Prokurorëve të Kosovës Synohet t’u Mbyllet Goja

Ky rregull do të fillojë të zbatohet nëse Këshilli Prokurorial i Kosovës miraton draftin e rregullores për komunikim me media e cila është hartuar pak javë pasi disa prokurorë të Prokurorisë Speciale patën guximin që publikisht të mbrojnë rastet e tyre.

Siç mëson KALLXO.com, drafti është hartuar nga një grup punues i KPK-së i cili drejtohet nga Florent Muqaj, i zgjedhur në këtë këshill si përfaqësues i shoqërisë civile sado që zgjedhja e tij në këtë cilësi është kontestuar nga organizata të shoqërisë civile.

Rregullorja me 14 nenet e saj parasheh ndalesën që prokurorët të mos komunikojnë me media ndërsa ngre mekanizma të zyrave për informim të cilat do ta kontrollojnë dhënien e informacionit nga organi i akuzës.

Drafti parasheh edhe një varg veprimesh të cilat do të kufizojnë  mediat në marrjen e informacioneve të raporteve të auditimit dhe atyre financiare. Si rrjedhojë  mediat nuk do të marrin informacione zyrtare se sa para dhe mjete kanë keqpërdorur zyrtarët shtetërorë të hetuar për korrupsion e poashtu nuk do dinë për prejardhjen e pasurisë së grupeve të krimit të organizuar apo edhe terrorizmit.

Të mbyllura do jenë edhe të gjitha dosjet e këshillimeve ligjore gjë që do nënkupton se të ndaluara do jenë komunikimet  kur prokurorët kanë kërkuar sqarime ligjore apo edhe rastet kur vet Këshilli Prokurorial ka kërkuar këshilla ligjore nga mekanizma të tjerë shtetërorë.

Drafti i rregullores poashtu ka paraparë masa disiplinore ndaj zyrtarëve të Prokurorisë së Shtetit të cilët do guxojnë që në të ardhmen të japin informacione të cilat, siç thuhet në draft, dëmtojnë kredibilitetin e prokurorisë.

Siç është hartuar, rregullorja thotë se informacionet për keqpërdorimet nga ana e prokurorëve dhe stafit administrativ të prokurorisë do jenë të mbyllura për publikun dhe nëse dikush do të guxojë t’i zbardhë ato, atëherë personi  mund ta humbë vendin e punës.

Rregullorja ka krijuar mundësi ligjore që zyrtarët e mediave të kenë bazë ligjore që të mos u përgjigjen fare mediave në kërkesat e tyre nëse ato kërkojnë informacione siç janë ato për raportet financiare të zyrtarëve të korruptuar apo edhe informacione që kanë të bëjnë me keqpërdorime brenda prokurorisë e të cilat mund ta dëmtojnë kredibilitetin e prokurorisë.

KALLXO.com ka zhvilluar një intervistë me anëtarin e KPK-së, Florent Muqaj, i cili ka drejtuar komisionin që e hartoi këtë rregullore.

Në këtë intervistë, Muqaj tregon se kjo është vetëm një draft rregullore dhe ajo mund të ndryshohet ndërsa nuk jep  përgjigje se çfarë kanë menduar kur kanë paraparë masa disiplinore ndaj zyrtarëve që japin informacione të cilat “e dëmtojnë kredibilitetin e prokurorisë”.

Ai madje nuk ka mundur ta saktësojë nëse informacione si arrestimi i prokurorëve, përfshirja e prokurorëve në korrupsion, parashkrimi i lëndëve dhe shumë skandale të tjera janë informacionet të cilat në të ardhmen do fshihen nga publiku.

Muqaj është arsyetuar se kjo rregullore është vetëm draft dhe pas diskutimeve ajo do ta marrë formën e plotë.

Ai nuk ka dhënë detaje se nga cili shtet është marrë si model kur është vendosur që prokurorëve t’u ndalohet komunikimi me media ndërsa nuk ka arritur të shpjegoi se çka kanë menduar në shumë prej neneve të kësaj rregulloreje.

Draft rregullorja pritet të debatohet nga komisioni edhe javën e ardhshme ndërsa ende nuk dihet se kur do t’i dërgohet Këshillit Prokurorial për miratim.