Rrënjët e një Kryengritjeje

Shqiptarët e Kosovës në të kaluarën janë përballë me kriza kushtetuese, ngritje të çmimeve të energjisë, papunësi shkatërruese dhe nivelin e korrupsionit mes më të lartëve në Evropë.

Megjithatë, përfundimisht ishte dëmi që iu bë dinjitetit të tyre kolektiv ai që shtyri mijëra njerëz që të dalin në rrugët e Prishtinës, në protesta të cilat për nga masiviteti dhe shkalla e dhunës nuk janë parë në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Kjo çështje u ngrit në fillim të janarit kur Alleksandar Jabllanoviç, ministër serb në Qeverinë e Kosovës, iu referua një grupi të viktimave shqiptare të luftës si “egërsira” pasi që i njëjti nuk i lejoi disa pelegrinë serbë që të vizitojnë një kishë ortodokse në Gjakovë.

Protesta e vogël e organizuar lidhur me këtë incident u përkrah edhe më fuqishëm nga publiku pasi që Kryeministri Isa Mustafa u pajtua që të shtyjë apo heqë dorë nga plani për të nacionalizuar minierën e Trepçës.

Kosovarët në këtë plan të nacionalizimit kishin gjetur pak shpresë për ta nxjerrë Kosovën nga vështirësitë ekonomike me të cilat përballet.

Trazirat kanë vënë nën presion qeverinë e cila në pushtet ka ardhur para 45 ditësh, por edhe kanë shtuar tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, duke kërcënuar progresin e ngadalshëm por të vazhdueshëm që Kosova dhe ish pushtuesi i saj Serbia kanë arritur që nga viti 2011.

“Fyerjet nga Jabllanoviqi dhe presioni lidhur me Trepçën ma ka dhënë përshtypjen se jemi kthyer në kohë të paraluftës,” tha Naser Mehmeti, një nga mijëra protestues të pranishëm në protestën e datës 24 janar.

Policia vlerësoi se në protestë kishin marrë pjesë 7,000 persona, ndërsa Vetëvendosja tha se në të ishin rreth 30,000 qytetarë. Cilido qoftë numri i vërtetë, Kosova nuk ka parë protestë të tillë disa vitet e fundit.

Protesta e radhës, e organizuar më 27 janar, edhe pse më e vogël për nga përmasat, rezultoi me dhunën më të rëndë të përjetuar në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë shtatë vite më parë.

Ajo që filloi si protestë paqësore para ndërtesës së parlamentit u përshkallëzua në konfrontim të shëmtuar mes policisë speciale, të cilët shfrytëzuan plumba gome, gaz lotsjellës dhe topa uji, dhe protestuesve që hidhnin në drejtim të tyre copa çimentoje, gurë e gjësende tjera.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, spitali më i madh në vend, raportoi të ketë trajtuar 170 persona si rezultat i kësaj proteste, nga të cilët 107 policë, 53 protestues dhe 10 të tjerë. Të dyja anët fajësojnë njëra-tjetrën për dhunën e shfaqur.

Pushteti vlerëson se protestat ishin përpjekje për ta marrë pushtetin

Zyrtarët qeveritarë, përfshirë Mustafën, dënuan protestat dhe akuzuan udhëheqësit e opozitës për përpjekjen e tyre për ta marrë pushtetin.

“Protestat nuk duhet të përdoren për arritje të ambicieve për marrje të pushtetit, sepse pushteti fitohet me vota të lira të qytetarëve të Kosovës e jo me forcë e dhunë,” tha Mustafa.

Mustafa nuk pranoi adresimin e kërkesave të protestuesve që Jabllanoviçi, Ministër për Komunitete dhe Kthim, të japë dorëheqje, si dhe që qeveria në mënyrë të njëanshme të merr nën kontroll minierën e Trepçës.

Ky kompleks gjatë epokës së Jugosllavisë punësonte mbi 20,000 persona dhe vazhdon të posedojë 75% të pasurisë minerale të vendit, me resurse masive të zinkut, argjendit dhe plumbit, të cilat udhëheqësit e minierës i vlerësojnë deri në 10 miliardë euro.

Qendra operative e minierës gjendet në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Pjesë të saj mbahen nga shqiptarët në jug dhe nga serbët në veri. Por, ky kompleks posedon impiante në tërë Kosovën e madje edhe disa stabilimente që gjenden në Serbi.

Miniera është duke operuar me kapacitete minimale nën pronësi të një trusti, Agjencisë Kosovare  të Privatizimit, të krijuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999.

Kjo agjenci u bë institucion qeveritar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, por nuk arriti të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për minierën për shkak të kontesteve mbi pronësinë. Serbia pretendon se ka në pronësi 75% të kësaj ndërmarrjeje.

Mustafa deklaroi më 16 janar se do ta nacionalizonte Trepçën dhe do ta mbronte atë nga falimentimi dhe likuidimi potencial, gjë që u mirëprit nga shqiptarët e Kosovës por u dënua menjëherë nga Beogradi.

Kryeministri i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se kjo do të ndërlikonte edhe më tej bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke rrezikuar potencialisht progresin në zbatimin e marrëveshjeve kyçe të arritur në prill të vitit 2013.

Duke u fokusuar në statusin e ardhshëm të komunitetit serb në Kosovë, kjo marrëveshje mëton të reintegrojë veriun e Kosovës, të banuar kryesisht nga serbët, në pjesën tjetër të vendit.

Pas këtij paralajmërimi të rreptë të Vuçiqit, Mustafa dhe parlamenti i Kosovës u tërhoqën dhe i dhanë AKP-së edhe tri vite tjera për ta trajtuar çështjen e pronësisë mbi kompleksin.

Liderët serbë thonë se nuk do të tërhiqen nga pretendimet e Serbisë mbi Trepçën dhe se duan ta diskutojnë këtë çështje edhe në Bruksel.

“Kushdo që mendon se Serbia do të heqë dorë nga lufta e vet për Trepçën, për pronën e vet, për popullatën serbe në Kosovë, pa marrë parasysh presionet e ushtruara nga jashtë, është duke jetuar në iluzion,” tha Ministri i Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, për emetuesin publik të Serbisë – RTS.

Storia e Trepçës dhe protestave lidhur me të është e ndërlidhur me të kaluarën e afërt të Kosovës dhe me kontestet më të gjera lidhur me atë se sa pushtet ka Serbia mbi Kosovën në të vërtetë.

Në vitin 1989, kur Serbia suprimoi autonominë e Kosovës brenda Jugosllavisë, mbi 1,000 minatorë hynë në grevë urie në zgafellet e Trepçës, duke kërkuar të drejtën e vetëvendosjes.

“Greva e minatorëve ishte moment kyç në historinë kosovare, i cili përcaktoi caqet e popullatës shumicë në Kosovë dhe i dha një ‘shtytje’ dinamike politikës hegjemoniste të Serbisë atëbotë,” tha Behlul Beqaj, analist politik kosovar me përvojë të gjatë.

“Protestat e sotme do të mund të shërbenin si katalizator për rishqyrtimin e politikave aktuale.”

Fokusi i marrëveshjes të arritur më 19 prill 2013 mes Serbisë dhe Kosovës, falë ndërmjetësimit të BE-së, ishte e ardhmja e komunitetit serb të Kosovës, në veçanti atij që jeton në katër komunat në veri të lumit Ibër e të cilat janë në proces të integrimit në strukturat qeveritare të Kosovës.

A mund të shkarkohet Jabllanoviç?

Në mungesë të të dhënave zyrtare, besohet se rreth 40 për qind të rreth 100,000 serbëve në Kosovë jetojnë në veri të lumit Ibër dhe rreth 60 për qind tjerë në jug të tij.

Iniciativa Qytetare Serbe (Lista Serbe) të cilën e udhëheq Jabllanoviçi u shfaq në skenë gjatë qershorit të vitit 2014, duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, të parat e këtij lloji në të cilat merrnin pjesë edhe qytetarët e komunave të veriut. Falë edhe përkrahjes nga Beogradi, kjo parti fitoi 9 ulëse në parlamentin me 120 sosh.

Pas gjashtë muajsh mosmarrëveshjeje mes partive se kush do ta formonte qeverinë, Lista Serbe mori dy ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit.

Kundërthëniet e vërteta bazohen mbi faktin se patroni i vërtetë i kësaj partie – Serbia, ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe mbron qëndrimin se Kosova vazhdon të jetë krahinë e Serbisë.

Pas zgjedhjeve, Jabllanoviçi kishte thënë për Prishtina Insight se qyteti i tij i lindjes që gjendet në veri të Kosovës – Leposaviqi, “kurrë nuk do të jetë pjesë e Kosovës.”

Kur Kryeministri i Serbisë Vuçiq vizitoi Kosovën një javë pas trazirave të shkaktuara nga ‘egërsirat’, Jabllanoviçi dhe Zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviq dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Lubomir Mariq i qëndronin në krah gjatë paraqitjeve publike.

Publiku vazhdon të mbetet i nevrikosur me faktin se një ministër i qeverisë, paga e së cilit paguhet nga tatimpaguesit kosovarë, mund të fyejë viktimat shqiptare të krimeve të luftës në Kosovë e të nxirret me një kërkimfalje të vakët, duke deklaruar në emetuesin publik të Kosovës se “nuk e kishte ditur” nëse policia dhe ushtria serbe kishin kryer krime lufte në Gjakovë gjatë viteve të 90ta.

Analisti Beqaj thotë se janë të kuptueshme pakënaqësitë e popullatës lidhur me gjuhën e përdorur nga ministri dhe fatin e minierës.

“Gjuha e urrejtjes e shfaqur nga ministri serb nuk është trajtuar në mënyrë adekuate. Qeveria në anën tjetër luajti me çështjen e Trepçës, duke mos marrë parasysh vlerën sentimentale të saj për vendin.”

Ai gjithashtu theksoi se ka arsye më të mëdha për dëshpërim, përfshirë mungesën e progresit të Kosovës këto 15 vitet e fundit që nga fundi i luftës.

Ndërkohë, përgjegjësia për aftësinë e pretenduar të Serbisë për t’i vënë veto vendimeve në Kosovë i ka rënë mbi supe Kryeministrit Mustafa edhe pse ai ishte në opozitë në kohën kur janë arritur marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kundërthëniet në këtë drejtim e kanë fuqizuar opozitën e dobët në formë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt, dhe NISMËN e Fatmir Limajt.

Këto kundërthënie ua kanë mundësuar atyre të që kapitalizojnë pakënaqësitë lidhur me nënshtrimin e Kosovës ndaj Serbisë dhe brengën se qeveria do të bëjë kompromise para serbëve dhe Serbisë.

Sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin 2013, komunat me shumicë serbe në Kosovë do të themelojnë asociacionin e tyre.

Por, detajet lidhur me strukturën e tij dhe autonominë që do ta gëzojë ai ende nuk janë qartësuar. Kosovarët shfaqin brenga mbi faktin se nëse ky trup fiton autonomi të theksuar ai do të përbëjë pengesë për shtetin, ngjashëm me Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë mesazhin se vija e kuqe e Kosovës është shumë më afër se që ai ka vlerësuar,” tha Leon Malazogu, drejtor i institutit Demokraci për Zhvillim nga Prishtina.

 “Nuk kemi të bëjmë me një gropë të hapur ku mund të gërmoni sado thellë në rast se duhet ta akomodoni Serbinë,” shtoi ai. “Këtu mund të gabohen rëndë.”

Lista Serbe, e përmes tyre edhe Beogradi, e ka dëshmuar fuqinë mbi qeverinë e Mustafës, theksoi ai. Pa përkrahje të saj Qeveria do të binte, ndërsa ajo pothuajse gjithsesi do tërhiqej në rast të shkarkimit të Jabllanoviqit.

“Ai nuk e ka fuqinë për ta shkarkuar Jabllanoviçin. Shkarkimi i tij do të thotë rënie e qeverisë,” sqaroi Malazogu. “

“Vuçiqi i qëndron prapa Jabllanoviçit. Ai nuk mund të shkarkohet.”

Mustafa mes dy zjarreve

Kjo e lë Mustafën mes dy zjarreve. “Nëse Serbia ka fuqi për tu vënë veto vendimeve në Kosovë, kjo përbën kërcënimin më të fuqishëm që kemi vërejtur deri tani. Këtë kosovarët nuk mund ta përpijnë,” thotë më tej Malazogu.

Ndërkohë, të dhënat dëshmojnë se dialogu në Bruksel, apo më mirë të themi moszbatimi i shumicës së marrëveshjeve të arritura deri tani duket se ka pasur si efekt mbajtjen e serbëve të Kosovës  më afër Beogradit se sa Prishtinës.

“Improvizimet që dialogu [mes Kosovës dhe Serbisë] është dashur t’i prodhojë kanë shërbyer për t’i distancuar njerëzit nga çfarëdo nevoje për tu bërë bashkë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta,” vëren Beqaj.

Një raport i nxjerrë nga Shërbimi Evropian për Veprime të Jashtme në korrik të vitit 2013 thoshte se numri i serbëve që identifikonin veten si qytetarë të Kosovës kishte rënë nga 33 për qind në vitin 2012 në vetëm 15 për qind në vitin 2013.

Në protestën e datës 24 janar, Qamil Dili tha se nuk kishte asgjë kundër serbëve në qeverinë e Kosovës por kundër faktit që Lista Serbe i kishte provokuar rëndë shqiptarët.

“Edhe në të kaluarën ka pasur serbë në Qeveri por ata nuk kanë fyer si këta tash,” tha ai. “Disa prej atyre bile flisnin shqip,” tha ai.

Një i tillë ishte Nenad Rashiq, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e kaluar, i cili avokonte për pranimin e institucioneve kosovare nga Serbët dhe i cili shfaqë brenga lidhur me atë se si Lista Serbe po i vë interesat e Beogradit mbi interesat e popullatës lokale.

Retorika e Beogradit mund të dëmtojë jetët e qytetarëve të rëndomtë serbë në Kosovë, frikësohet ai. “Ne duhet të pranojmë se shqiptarët përbëjnë shumicën,” thotë ai. Lista Serbe “nuk ka opinione apo politika, ata vetëm i zbatojnë idetë e Beogradit, shton ai.

“Kjo do të krijojë më shumë pengesa, në veçanti për bashkëpunimin dhe komunikimin mes serbëve dhe shqiptarëve… i tërë progresi i arritur mund të shkojë dëm për shkak të arrogancës së Beogradit,” shton ai.

Rashiq fajëson politikanët shqiptarë të Kosovës për faktin se “kanë mundësuar inkorporimin e Beogradit në institucionet e Kosovës.”

Megjithatë, Rashiq thotë se kjo situatë nuk mund të zgjasë gjatë, duke qenë se Beogradi është duke e tërhequr përkrahjen e vet për institucionet dhe popullatën që e ka financuar në Kosovën veriore që nga vitet 1998-1999.

“Ne thjeshtë duhet të presim që njerëzit të largohen nga vendet e punës që paguhen nga Serbia dhe më pas do ta kuptojnë se nuk ka qeveri tjetër përveç asaj të Kosovës,” parashikon ai.

Ndërkohë, janë planifikuar protesta tjera. Vetëvendosje tha të enjten se protesta e radhës do të mbahet më 4 shkurt, ndërsa të njëjtat nuk do të ndalen deri në shkarkimin e Jabllanoviqit dhe shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje publike.

“Tani është koha për ta ndryshuar Kosovën, përndryshe do ta humbim përgjithmonë,” tha deputeti i Vetëvendosjes Visar Ymeri. “Këto protesta nuk janë vetëm rezultat i vështirësive ekonomike, por edhe i humbjes së shpresës se ky vend do të bëhet shtet i mirëfilltë ndonjëherë.”

Tekstit i koontribuan Una Hajdari dhe Nektar Zogjani.