Rrëfimi i Prokurores Maria Bamieh

Bamieh është një prokurore nga Mbretëria e Bashkuar me 17 vjet përvojë në punë. Në Kosovë ajo ka ardhur para 7 viteve për të punuar në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian.

Me një varg rastesh gjyqësore të ndjeshme në CV-në e saj, Bamieh thotë se kolegë brenda misionit ishin përpjekur ta largonin atë nga ndjekja e një rasti të ndjeshëm, kur ajo kishte kuptuar për disa dyshime për përfshirjen e një gjykatësi të EULEX-it në një aferë korruptive.

Bëhet fjalë për rastin e një vrasjeje të trefishtë në Kaçanik e cila ka ndodhur në vitin 2007.

Florim Hasani, vëllai i një të dënuari me 33 vjet burg në këtë rast, ka dëshmuar se ka mbledhur 250- 300 mijë euro të cilat thotë se janë derdhur në xhirollogarinë e gjykatësit Francesco Florit.

“Me sa e kuptoj, në bazë të pretendimeve të bëra nga Qerimi dhe Hasani këto 300 mijë euro janë dhënë për lirimin e tre personave. Me sa e kam kuptuar nga këto pretendime, kur janë dhënë këto para, Francesco Florit ka thënë jo, 300 mijë euro është për një person dhe për 300 mijë euro mund ta liroj vetëm një person dhe kësisoj Nysret Cena është liruar. Kjo është ajo që më është shpjeguar mua”, thotë Bamieh.

Në një rast tjetër, Bamieh thotë se Florit është takuar dy herë me një person i cili ka tentuar ta negociojë lirimin nga akuzat të ish sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj. Në fillim në një konferencë dhe më pas në një takim të mbajtur enkas, pas insistimit të ndërmjetësit.

“Ato biseda duken se janë të një personi të kualifikuar ligjor, sepse flasin për procedura specifike ligjore që personi i zakonshëm nuk do t’i dinte. Pra sa më përket mua, kishte dyshime të bazuara aty. Ai (Florit) më tha se është shumë i shqetësuar për artikullin në gazetë, sepse në fakt i ka 300 mijë euro për ta paguar kredinë e tij. Unë jam shokuar me këtë, sepse deri në fund të jetës nuk mund t’i bëj ato para për ta paguar kredinë time”, tha Bamieh në këtë intervistë.

Ajo thotë se edhe vetë gjykatësi Florit i ka konfirmuar këto takime.

“Ai (Florit) ma dha një deklaratë. Por para se të jepte deklaratën tha: ‘O Zot, kam qenë shumë naiv. Jam takuar me këtë ndërmjetësin. Jam takuar vetëm dy herë’. Nuk i besova se janë vetëm dy takime, por ky ishte rrëfimi i tij”, tha Bamieh.

Akuzat janë bërë publike vetëm gjatë kësaj jave, por Bamieh thotë se EULEX është duke “vluar” në këto akuza që nga viti 2012.

Madje ajo thotë se nuk ka akuzuar dikë.

“Vetëm kam thënë: dëgjoni, kam ardhur deri te disa informata gjatë punës sime që sugjerojnë se ka diçka të dyshimtë në lidhje me shefin e gjyqtarëve të EULEX-it, z. Francesco Florit”, thotë ajo.

Bamieh thotë se prokurorët dhe gjyqtarët në EULEX fshihen pas imunitetit që thuhet se u garanton të qenit pjesëtar i një misioni ndërkombëtar.

Por ajo thotë se askush nuk ka imunitet ndaj veprave penale.

“Nëse jeni i deleguar dhe e kryeni një vepër penale në Kosovë, ju hetoheni në Kosovë dhe autoriteti juaj delegues duhet të trajtojë çështjen tuaj në lidhje me shkeljet që janë konstatuar në atë hetim.  Nëse jeni i kontraktuar dhe kryeni një vepër penale, imuniteti  juaj hiqet dhe ju ndiqeni penalisht për shkeljen që keni bërë.  Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë”, thotë Bamieh.

Në këtë intervistë, Bamieh flet edhe për pengesat në punë që thotë t’i ketë pasur nga kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna.

“Jaroslava Novotna është personi që ka qenë i përfshirë me Francesco Florit dhe personi i cili po ndërhynte në rastin tim, duke u përpjekur që të më largonte nga rasti”, thotë Bamieh.

Si provë ajo përmend faktin se kryeprokurorja Novotna asnjëherë, sipas saj, nuk është përzier në një rast në mënyrën se si ka ndërhyrë në rastin e saj.

Por si u bë e mundur që Novotna si prokurore, të ndikonte te një gjykatës?

“Sepse ajo kishte kontakte me gjyqtarët, me të cilët shoqërohej, kishte miqësi me Francesco Floritit që është e qartë në bazë të përgjimeve”, thotë Bamieh.