Gjarpërimi i Isa Mustafës Drejt Majave të Pushtetit

Kryeministri i ri ka kaluar nje rrugë të gjatë që nga koha kur ishte lider i ri ne Jugosllavi deri te pozita e shefit të qeverisë. Tani do të testohet përvoja e Mustafës dhe vizioni i tij i djathtë politik dhe ekonomik për Kosovën.

Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi dolën nga zyra e Presidentes Atifete Jahjaga tri javë më parë, duke lajmëruar se kishin rënë dakord për të formuar një qeveri me Mustafën si kryeministër.

Anembanë është ndjerë lehtësimi për fundin e krizës dhe prezenca ndërkombëtare në Kosovë e mirëpriti marrëveshjen.

Por pati pak entuziazëm për faktin se ish-kryekomunari i Prishtinës do të drejtojë qeverinë e re – një kontrast i ashpër me zgjedhjet e kaluara ku të parët dolën PDK-ja dhe Thaçi u bë kryeministër dhe atëherë Prishtina  u mbush me simpatizantë të tyre nga të gjitha pjesët e Kosovës.

Madje edhe në partinë e tij, Lidhjen Demokratike të Kosovës, lajmi nuk u prit aq mirë. 

Në zyrat e LDK-së në vend u shfaqën shpejt fletushka që e përshkruanin 63-vjeçarin si një dhelpër që ndiqte “ulësen” e varur në një kallam peshkimi.

Me këtë marrëveshje, Mustafa kishte braktisur koalicionin opozitar, i cili është formuar me bashkimin e partive qe u renditën pas PDK-së në zgjedhjet e tetë qershorit të këtij viti.

Për gjashtë muaj rresht koalicioni VLAN e pengoi Hashim Thaçin dhe Partinë Demokratike të Kosovës të formonte një qeveri të re – të cilët edhe pse fitues të zgjedhjeve, nuk mund ta mblidhnin një shumicë në kuvend. 

Presidentja që kishte mirëpritur marrëveshjen PDK-LDK, largoi përgjegjësinë nga vetja duke kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Dy herë dhe pa sukses.

Me këtë zgjatej vakumi politik i shfrytëzuar mjeshtërisht nga PDK-ja, të cilët gjatë gjithë kohës pretendonin se veçse kishin marrë timonin e qeverisë.

Padyshim se gjatë gjithë kohës kërkohej nyja e dobët e koalicionit opozitar. Për publikun kosovar, kjo “dobësi” doli të ishte Isa Mustafa – gjë që vendosi një precedent te keq për qeverinë e tij.

Njëriu akull

Mustafa shprehu pak emocion pas zgjedhjes së tij në postin më të lartë të qeverisë. 

Në një deklaratë në Facebook ai vetëm tha se marrëveshja ishte bërë “duke marrë parasysh situatën me të cilën përballet vendi”.

Ai ka shprehur një mungesë të ngjashme emocionesh edhe katër vjet më parë, kur u zgjodh kryetar i LDK-së. “Vetëm Mustafa nuk ka shprehur aspak emocion,” shkroi e përditshmja Express në atë kohë.

“Ai nuk njihet për sensin e tij të i humorit, por unë mendoj se kjo ndodh ngaqë ai është shumë serioz dhe i vendosur,” tha Ilmi Uka, një banor i Prapashticës, vendlindjes së Mustafës.

Çfarë nuk e plotëson me sharm, Mustafa e ka mbuluar me durim dhe transfere politike në një karrierë që nisi në fillim të viteve ’80 si një yll në ngritje në Lidhjen Komuniste të Kosovës, gjë që e ka çuar atë tani në Zyrën e Kryeministrit në Kosovë.

Fillimet premtuese

Muhamet Mustafa, një profesor i ekonomisë në Institutin Riinvest dhe një mik prej kohësh i Mustafës, kujton kryeministrin në vitet 1970,  kur ai ishte një yll në ngritje në Lidhjen Komuniste të Kosovës.

“Ne punuam së bashku në Lidhjen e Socialistëve të Rinj të Kosovës. Mustafa na u bashkua kur ishte një asistent-profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, ku më parë ishte emëruar studenti më i mirë,” rikujton Muhamet Mustafa, i cili nuk ka lidhje familjare me kryeministrin pavarësisht mbiemrit.

sipas Muhamet Mustafës, Isa Mustafa ishte pjesë e lidershipit të rinisë së organizatës dhe punonte për të rritur pjesëmarrjen e studentëve. 

Më vonë, Isa Mustafa u zgjodh për të përfaqësuar degën rinore të partisë në Kosovë në nivel jugosllav.  “Ne deshëm dikë që do të mund konkurronte barabartë me anëtarët nga republikat tjera në një nivel të barabartë,” tha Muhamet Mustafa.

Ai përfaqësoi rininë e Kosovës në funeralin plot shkëlqim të presidentit të përjetshëm të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, një nder i madh në atë kohë.

Në 1984, ai u bë lider i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës, një pozicion që e mbajti për katër vjet.Teksa Jugosllavia filloi të shpërbëhej, anëtarët e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës filluan të përjetonin presion të madh për të treguar besnikërinë ndaj Serbisë.

Shumë u përjashtuan nga partia dhe u akuzuan për veprime antishtetërore.

Vite kontroverse

Mustafa ia doli të qëndrojë në parti. Kundërshtarët e tij e dënojnë pozicionin që ai mori në dhjetor 1989, ku u bë sekretar për Zhvillimin, Shkencën dhe Informacionin në qeverinë provinciale të Kosovës të drejtuar nga Jusuf Zejnullahu.

Në diskursin e sotëm politik, kjo gjë mbetet e debatuar, sepse ndodhi pasi Serbia, nën qeverisjen e Sllobodan Millosheviqit, ia mori Kosovës autonominë e gjerë që kishte shijuar sipas Kushtetutës së vitit 1974.

Mustafa dhe shqiptarë të tjerë që vazhduan të shërbejnë në qeveri u quajtën lolo të serbëve të cilët punonin kundër interesave të komunitetit të tyre.

Muhamet Mustafa e sheh këtë ndryshe. “Politikanët shqiptarë në atë kohë ishin në presion ekstrem nga Serbia, veçanërisht nga qarqet shoviniste dhe ishte mirë që disa qëndruan në politikë për t’u përpjekur të shpëtonin atë që kishte mbetur”, tha ai.

Mustafa dhe kolegët e tij u përpoqën të mbronin të drejtat e mbetura të asamblesë së Kosovës. Në korrik 1990, asambleja refuzoi të pranonte ndryshimet e reja të kushtetutës jugosllave dhe u përpoq ta rikthente gjendjen kushtetuese, atë të vendosur me Kushtetutën e vitit 1974. Në përgjigje, qeveria serbe deklaroi masa të jashtëzakonshme dhe lëshoi fletëarrest për Mustafën, i cili pastaj u largua nga vendi.

Ai e ndau kohën mes Gjermanisë, Zvicrës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjatë viteve 1990, ekspertiza e tij ekonomike hyri në lojë kur u bë ministër i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë në mërgim të Kosovës, të themeluar nga Ibrahim Rugova nën Bujar Bukoshin.

Në intervistat që ai dha në atë kohë, Mustafa tha se ai mendoi se qeveria në mërgim do të zgjaste vetëm disa muaj, jo nëntë vjet. Ndërkohë, ai udhëhoqi sistemin që shërbeu si shtyllë e financimit të qeverisë së Bukoshit në ekzil dhe rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, bazuar në një taksë që mblidhej nga shqiptarët në Kosovë dhe jashtë – sistem i njohur si fondi i trepërqindëshit.

Kjo qeveri funksionoi si e tillë deri te intervenimi i NATO-s në vitin 1999, i cili largoi prezencën ushtarake serbe në Kosovë dhe ushtrimin e ndikimit politik nga qeveria e atëhershme ne Beograd.

 Kundërshtarët e Mustafës, megjithatë, thonë se është e dyshimtë që ai nuk i publikoi kurrë llogaritë e fondit që mendohet se arriti në rreth 100 milionë marka gjermane. Këtu prapë shohim një mungesë të komunikimit të mirëfilltë të Mustafës me publikun kosovar – llogaritë në atë kohë nuk janë bërë publike, ndërsa kjo akuzë përsëritet shpesh nga kundërshtarët e tij.

Rruga drejt kryesisë së partisë

Pasi lufta në Kosovë përfundoi, Mustafa u kthye në shtëpi, hoqi dorë nga politika dhe mori detyrën e profesorit në Universitetin e Prishtinës, ku ligjeroi lëndën e makroekonomisë.

Në 2006 një mik i vjetër, Fatmir Sejdiu, i kërkoi ndihmë. Sejdiu ishte zgjedhur së fundmi President i Kosovës dhe kishte nevojë për një këshilltar ekonomik.

Mustafa nuk ishte i interesuar për politikën në atë kohë, por ra dakord “vetëm për t’i bërë një nder një miku të vjetër”.

Në atë kohë, ai nuk ishte anëtar i LDK-së. Por Sejdiu thotë se ai e vlerësonte eksperiencën e Mustafës si një ekonomist dhe rolin që kishte në qeverinë në mërgim. Sejdiu shpejt e promovoi Mustafën.“Pasi ishte këshilltari im për një vit, e kandidova atë si kryetar të Prishtinës,” kujton Sejdiu.

Mustafa e fitoi garën, duke mundur kandidatin e PDK-së, Fatmir Limajn. Ai vazhdoi të shërbente si kryekomunar i Prishtinës për dy mandate, derisa kryekomunari aktual, Shpend Ahmeti, i “Vetëvendosjes”, e mundi në një balotazh në dhjetor 2013.

Nën drejtimin e Mustafës, Prishtina pa përmirësime të dukshme në infrastrukturë, me rrugë më të mira dhe më shumë semaforë.

Kuvendi i tij komunal udhëhoqi rinovimin e Bulevardit “Nënë Tereza”. Por pati edhe ndërtime të paligjshme.Ka pretendime se rreth 20,000 ndërtime pa leje u ngritën gjatë drejtimit të tij.

Njëkohësisht, kryetari përmirësoi profilin e tij brenda LDK-së, e cila po mundohej të gjente drejtim të ri pasi themeluesi i saj i cili ishte sinonim i suksesit të kësaj partie, Rugova, vdiq nga kanceri në vitin 2006.  Si një mik intelektual dhe si veteran i rezistencës paqësore ndaj Serbisë, Sejdiu u shfaq si një pasardhës natyral i Rugovës.

Megjithatë, në vitin 2007, LDK-ja pësoi një humbje poshtëruese në zgjedhjet kombëtare, duke humbur 16 vende në parlament, ku kishte qenë partia më e madhe dhe ishte eklipsuar nga PDK-ja e Thaçit.

Dy partitë do të formonin më pas një koalicion qeverisës. Vëzhguesit e vlerësuan këtë si kombinim të çuditshëm – LDK-ja si parti intelektualësh qytetarë, ndërsa PDK-ja si parti e veteranëve të UÇK-së, kryesisht nga Kosova rurale.

Koalicioni filloi mirë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008, por mbeti i brishtë.

Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese vendosi që Sejdiu nuk mund të ishte President i Kosovës dhe kryetar partie në të njëjtën kohë.

Ai dha dorëheqjen si president, me një sy nga Zyra e Kryeministrit, e zënë nga Thaçi. Shpejt pas kësaj, LDK-ja u tërhoq nga koalicioni dhe qeveria ra.

Ndërkohë, Sejdiu u përball me sfida për lidershipin e partisë. Ai nuk e priste nga miku i tij, Mustafa. “Në një takim privat me të e pyeta direkt: ‘Po planifikon të kandidosh për kryetar partie?’ Ai u betua se nuk do ta bënte kurrë këtë dhe se nuk do të kandidonte kurrë kundër meje,” tha Sejdiu.

Por, “Ai shfrytëzoi të parin rast që i doli për të kthyer njerëzit kundër meje dhe për të ndarë anëtarësinë e LDK-së,” shtoi Sejdiu.

Në nëntor 2010, pasi qeveria ra, LDK-ja zgjodhi me shumicë Mustafën si liderin e saj të ri. “Ju ftoj të gjithëve ju që jeni pjesë e LDK-së ta mbështesni, ta ndërtoni, të punoni dhe të bashkërendoni punët, në mënyrë që ta kthejmë elektoratin në familjen e LDK-së,” u tha Mustafa mbështetësve.

Mandati i Mustafës si lider i LDK-së nuk rezultoi në ringjalljen dramatike të fatit të partisë. Në zgjedhjet e 2011-ës, ajo fitoi vetëm dy vende më shumë në parlament, dhe katër të tjera në zgjedhjet e fundit të qershorit.

Në 2013, Mustafa pësoi një humbje poshtëruese në Prishtinë, kur humbi garën për kryekomunar në një qytet që ka qenë bastion i LDK-së. Para zgjedhjeve, Mustafa kishte thënë se do të fitonte me duart në xhepa.

Prishja e koalicionit

Pas zgjedhjeve të 8 qershorit, dukej se PDK-ja, pavarësisht se fitoi shumicën e votave, do të mbahej larg qeverisë.

LDK-ja, së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK-në, “Vetëvendosjen” dhe partinë e shkëputur nga PDK-ja, Nismën, përfaqësonin shumicën në parlament dhe u bashkuan kundër PDK-së.

Një marrëveshje koalicioni parashikoi që Ramush Haradinaj të bëhej kryeministër, ndonëse partia e tij ishte e treta për nga madhësia në bllok.

Haradinaj më parë kishte shërbyer si kryeministër për 100 ditë përpara se të dorëzohej në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte, për të cilat më pas u lirua.

Mustafa ra dakord për postin e kryetarit të parlamentit, duke qenë i vetëdijshëm se  LDK-ja ishte partia më e madhe në bllok.

Por prishja e marrëveshjës u ndikua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që anuloi zgjedhjen e Mustafës si kryetar dhe urdhëroi që vetëm PDK-ja si parti fituese e shumicës së votave në zgjedhjet e shkuara, kishte të drejtën të kandidonte kryetarin e parlamentit.

Edhe atëherë, LDK-ja qëndroi e vendosur kundër PDK-së, me deputetin Ismet Beqiri që deklaroi se partia nuk do të formojë kurrë një qeveri me PDK-në.

Teksa muajt kaluan, blloku opozitar nuk ia doli të bjerë dakord për të rishikuar marrëveshjen e koalicionit. 

Vizioni i tregut të lirë

Me përjashtim të “Vetëvendosjes”, partitë kryesore të Kosovës nuk kanë artikuluar filozofi të qarta politike ose ekonomike. Fushatat e tyre vërtiten rreth të njëjtave premtime praktike – të krijojnë më shumë vende pune dhe ta anëtarësojnë vendin në BE, për shembull.

Megjithatë, kur Mustafa foli në parlament për herë të parë si kryeministër, ai shpalosi një vizion se ishte i vendosur ideologjikisht dhe mbështetës ndaj parimeve të tregut të lirë.

“Ne do të krijojmë një treg të lirë dhe të hapur. Punësimi dhe rritja e mirëqenies sociale do të bazohen në iniciativën private dhe një treg konkurrues do të sigurojë begati ekonomike,” tha Mustafa për deputetët.

Pasi që mori pozitën e kryeministrit, ai e shkeli premtimin zgjedhor të shumëpërsëritur të PDK-së atë për rritjen e pagave, ku pagat e sektorit publik do të rriteshin deri në 100 për qind. 

Mustafa ka thënë se pagat do rriten vetëm në linjë me rritjen ekonomike – një pragmatizëm i cili rrallëherë vlerësohet nga votuesit kosovarë, të zhytur në probleme ekzistencialiste.

Për të zhvilluar sektorin privat, Mustafa ka thënë se do të zvogëlojë taksat në biznesin e vogël dhe të mesëm dhe do të zhvendosë peshën e TVSh-së së mbledhur në kufi me TVSh-në e të ardhurave të brendshme.

“Qeveria do të punojë shumë të arrijë një rritje ekonomike të qëndrueshme, që do të sigurojë stabilitet makroekonomik, fiskal dhe social, me qëllimin e minimalizimit të deficitit tregtar”, tha Mustafa.

Agron Demi, që drejton Institutin GAP, thotë se edhe pse Mustafa është ekonomist, ai po i hyn një territori të pashkelur. “Është e vështirë të matet aftësia e tij si një ekonomist gjatë kohës si kryekomunar, sepse komunat nuk kanë shumë kompetenca në këtë zonë,” theksoi ai.

Nëse ai do të marrë shumë mbështetje për vizionet – kjo mbetet e paqartë. Shtatë deputetë të LDK-së nuk votuan për të si kryeministër, për të cilën ai i qortoi gjatë fjalimit inaugural në kuvend.

Mustafa po hyn në mandatin si kryeminister me një larmi kritikash për potezat politikë dhe për përafrimin me PDK-në. Ajo që mbetet të shihet është se a do të jetë Mustafa i aftë të kthejë këtë në pëparësi te tij dhe të përdor përvojën e tij diverse për t’i sjellë vendit ndryshim real dhe përparim konkret.