministri nuk ka vepruar ngjashëm sikurse MZhE-ja që ka dërguar dokumentacionin që tregon për pajisjet e kthyera.

Në përgjigjen e Ministrisë për Integrime Evropiane nuk jepen të dhëna se çfarë pajisjesh kanë pasur në përdorim dy ish-ministrat dhe cilat pajisje janë kthyer.

“ Të gjitha pajisjet elektronike dhe pajisjet tjera që kanë shfrytëzuar sikur ish-ministrja Çitaku, po ashtu dhe ish ministri Kasapolli, në përputhje me legjislacionin e aplikueshëm të gjitha pajisjet janë kthyer pas pushimit të mandatit të tyre”, është përgjigja e MIE-së.

Ngjashëm si Ministria e Integrimeve ka vepruar edhe Ministria për Kthim dhe Komunitete.
Kjo ministri drejtohet nga Aleksandër Jabllanoviq. Ajo në qeverisjen e kaluar drejtohej nga Delibor Jevtiq.

 “Sa i takon ministrit Jevtiq, deri sa ka qenë në udhëheqësi të ministrisë, në mandatin prej një vit e nëntë muaj ka pasur vetëm një kompjuter, i cili është kthyer në mënyrë të rregullt. Përveç kompjuterit nuk ka pasur asnjë teknikë tjetër nën obligim”, ka thënë Uros Staletoviq zyrtar për informim në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete.

Ai nuk ka ofruar ndonjë dokument që e dëshmon këtë, ngjashëm siç ka vepruar Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Përgjigje ka kthyer edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Ish-ministri Blerand Stavileci nuk ka pasur në shfrytëzim ndonjë pajisje elektronike, përveç kompjuterit të zyrës i cili tashmë është trashëguar nga ministri i ri Memli Krasniqi”, tha Albulena Maloku, zyrtare e lartë për informim në këtë ministri.