BE Heton Akuzat Për Ryshfet Në EULEX

Mogherini tha në një konferencë për shtyp në Bruksel të martën se një ekspert i pavarur do të hetojë akuzat se një gjykatës i EULEX mori ryshfet për të mbyllur një akuzë ndaj njerëzve të akuzuar për krime të rënda.

“Mora vendimin sot për të emëruar një ekspert ligjor, një ekspert të pavarur ligjor, për të parë dhe rishikuar zbatimin e mandatit të misionit. Natyrisht me një fokus të veçantë në trajtimin e akuzave,” tha shefja e politikës së jashtme të BE-së.

Akuzat dolën në publik javën e kaluar kur një prokurore e EULEX, Maria Bamieh, akuzoi një ish gjykatës të misionit, Francesco Florit, se ka marrë 300 mijë euro ryshfet për të shpallur të pafajshëm një person të akuzuar për vrasje dhe për kërkimin e një ryshfeti tjetër në një çështje korrupsioni kundër një zyrtari të qeverisë së Kosovës.

Florit mohoi prerazi akuzat.

Bamieh, e cila është pezulluar, akuzoi se EULEX në fillim refuzoi të hetojë dyshimet e saj mbi Florit dhe në vend të hetimit e shënjestroi atë si person që ka nxjerrë dokumente konfidenciale në publik.

Elmar Brok, kryetar i Komitetit të Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme, i kërkoi BE-së të martën të hetojë në tërësi akuzat për t’u siguruar që EULEX-i të mbetet një institucion i besueshëm.

“Roli i misionit në Kosovë është të luftojë korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë dhe ai duhet të japë vetë shembullin i pari. Ne duhet të tregojmë pa hezitim se askush nuk është mbi ligjin dhe se lufta kundër korrupsionit është prioriteti ynë kryesor, si në Kosovë ashtu edhe brenda institucioneve tona,” tha Brok, sipas raportimit të Wall Street Journal.

Bamieh akuzoi gjithashtu kreun e Prokurorisë Speciale të EULEX-it, Jonathan Ratel, se ka penguar një nga hetimet e saj në lidhje me deputetin Azem Syla të Kosovës, një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike.

Syla dhe nëntë të tjerë qenë akuzuar se kanë përfituar ilegalisht tokë me vlerë qindra milionë euro.

Deputeti ka thënë se akuzat janë false.

“Besueshmëria e akuzave të tilla është shpesh e pabazë dhe tendencioze,” i tha Syla gazetës së përditshme “Koha Ditore” të Prishtinës të mërkurën.

Syla shtoi se ai ka bërë publike pasurinë e tij personale dhe familjare te autoritetet përkatëse.

Ratel i tha BIRN-it javën e kaluar se nuk ka ndërmend t’u përgjigjet akuzave të Bamieh-ut.

EULEX-i merret me rastet e krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të luftës të cilat konsiderohen si tepër të rëndësishme apo tepër të ndjeshme që të trajtohen nga drejtësia e Kosovës.