Edi Rama, Përfituesi i Befasishëm i Simpatisë te Kosovarët

Kur në vitin 2003, ish kryeministrit shqiptar Fatos Nano i kishte rënë të zbriste në Prizren për një vizitë të shkurtër, ai mund ta ketë kuptuar shumë shpejt se çka donte të thoshte të jesh socialist nga Shqipëria dhe të vish në Kosovë.

Nano kishte ardhur në Prizren bashkë me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Bajram Rexhepi pasi paraprakisht kishin inauguruar ndërtesën e rinovuar të pikës kufitare Kosovë- Shqipëri në Morin.

Por në Prizren, Nano i cili mbante njëkohësisht edhe pozitën e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, ishte ndeshur me ftohtësinë e qytetarëve lokalë të cilët edhe pse e shihnin rrugëve, nuk ua bënte zemra t’i afroheshin për ta përshëndetur.

Një takim me liderin autokrat serb, Sllobodan Miloseviq në Kretë të Greqisë në vitin 1997 dhe mjegulla që e përcolli atë takim më pas, dukej se nuk i kishte ndihmuar Fatos Nanos.

Kjo sepse tradicionalisht kosovarët kanë qenë më shumë të lidhur me demokratët në Shqipëri, ndërsa lideri historik i tyre, Sali Berisha, është konsideruar si “ikonë” e patriotizmit ndër politikanët shqiptarë.

Edhe tash kur është pensionuar, Berisha i përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe nuk lë pa komentuar çdo zhvillim politik.

Por, e hëna e dytë e nëntorit të këtij viti mund të ketë ndryshuar shumëçka.

Rama tani është bërë socialisti i dytë shqiptar i adhuruar nga kosovarët, pas Pandeli Majkos, i cili drejtoi qeverinë shqiptare në kohën NATO bombardoi caqet ushtarake e policore serbe dhe kur Shqipëria i hapi dyert për mbi 800 mijë kosovarë të larguar me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Këtë mund ta ketë vërejtur edhe vetë Edi Rama, i cili në të kthyer nga vizita dyditëshe në Serbi, nëpër rrugët e Kosovës, hasi në grupe të mbledhura spontanisht të qytetarëve të cilët dolën ta falënderonin për ato që tha në Beograd.

“Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi, perspektivës europiane të rajonit dhe e ka kthyer në strategjik, bashkëpunimin mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve në veçanti. Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është më shumë sesa i mirëpritur prej nesh”, tha Rama në një deklaratë e cila mori jehonë për të mirë ndër shqiptarë ndërsa u kritikua ashpër nga serbët.

Analisti Astrit Gashi, thotë se që nga momenti kur Rama doli në sallën e konferencave të qeverisë së Serbisë, krah homologut serb AleksandarVuçiq dhe i bëri thirrje Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës, kryeministri aktual shqiptar i përfituar zemrat e kosovarëve.

“Më në fund shqiptarët e Kosovës e gjetën njëSali Berishë të ri— në Edi Ramën. Që e mbrojti kombin midis Beogradit, sikur Saliu(Berisha) dhe Hashimi(Thaçi) që e mbronin dikur nga palestra e Shkupit”, tha Astrit Gashi duke iu referuar një tubimi në Shkup, pak ditë para se Shqipëria ta festonte 100 vjetorin e pavarësisë në vitin 2012.

Por Astrit Gashi thotë të ketë pritur më shumë nga Edi Rama.

“Në vend se të shndërrohet në lider të rajonit, edhe të Vuçiq,si do duhej të bënte dhe te cilin rol ia dha Merkel, Rama u ngop duke u shndërruar ne “idhull” deklaratash të neve kosovarëve”, thotë Gashi.

Gazmend Pula për disa vjet ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Shqipëri, në kohën kur Berisha drejtonte qeverinë shqiptare.

Pula tha për KALLXO.com se deklarata e Edi Ramës nëBeograd ka ndryshuar përceptimin e tij te kosovarët.

“Deklarata e tij do të ndikojë shumë në familjarizimin e shqiptarëve të Kosovës me kryeministrit Rama”, tha Gazmend Pula, ish ambasador i Kosovës, në Shqipëri.

Ai tha se Rama, me vizitën e tij në Serbi dhe qëndrimin e mbajtur atje “ka afirmuar vlerat e popullit shqiptar”.

“Ka qenë një qëndrim i qartë, me vetëbesim, me dinjitet, me përmbajtje, një qëndrim politikisht me përmbajtje dhe politikisht shumë i nevojshëm për botën shqiptare edhe për popullin serb i cili nuk po mund të ballafaqohet me të vërtetën”, shtoi Pula.

Ndërsa analisti Halil Matoshi thotë se deklaratat e Ramës nuk janë befasuese edhe pse ato zgjuan emocione në Kosovë të cilat.

“Ne shqiptarët janë shumë emotivë. Emocionet nuk janë racionale, prandaj sigurisht që ai ka krijuar simpati tek kjo pjesa, po them,e jodurimtarëve shqiptarë”, tha Matoshi.

Matoshi tha se njëdeklaratë të tillë në Beograd e ka thënë edhe LulzimPeci, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Serbi, deklaratë e cila i kushtoi me shkarkim nga pozita nga ana e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ai nuk ka thënë asgjë të re, vetëm e ka thënë një fakt në një rrethanë goxha specifike, sepse gjuha e Brukselit, të cilën e ka mësuar tashmë edhe Prishtina, nuk i quan gjërat me emrin e vërtetë. Edhe LulzimPeci, i cili po ashtu e ka thënë në Beograd Kosova është shtet i pavarur dhe Serbia duhet ta njoh sa më shpejt atë”, u shpreh Matoshi.

Vetë Lulzim Peci, nga ana tjetër, tha për KALLXO.com, se shumë të tjerë janë shprehur në mënyrë të njëjtë në Beograd, sikur Edi Rama.

“Ilir Deda është i pari, i cili gjatë kohës që ishte këshilltar i Presidentes, në debatin që kishte me Daçiqin, pastaj i kam thënë unë në qendër të Beogradit, i treti është Rama”, tha Peci.

Ai shtoi se kjo deklaratë nuk është e jashtëzakonshme, pasi që sipas tij, kryeministri Rama vetëm e ka shprehur qëndrimin zyrtar që ka Shqipëria ndaj Kosovës.

Ndër Shkëlzen Maliqi, kosovari që punon si këshilltar politik për Ballkanin në zyrën e edi Ramës në Tiranë, thotë se deklarata e shefit të tij ka qenë korrekte.

Maliqi, i cili ka qenë pjesë e delegacionit shqiptar në Serbi, shprehet se për Serbinë do të ishte mirë që të pajtohej me faktin se Kosova është shtet i pavarur.

“Ka qenë moment emocional dhe ka treguar një paraqitje dinjitoze dhe pa frikë të kryeministrit të Shqipërisë në mes të Beogradit. Çështja e Kosovës është e mbyllur”, tha Maliqi.

Përkundër tensioneve publike që u panë në konferencën për shtyp të dy kryeministrave, Maliqi thotë se atmosfera në takime tjera të mbyllura, përveç në takimin kokë me kokë Vuçiq- Rama, ka qenë e shtensionuar.

“Nga përshtypja ime nga takimet e tjera që patëm në bisedat e dy delegacioneve, dreka dhe darka, atmosfera ishte shumë më e shtensionuar se sa konferenca që ishte shou publik”, u shpreh Shkëlzen Maliqi.

Qëndrimi i Ramës në Serbi është mbështetur edhe nga homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi.

“Besoj se kjo vizitë historike dhe nënshkrimi i tre marrëveshjeve të rëndësishme të bashkëpunimit po shënojnë një kapitull të ri të ndërtimit të raporteve të mira e me baza të shëndosha mes dy popujve”, ka thënë Thaçi.